Vrasjet e zyrtarëve të LDK-së që tronditën Kosovën, “vetëm kështu mund të zbulohet e vërteta nga Specialja”

Politika

Vrasjet e zyrtarëve të LDK-së që tronditën Kosovën, “vetëm kështu mund të zbulohet e vërteta nga Specialja”

Nga: N. H Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 22:43
Gjykata Speciale dhe Hashim Thaçi, foto ilustrim “Bota sot”

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Këtë javë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi zhvilluan edhe seancat e para, para trupit gjykues.

Për të folur më këtë proces, që ka filluar javë më parë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar analistin e njohur të zhvillimeve politike në vend.

Njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se procesi i gjykimit të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë i gjatë, dhe madje, sipas tij, mund të zgjasë edhe për vite të tëra.

Ai deklaron se i gjithë procesi po duket të jetë zinxhirorë, që fillon nga krerët më të lartë ushtarakë të UÇK-së, e deri te dëshmitarët e rëndomtë.

Image
Sulejman Mehazi

“Procesi i Gjykatës Speciale ndaj ish-eprorëve të UÇK-së; Thaçit, Haradinajt, Selimit e Krasniqit do jetë goxha i gjatë, i ndërlikuar e i rëndë, prandaj mund të zgjatë me vite e me vite për shkak se ky proces ndaj komandantëve politikë të Kosovës, si vërehet, është zinxhirorë që nga krerët më të lartë ushtarakë të UÇK-së e deri te dëshmitarët e rëndomtë. Kjo shihej që më parë me anë të intervistave të njëpasnjëshme të Thaçit, Veselit, Ali Ahmetit, Krasniqit e radhazi para kësaj gjykate fantome”, ka deklaruar Mehazi.

Se a do zbardhet e vërteta rreth vrasjeve të ish-zyrtarëve të LDK-së, sipas profesorit, krejt kjo do të varet nga serioziteti i Speciales, gjë për të cilën shprehet skeptik Mehazi.

“Nëse kjo Gjykatë Speciale do të jetë serioze, e që ne jemi skeptik, atëherë jo që do zbulohen edhe vrasjet e ish-zyrtarëve të LDK-së, po edhe shumë vrasje tjera të fshehta që do jenë shumë befasuese dhe për vet popullatën e Kosovës. Aktakuzat e ish-eprorëve të UÇK-së me anë dëshmive do shpërthejnë edhe përtej kufijve të Kosovës e do dalin edhe në Serbi, jo rastësisht Vuçiqi kërcënon Kosovën për të humbur gjurmët e krimeve serbe para Gjykatës Speciale”, tha ai.

Kurse, me tej nënvizon se ky proces edhe pse ka filluar brenda kufijve administrativ të Kosovës, do të vazhdojë dhe do të përfundojë e anë të aktakuzave e dënimeve të eprorëve policorë e ushtarake serb të ardhur nga Serbia në Kosovë.

“Është e pamundur që aktakuzat e krerëve më të lartë të ish-UÇK-së, mos të kenë lidhshmëri me krimet vrastare e të përdhunuara serbe ndaj popullatës civile të Kosovës. Procesi fillestar i aktakuzave të Gjykatës Speciale nisi brenda kufijve administrativ të Kosovës ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, kurse më vonë ky proces gjyqësor do përfundojë me anë të aktakuzave e dënimeve të eprorëve policorë e ushtarake serb të ardhur nga Serbia në Kosovë”, nënvizon profesori.

Krejt në fund, Mehazi thekson se Gjykata Speciale padyshim do të ketë punë edhe me ushtarakët shtetëror serbë, të ardhur në Kosovë për të vrarë e bërë krime të papara e të padëgjuara më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat