Vuçiq: Politikanët e Kosovës po trillojnë se bëra thirrje për luftë

Politika

Vuçiq: Politikanët e Kosovës po trillojnë se bëra thirrje për luftë

Nga: B.S. Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 12:54
Aleksandar Vuçiq

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë sot si "trillime" vlerësimin e politikanëve nga Kosova dhe Shqipëria se "bëri thirrje për luftë" kur tha se shembulli i Nagorno-Karabahut tregon pse është e rrezikshme të mbash një konflikt të ngrirë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Vuçiq vlerësoi se politikanët shqiptarë kanë "problemet e tyre të brendshme" për shkak të të cilave, sipas tij, "duhet të shpikin".

"Unë fola për nevojën për të shmangur politikën e konfliktit të ngrirë, se mbajtja e këtij konflikti do të nënkuptojë se dikush në të ardhmen mund të na çojë në katastrofë. Ata e kanë kuptuar mirë atë që thashë, thjesht duhet të përcjellin diçka në një mënyrë tjetër sepse ata kanë arsyet e tyre", tha Vuçiq në Batajnicë afër Beogradit, ku ishte me rastin e ndërtimit të një terminali ndërmodal për transportin e mallrave.

Vuçiq përsëriti se politika e Serbisë është të ruajë paqen dhe "të jemi më të suksesshmit në tri vitet e ardhshme, e ne shpresojmë se edhe në pesë vitet e ardhshme, dhe këtë nuk mund ta arrini nëse keni çfarëdo qoftë konfliktesh dhe jostabilitet".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat