‘Qeveria “Hoti” i ka ditët e numëruara’

Politika

‘Qeveria “Hoti” i ka ditët e numëruara’

Nga: D.B. Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 16:13
Qeveria Hoti

Në lidhje me atë se çfarë po ndodhë me koalicionin qeveritarë dhe se a po shkon drejt rrëzimit Qeveria, pas përçarjes së partive të koalicionit e në këtë rast edhe Lista Serbe ka dal kundër Qeverisë Hoti, analisti politik Rexhep Elezaj ka thënë se kur një punë ose veprim ndërtohet mbi baza të kalbura dhe inate politike, siç veproi Isa Mustafa me LDK-në e tij ndaj qeverisë “Kurti”, duke bërë paraprakisht koalicion bashkë-qeverisës me të, kryekëput me hile dhe tradhti, duke ia ngritur mocionin e mosbesimit partnerit qeverisës.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se LVV-je, ishte një qeveri e cila u rrëzua me tradhti nga vetë LDK-ja dhe kreu i saj nihilist, pas vetëm 52 ditësh qeverisjeje.

Image
Rexhep Elezaj

“Kjo dëshmon qartë se me veprime hileqare nuk mund të arrihen kurrfarë rezultatesh në pushtet, sado që atyre në LDK po iu duken si sukses. Sepse, vetë dështimet në teren po tregojnë çdo ditë, se pas vetëm 5 muajve qeverisjeje të LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, fundi i kësaj qeverie veçse ka ardhur. Pa hyrë në detaje lidhur me ecurinë politike dhe juridike se kush dhe si u formua qeveria “Hoti”, ngase janë të njohura për opinionin kosovarë lojërat dhe manipulimi politik midis Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, kur për formimin e qeverisë pas rrëzimit të asaj “Kurti”. LDK-ja e mori mandatin nga presidenti për formimin e saj, ani se ishte parti e dytë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, duke e shkelur Nenin 85 Pika 5 të Kushtetutës së vendit”, ka thënë analisti Elezaj.

Sipas tij,kjo gjë flet qartë se një qeveri me konstrukt të arnuar si dhe forcë të brishtë politike, jetën dhe veprimin e saj nuk mund ta ketë të gjatë, e të mos flasim për rezultatet e saja për këta 5 muaj të cilat janë barazi me zero.

“E them këtë, sepse këtu mund të numërohen me dhjetëra huqe dhe dështime të qeverisë xhuxhe të Avdullah Hotit, ndonëse për to i kanë dhënë vlerësimet e tyre, shumë analist dhe ekspert të fushave të ndryshme, sidomos për dështimet në fushën e zhvillimit ekonomik dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19. Kjo fushë ka dështuar plotësisht në realizimin e premtimeve të saja, mbase, madje të dëgjuara nga goja e një kryeministri që mburret se është edhe profesor i ekonomisë..!? Nuk duhet harruar këtu as faktin, se edhe partnerët e koalicionit, AAK-ja dhe NISMA janë fajtore po aq sa edhe kryeministri Avdullah Hoti, për dështimin e funksionimit të kësaj qeverie minore, sepse të dalësh me kërkesa famoze për t’u bërë me zor president i vendit, siç po e kushtëzon koalicionin qeverisës Ramush Haradinaj, o unë president, o prishet koalicioni, janë vërtetë sjellje politike arrogante të llojit të vet, dhe mbase ky qëndrim i tij tregon se koalicioni aktual qeverisës nuk e ka pas dertin e interesave të shtetit të Kosovës, por ekskluzivisht lakminë dhe interesat personale karrieriste”, ka thënë Elezaj.

Ai konsideron se si qeveri e dobët, ose siç i thonë, qeveri koti, ajo nuk mund të qëndronte më gjatë në pushtet, e lere më të flasim për rezultate, duke mos i harruar përçarjet dhe polarizimet ekstreme politike dhe partiake.

“Sa i përket “Listës serbe” mendoj se nuk duhet humbur shumë kohë lidhur me qëndrimet e saj, kur dihet mirëfilli se çdo veprim i saj/tyre (deputetëve serbë), qoftë kur pranojnë të hyjnë në qeverisje ose kur vendosin të dalin nga ajo, bëhet ekskluzivisht në koordinim me Beogradin zyrtar si dhe për interesa të tyre, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në Ballkan. Tanimë pas fitore së Joe Biden në zgjedhjet amerikane me 3 nëntor, si dhe pas arrestimeve të ish krerëve të UÇK-së nga Gjykata speciale, pa dyshim, se edhe në Kosovë kanë ndryshuar edhe rrjedhat politike, por edhe më gjerë në Ballkanin perëndimorë, kështu që dalja e saj nga qeveria “Hoti” nuk e befason askënd. Qeveria “Hoti” i ka ditët e numëruara, andaj organet tona shtetërore duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me kusht që mos të rrezikohet edhe më shumë gjendja e pandemisë Korona në Kosovë, që sipas mendimit tim më së miri do ishte që zgjedhjet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, komfor marrëveshje së arritur qysh tani midis të gjitha subjekteve politike dhe partiake në Kosovë”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat