Ish gjenerali Qehaja paralajmëron Kosovën pas kërcënimit nga Vuçiq, përmend armatosjen e vazhdueshme

Politika

Ish gjenerali Qehaja paralajmëron Kosovën pas kërcënimit nga Vuçiq, përmend armatosjen e vazhdueshme

Nga: D.RR Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 16:20
Ramadan Qehaja

I pari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se mund të ketë destabilizim deri në luftë nëse konflikti Kosovë-Serbi vazhdon të mbetet i ngrirë.

E reagime për këtë deklaratë kishte si nga krerët kombëtar, ashtu edhe nga ata ndërkombëtar, përfshirë edhe NATO-n, e cila bëri thirrje për ruajte të qetësisë në Ballkan.

Ndonëse nuk ishte hera e parë që Vuçiq lëshon këso deklarata, kjo e fundit ishte më serioze pasi që të gjithë menduan se u përafrua marrëveshja finale Kosovë-Serbi, pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Washington.

Lidhur me këto deklarata të Vuçiq, ish gjeneral Qehaja për “Bota sot” ka thënë se armatosja e vazhdueshme e Serbisë nënkupton përgatitje për një luftë ofensive për destabilizim në Ballkan, ku para se gjithash mund të fillojë nga Kosova.

“Unë kujtoj që Serbia zyrtare që një kohë të gjatë është duke u përgatitur për ta ngritur gatishmërinë luftarake shumë më të lartë se që e ka, duke u armatosur kryesisht prej Rusisë. Gjithë kjo e tejkalon nevojën e vetëmbrojtjes së Serbisë si shtet. I gjithë ky armatim që Serbia po e blen nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveç se një lloj përgatitje për një luftë ofensive për destabilizim në Ballkan, para se gjithash mund të fillojë nga Kosova”, thotë Qehaja.

Ai shprehet tutje se nuk duhet të nënçmuar pretendimet serbe, sepse sipas tij, ata nuk heqin dorë nga Kosova.

“Unë disa herë e kam thënë se Serbia synimin kryesor e ka pjesën veriore të Kosovës me përvetësua, edhe ashtu ne nuk e kontrollojmë plotësisht dhe kjo ka sjell deri tek ajo që ne sikur e kemi lënë pas dore atë pjesë të territorit tonë dhe ata po e shohin se ne jemi duke dhënë rezistencë që të mos formojmë Asociacionin e Komunave Serbe. Përveç tjerash, është edhe një lloj lufte speciale që Vuçiqi përdor tash vetëm për të arritur qëllimet e tij, por sidoqoftë nuk duhet nënçmuar pretendimet serbe sepse, ata nuk do të heqin dorë nga Kosova, tash për tash, aq më shumë kur në Kushtetutën e tyre ende e kanë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë dhe kjo për mua si ushtarak profesionit është në rrezikshmëri të madhe”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat