Përplasja Mustafa-Avdyli, analisti: Isa Mustafa ka bërë dështime të mëdha për LDK-në dhe vendin

Politika

Përplasja Mustafa-Avdyli, analisti: Isa Mustafa ka bërë dështime të mëdha për LDK-në dhe vendin

Nga: A.SH Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 23:05
Isa Mustafa dhe Haxhi Avdyli

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli në një deklaratë ka thënë se “Isa Mustafa, si politikan tërësisht i dështuar që e ka qitë LDK-në për toke, po tenton të qëndrojë relevant duke e sulmuar u.d. Presidenten Vjosa Osmani”

Ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur duke thënë se “Nuk e konsideroj Haxhi Avdylin deputet të LDK-së”.

Analsiti politik, Rexhep Elezaj, për "Bota sot" ka komentuar deklarata e tyre duke thënë se, Isa Mustafa ka bërë dështime dhe dëme të mëdha për LDK-në dhe vendin.

“Pajtohem plotësisht me deputetin, z. Haxhi Avdylin, kur thotë se “Isa Mustafa si politikan tërësisht i dështuar e ka qitë LDK-në për toke, dhe se po tenton të qëndrojë relevant duke e sulmuar u.d. të presidentes, znj. Vjosa Osmani”, ngase dështimet dhe dëmet që Isa Mustafa ia ka bërë LDK-së, pastaj edhe Kosovës, janë aq të mëdha, saqë vetëm historia do dëshmon katërçipërisht, se ardhja e këtij politikani komunist në krye të LDK-së me 2010, ka qenë një fat i zi për partinë e presidentit Ibrahim Rugova, si dhe për vet shtet-ndërtimin e Kosovës!
Këtu po i ceku vetëm dy fakte tragjike dhe karastrofale për Kosovën, të cilat me nënshkrimin e tij Kosovës i kanë sjellë dëme të pallogaritshme të sovranitetit dhe integritetit të saj, siç ishte nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, me të cilën iu falën mbi 8260 haktarë toka të trevës së Rugovës, pra Kosovës, si dhe nënshkrimi i tij i marrëveshjes në Bruksel me 2015, për formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe, për të cilat marrëveshje Isa Mustafa, po të kishte organe të pavarura të drejtësisë në Kosovë, do duhej të qëndronte më së paku 20 vite në burg për tradhti kombëtare si dhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës!”, deklaron Elezaj.

Ai ka kritikuar Mustafën duke thënë se, dëmet e tij janë të panumërta që ia ka sjellë Kosovës dhe LDK-së.

“Pra, është Isa Mustafa ai i cili me plan sistematik e ka shkatërruar filozofinë kombëtare të LDK-së të ndërtuar nga presidentit ynë historik, Dr. Ibrahim Rugova, akad. Fehmi Agani, Rexhep Ismajli, etj., krejtësisht me tendencën ogurzezë që të bëhet më “lider” se Ibrahim Rugova, si gjoja një “shpëtimtar” i Kosovës nga “Rugovizmi”, duke e sjellë LDK-në në pozitën e një paterice të Hashim Thaçit dhe PDK-së, krejtësisht për qëllime të pasurimit dhe plaçkitjes së pasurive të shtetit të Kosovës..!? Kështu që, janë të panumërta dëmet që Isa Mustafa ia ka sjellë Kosovës dhe LDK-së, deri në diktaturë brutale brenda saj, tipike e llojit stalinist-komunist, duke e vrarë fjalën dhe mendimin e lirë brenda partisë, si dhe duke i diskriminuar dhe larguar nga partia të gjithë ata të cilët nuk janë pajtuar me qëndrimet dhe vendimet e tij, siç ishte rasti me vajzën e heroit të kombit, Jusuf Gërvalla, Donikën, të cilën bodigardat e tij e tërhoqën zvarrë dhe nuk e lejuan të merrte pjesë në Kuvendin e parafundit të LDK-së, pastaj siç ishte përjashtimi i Prof. Shpejtim Bulliqit, dhe tani së fundi dëbimi edhe i znj. Vjosa Osmani nga LDK-ja dhe denigrimi i vazhdueshëm ndaj deputetit Haxhi Avdyli, dhe kështu me radhë..!?”, shprehet më tutje Elezaj.

Për fund, analisti Elezaj sa i përket deklaratës për deputetin Haxhi Avdyli, thotë se, një kryetar normal i çfarëdo partie qoftë, nuk vepron dhe nuk sillet sikur Isa Mustafa

“Pra, kundër deklarata e Isa Mustafës për deputetin Haxhi Avdyli, “se nuk e konsideron deputet të LDK-së..”, është vazhdimësi e diktaturës së tij agresive brenda partisë me qëllim të shkatërrimit definitiv të LDK-së, që në zgjedhjet e ardhshme mos t’i bënë konkurrencë PDK-së, duke i shërbyer, ose duke ua kthyer borxhin që ka personalisht ndaj Hashimit dhe Kadriut. Ndryshe, një kryetar normal i çfarëdo partie qoftë, nuk vepron dhe nuk sillet sikur Isa Mustafa, që partinë të cilën e udhëheq vetë ta shkatërrojë me çdo mjet dhe metodë deri në zhbërjen e saj definitive. Ky ka qenë në fakt edhe misioni i tij kryesor, që zanafillën e ka qysh nga koha kur ky ishte ministër për financa në ish-qeverinë “Bukoshi” në exil..!?”, përfundon Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat