E pabesueshme por e vërtetë! Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike për herën e dhjetë në Kuvend, a do të votohet?

Politika

E pabesueshme por e vërtetë! Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike për herën e dhjetë në Kuvend, a do të votohet?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 14 nëntor 2020 Në ora: 13:05
Avdullah Hoti

Qeveria e Kosovës pritet që ta dërgoj për herë të dhjetë Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike në Kuvend, pasi për nëntë herë radhazi ka dështuar, nga mungesa e kuorumit.

Pas seancës së mbajtur në këtë javë, Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka hedhur fajin nga Lista Serbe, e cila nuk shfaqet në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kemi problem me partitë shqiptare në Kuvend, nuk po vjen Lista Serbe në seancë. Mbetet të koordinohet me të gjitha palët dhe të shohim se kur është me e përshtatshme të mbahet një seancë e suksesshme. Duhet të mbahet një seancë e suksesshme, sepse qytetarët e Kosovës po përballen me një krizë ekonomike”, ka deklaruar Gashi para mediave

Si duhet Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës  po qëndron  në “patericë”.

Nga opozita shprehen se kalimi i Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike është përgjegjësi  totale e pozitës. Ndërsa, ekspertët shprehën se de fakto Qeveria Hoti ka rënë.

Deputetja e LVV-së: Pozita mbanë përgjegjësi për mos kalimin e ligjit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Murtezi Demi, në një prononcim për “Bota sot”, ka bërë të qartë se mos kalimi i këtij ligji është përgjegjësi e pozitës.

Image
Labinotë Murtezi Demi

“Mos kalimi i Ligjit të ashtuquajtur për rimëkëmbje ekonomike është përgjegjësi e pozitës, respektivisht papërgjegjësi totale e saj për ta kaluar”, ka thënë ajo.

Po ashtu, deputetja e VV-së ka thënë se problemi i dytë është mungesa e votave të pozitës në Kuvend

“Duke mos qenë fillimisht në shërbim të rimëkëmbjes së mirëfilltë ekonomike, problemi i dytë është mungesa e minimumit të votave të pozitës në Kuvend”, ka theksuar ajo.

Gjithashtu, Murtezi Demi ka shtuar se Vetëvendosje i ka dhënë vërejtët e saj në komisionin për buxhet, duke i shpjeguar në detaje mungesat esenciale në Ligj.

“Ne si Lëvizje kemi dhënë vërejtjet tona në komisionin për buxhet, ku është trajtuar ligji, poashtu në seancën plenare kur ka kaluar pas shumë tentativave në lexim të parë. Kemi shpjeguar me detaje mungesat esenciale në Ligj, si dhe mos efikasitetin e tij karshi kërkesave dhe nevojave qytetare dhe atyre të bizneseve”, ka deklaruar deputetja e VV-së.

Ajo ka ripërsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje se Qeveria e udhëhequr nga Hoti duhet të rrëzohet.

“Ne vazhdojmë të mendojmë se kjo qeveri duhet rrëzuar sa më parë, për t’ia ndërruar kahjen qeverisjes se mbrapshte dhe për t’u dhënë fund skandaleve të njëpasnjëshme të saj”, ka ritheksuar deputetja Murtezi Demi.

Ahmeti kërkon dorëheqjen e Qeverisë

Ndërkaq, sipas analistit politik, Hidajet Ahmeti, Qeveria e Kosovës ka rënë, pasi nuk ka fuqi politike për t’i shtyrë përpara  çështjet me rëndësi.

Image
Hidajet Ahmeti

“De fakto qeveria Hoti ka rënë, pasi nuk ka fuqi politike për t’i shtyrë përpara  çështjet me rëndësi publike. Mendoj se, një qeveri e cila së paku ka shumicën e thjeshtë në parlament e nuk mundet të kaloj projektligje  si ky për rimëkëmbje ekonomike duhet të dorëhiqet, pasi nuk është seriozë e as e sinqertë  të bëhen bllokada institucionale me arsyetime të kota”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai shprehtë se Qeveria duhet të jap dorëheqje, pasi që nuk ka argument racional për të drejtuar gishtin kah opozita e Lista serbe.

“Në demokracitë parlamentare legjitimiteti politik matet me votë dhe fuqinë e politike në parlament për të impelementuar politikat programore të saj, në rastin e kundërt nuk arsye të qeverisë apo të thirret në shumicën parlamentare. Dorëheqja është akti me racional që duhet të bëjë qeveri, pasi nuk ka asnjë argument racional për të drejtuar gishtin kah opozita e Lista serbe, pasi kjo e fundit dihet botërisht që është dorë e zgjatur e Serbisë”, ka potencuar Ahmeti.

Më tej, ai shprehet se Qeveria Hoti ka nuk ka qenë aspak racionale që nga formimi i saj dhe se nuk duhet të qëndrojë në pushtet duke u arsyetuar në mënyrën më absurd të mundshme.

“Qeveria Hoti nuk ka qenë aspak racionale që nga formimi i saj, pasi hyri në aventura politike të varësisë nga Lista serbe dhe dekretoj njerëz si ish presidenti Thaçi për t’ia bërë votat kësaj qeverie të interesave të ngushta të partive që kanë qeverisur që nga paslufta. Akti më i mirë për këtë qeveri të pakicës kish qenë dorëheqja e jo dorëzimi duke qëndruar në pushtet e duke u arsyetuar në mënyrën më absurd të mundshme”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat