Paraqitjet e para në Speciale, ish-ushtaraku i njohur ‘trondit’: Ata që do të dënohen për vrasjen e shqiptarëve do të jenë faqja e zezë

Politika

Paraqitjet e para në Speciale, ish-ushtaraku i njohur ‘trondit’: Ata që do të dënohen për vrasjen e shqiptarëve do të jenë faqja e zezë

Nga: N. H Më: 15 nëntor 2020 Në ora: 08:30
Foto ilustrim nga “Bota sot”

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – po hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjatë kësaj jave u mbajtën edhe seancat e para kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Gjithë ish-krerët e UÇK-së u deklaruan njëzëri si të pafajshëm ndaj të gjitha pikave të aktakuzës.

Për të komentuar paraqitjet e para të Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar Saim Tahiraj, një nga njerëzit më të afërt të ish-ministrit të parë të mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, i vrarë në rrethana të pasqaruara.

Ish-ushtaraku Saim Tahiraj, ka thënë për “Bota sot”, se fillimi i punës konkrete nga ana e Gjykatës Speciale me ngritjen e aktakuzave dhe fillimin e arrestimeve të para, është një fillim i mbarë për drejtësisë në Kosovë.

Gjersa, në këtë bisedë të gjatë ka theksuar se ata që do të dënohen për vrasjen e shqiptarëve nga ana e Gjykatës Speciale, do të jenë faqja e zezë e Kosovës.

Image
Saim Tahiraj

“E them këtë për faktin se tani e njëzet vite shoqëria dhe shteti i Kosovës merret me këtë problematikë vetëm në aspektin spekulativ, pa qenë në gjendje të merren organet përkatëse të drejtësisë. Sulmojnë njeri-tjetrin shqiptarët me epitetet më të rënda; vrasës, kriminel, tradhtar e shumë të tjera. Këto sulme rrisin intensitetin e tyre në fushata elektorale, duke i përdorur pandershmërisht për përfitime politike tragjeditë e shumë familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre në ato vrasje politike. Themelimi i Gjykatës Speciale ishte domosdoshmëri e kohës sepse drejtësia në Kosovë humbi çdo kuptim që lidhej me drejtësinë. Ajo mund të ishte çdo gjë por vetëm drejtësi jo. Shumë familjarë kërkojnë drejtësi tani e njëzet vite dhe nuk morën përgjigje asnjëherë”, ka thënë Tahiraj, për gazetën “Bota sot”.

Ai konsideron se me fillimin e punës së kësaj gjykate, në Kosova tashmë ka filluar një kapitull i ri në drejtësinë e vendit, ku, sipas tij, shumë familjarë kanë drejtuar sytë drejtë saj.

“Shumë familjarë me të drejtë kanë mbështetur shpresën e fundit ku do vendoset drejtësia për ta. Deri sa pushtetet janë të ndara me kushtetutën e Kosovës duhet lejuar që kjo gjykatë të veprojë pa presione të çfarë do natyre qofshin ato. Edhe pse kjo gjykatë u votua nga Parlamenti i Kosovës dhe punon dhe vepron me ligjet e Kosovës, çuditërisht që nga arrestimet e para ka filluar një fushatë e pa parë kundër saj. Shumë figura të larta politike, nga të gjitha partitë politike kanë hedhur sulme të papara kundër kësaj gjykate, duke e quajtur raciste se po gjykon vetëm shqiptaret, se është e ndikuar nga Serbia e shumë fyerje të tjera”, deklaron ai.

Kurse, sa i përket zërave që deklarojnë se Specialja ka lidhje me Serbinë, Tahiraj ka një përgjigje të fortë, ku shprehet se kjo gjykatë nuk ka lidhje aspak me këtë shtet.

“Kjo gjykatë është e Kosovës dhe e askujt tjetër, nuk ka lidhje me Serbinë. Fajet tona dhe mos punën tonë nuk guxojmë të ja hedhim askujt. Pse ne si shtet dhe si shoqëri nuk i hetuam dhe gjykuam të gjitha ato vrasje me motive politike dhe motive tjera. Pse ne me gjithë ata prokurorë, gjykatës, avokatë, juristë, shoqata dhe institucione nuk ishin në gjendje të mbledhin fakte dhe të përgatisim dosje për të gjitha ato vrasje, masakra, dhunime dhe t’i padisim kriminelët serbë po në këtë gjykatë. Kush na ndaloi ta bëjmë një gjë të tillë. Askush. vetëm ne e bllokuam vetveten. Atëherë pse duhet ta akuzojmë dike tjetër për fajet tona. Të gjithë të akuzuarit që po akuzohen dhe të tjerët që do akuzohen për vrasjen e serbëve, do jenë në mbështetje të fuqishme morale dhe çfarë do mbështetje që kërkohet për ta”, tha më tej Tahiraj.

Ai shprehet se gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë kishte për qëllim shfarosjen e plotë të popullit shqiptar, andaj, sipas ish-ushtarakut të njohur, çdo veprim luftarak i cilit do ushtarë të UÇK-së, ndaj cilës do kategorie njerëzore të serbëve është i arsyeshëm dhe do e kenë mbështetjen e tyre.

“Të gjitha vrasjet e serbëve që kanë ndodhur në Kosovë, të çfarëdo natyre qofshin ato, do i arsyetoj plotësisht sepse kanë qenë si një kundër reaksion i fuqishëm ndaj të gjitha atyre masakrave, duke mos i kursyer ase edhe 1432 fëmijë, dhunimeve të rreth 60.000 motrave dhe nënave tona. Ky gjenocid Serb, i cili nuk ishte i pari, kishte për qëllim shfarosjen e plotë të popullit shqiptar, andaj çdo veprim luftarak i cilit do ushtarë të UÇK-së, ndaj cilës do kategorie njerëzore të serbëve është i arsyeshëm dhe do e kenë mbështetjen tonë. Kjo gjë nuk vlen për vrasjet politike që bënë ndaj vijës institucional të udhëhequr nga presidenti Rugova. Pikërisht këtu duhet të bëhet dallimi substancial dhe mos të ngatërrohen me vrasjet e serbëve”, shprehet ish-ushtaraku.

Kurse, lidhur me vrasjet politike të shqiptarëve, Tahiraj është i mendimit se ata të cilët do të dënohen për këto vrasje do jenë figurat që do të urrehen më së shumti nga popullata shumicë e shqiptarëve kudo që janë.

“Të gjithë ata që do gjykohen dhe dënohen për vrasjet politike të shqiptarëve do jenë figurat më të urrejtura nga popullata shumicë e shqiptarëve kudo janë. Shpresoj shumë se Gjykata Speciale do merret seriozisht edhe me vrasjet politike të shumë figurave udhëheqëse të LDK-së, drejtuesve institucional dhe ushtarakëve të Ministrisë së Mbrotjes. Pa zbardhjen e të gjitha këtyre vrasjeve kriminale liria e Kosovës nuk do jetë e plotë. Nëse Gjykata Speciale nuk i trajton të gjitha këto raste dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar, kredibiliteti i saj do vije në një pikëpyetje të madhe. Të gjithë liderët e partive politike dhe politikan në Kosovë duhet t’i ndërpresin deklaratat e tyre me akuza të pa baza ndaj kësaj gjykate. Të gjitha televizionet dhe mjetet tjera të informimit duhet urgjentisht t’i ndërpresin këto fushata propagandistike absurde dhe të pabazuar kundër kësaj gjykate. Drejtësi kemi kërkuar qe njëzetë vite, tani ajo filloj, andaj ta lëmë të qetë, pa ndërhyrje dhe presione të zhvillohet ajo”, ka deklaruar ish-bashkëpunëtori i kolonel Krasniqit.

Kurse, duke i komentuar paraqitjet e para të Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit para Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Tahiraj thekson se nuk i kanë bërë aspak përshtypje, gjersa me tej nënvizon se ata gjë do dënohen për vrasjen e shqiptarëve do jenë humbësit më të mëdhenj dhe natyrisht do jenë turpi dhe faqja e zezë.

“Paraqitja e të akuzuarve para gjykate nuk më bëri fare përshtypje edhe pse në Kosovë i dhanë pompozitet të madh. Mu më intereson epilogu përfundimtarë i procesit gjyqësor. Ata që do lirohen të pafajshëm do jenë fituesit më të mëdhenj dhe natyrisht nderë dhe krenari për Kosovën. Ata gjë do dënohen për vrasjen e shqiptarëve do jenë humbësit më të mëdhenj dhe natyrisht do jenë turpi dhe faqja e zezë për mbarë kombin shqiptarë. Gjithmonë pa e paragjykuar verdiktin përfundimtarë të gjykatës”, tha në fund ish-ushtaraku Saim Tahiraj, për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat