Masat e reja fatale për ekonominë

Politika

Masat e reja fatale për ekonominë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 nëntor 2020 Në ora: 08:27
Qeveria Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar masat e reja anti-covid dhe ka bërë të ditur se masat e reja do të vlejnë për tërë territorin e Kosovës.

Hoti ka bërë kategorizimin e komunave, varësisht numrit të personave të infektuar. Hoti njoftoi se komunat do të jenë të kategorizuara: Zona e kuqe (rrezik i lartë), zona e verdhë (rrezik mesatar), dhe zona e gjelbër (rrezik i ulët).

Por analistët politik vlerësojnë se masat e miratuara nga Qeveria janë të ashpra dhe të pa studiuara mirë. Sipas tyre, masat nuk janë kriteri që duhet të përdoret nga qeveria, të paktën jo derisa të miratohet pakoja për ndihmë ekonomike për bizneset, pasi kjo gjendje do të jetë fatale për ekonominë.

Haziri: Masat janë të ashpra që nuk do t’i dëshironte askush, madje as vet edhe kryeministri Hoti

Analisti politik Nexhat Haziri ka thënë se masat nga Qeveria janë të ashpra, që nuk do t’i dëshironte askush, madje as vet edhe kryeministri Hoti.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, këto masa janë imponim i situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, si  edhe nga vet neglizhenca e qytetarëve për t’i respektuar masat, e sidomos një pjesë e bizneseve. 

“Unë e shohë se deri sa numri i të infektuarave çdo ditë rritet duke iu ofruar shifrës prej 1000 të infektuarve. Andaj numri i madh i të vdekurave dhe kapacitete e vogla të spitaleve për tu përballë më paciente, janë të gjithë këta faktor që kanë shtyrë qeverinë për të marrë vendime të tilla të cilat nuk janë popullore, por siç e thashë edhe më parë të domosdoshme. Andaj dua të besoj në një vetëdije të lartë të qytetarëve që ti respektojnë masat, të cilat janë në të mirë të shëndetit tonë”, ka thënë analisti politik Nexhat Haziri.

Jashari: Masat e kufizimeve nga Qeveria janë të ashpra

Analisti politik Shemsi Jashari ka thënë se  masat e paraqitura sot nga Qeveria janë të ashpra dhe të pa studiuara mirë dhe nuk paraqesin gjendjen reale të situatës me pandemi.

Image
Shemsi Jashari

Madje sipas tij, ende nuk ka një analizë të saktë për numrin e të testuarve nga secila komunë dhe shkaktari i vërtetë i përhapjes së "Covid 19", ndarja në zona sipas komunave është e pakuptimtë sidomos nëse i referohemi Prishtinë si kryeqytet.

“Në qoftë se një numër i madh i të infektuarve janë zyrtar publik që punojnë në institucione publike, s’ka kuptim ora policore prej orës 19:00. Pasi ata të shkojnë në shtëpi dhe tërë ditë janë sjellë në qytet!! Sipas kritereve të qeverisë, inkurajohen komunat të mos bëjnë shumë testime dhe rrjedhimisht edhe të mos ketë kufizime. Në qoftë se Komunat i ndërkrejnë testimet dhe ndalon laboratorët private, atëherë brenda javës do të jenë në zonën e gjelbër sepse nuk do të ketë raste pozitive”, ka thënë analisti politik Shemsi Jashari.

Ai konsideron se rastet pozitive si përqindje e testimeve janë të njëjta në krejt Kosovën dhe se është normale se koncentrimi i qytetarëve për të bërë testime në Prishtinë nga të gjitha komunat, për shkak të besimit ne shërbim bënë që komuna e Prishtinës të dal me shumë raste ditore.

“Ky nuk është kriteri që duhet të përdoret nga qeveria. Të paktën jo derisa të miratohet pakoja për ndihmë ekonomike për bizneset sepse do të jetë fatale për ekonominë”, ka thënë analisti politik Shemsi Jashari.

Meha: Rritja rasteve të reja të infektimeve kërkon ndërmarrjen e masave nga qeveria

Por ndryshe mendon analisti politik Xhevat Meha, pasi sipas tij rritja në numra e rasteve të reja të infektimeve domosdoshmërisht kërkon ndërmarrjen e masave nga qeveria. 

Image
Xhevat Meha

“Masat duhet të jenë të bazuara sigurisht në këshillat nga ISHPK. Masat e mbylljes jo se janë të përjashtuara, mirëpo do të duhej të ishin diku si të fundit. Nuk po shihet se qeveria ka ndërmarrë më herët masa të duhura preventive të cilat do të kishin ndikuar në mbajtjen nën kontroll të pandemisë”, ka thënë analisti Meha.

Sipas tij, masat e rrepta administrative japin efektet e veta, mirëpo kushtueshmëria është e lartë. 

“Masat e vështira horizontalisht janë me preventivë dhe japin efekte me kushtueshmëri më të vogël. Edhe masat e rrepta kur merren si këto nga qeveria mund të hasin në kundërshtime e mos dëgjueshmëri qytetare. Kjo shumë lehtë mund të ndodh për faktin se kjo qeveri nuk ka përkrahjen dhe besimin e duhur qytetar, dhe për këtë qeveria duhet të jetë e vetëdijshme”, ka thënë analisti politik Xhevat Meha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat