“Fundi i Aleksandër Vuçiqit”, profesori tregon pse e kërcënoi Kosovën

Politika

“Fundi i Aleksandër Vuçiqit”, profesori tregon pse e kërcënoi Kosovën

Nga: P.R Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 18:58
Aleksandër Vuçiq

Profesor, doktor Enver Bytyçi ka folur për gazetën “Bota sot” lidhur me kërcënimet e presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se në rajon mund të shpërthejë një luftë e re, nëse nuk zgjidhet situata mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vuçiç jeton në pugatorin e ferrit! Vuçiç është mësuar të bëjë deklarata lufte e pastaj të tërhiqet në stilin e paraardhësve të tij, duke përsëritur refrenin historik të diskursit në politikën serbe “Jo, jo, ishte keqkuptim”! Kushdo që njeh historinë e Serbisë moderne, por edhe më parë, kupton se udhëheqësit e Beogradit operojnë me formulën e provokimit. Pastaj tërhiqen, pastaj provokojnë prapë, derisa ta arrijnë qëllimin që kanë në objektiv. Në rastin konkret ai provokoi me ngjarjet në Azerbajxhan, sepse Nagorni Karabaku është pjesë e Azerbajxhanit, jo i Armenisë”, thotë profesor Bytyçi.

Sipas tij, ky është edhe një provokim i radhës nga Aleksandër Vuçiq.

Image
Enver Bytyçi

“Me Nagorni Karabakun Vuçiç vendosi paralelen e Kosovës së Veriut. Ai provokoi, duke tentuar të përkujtojë se vjen një ditë dhe Serbia, nëse konflikti do të mbetet i ngrirë, të ndërhyjë dhe t’ia bashkojë veriun e Mitrovicës shtetit të vet. Presion, asgjë më shumë, sepse pas dhjetë apo njëzet vitesh askush nuk e di se sa e fuqishme është Serbia dhe si janë ekuilibrat gjeopolitikë. Sipas Vuçiq, Serbia duhet ta zgjidhë sot konfliktin në Kosovë, sepse më vonë Serbia do të jetë më e dobët. Kështu ka predikuar ai vazhdimisht. Pas këtij predikimi na del papritur si gjeli në majë të plehut dhe përplas krahët. Pastaj vjen tërheqja në stilin “Më keqkuptuat”!”, shprehet ai për “Bota sot”.

Profesor Bytyçi hedhë akuza dhe kritika edhe ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Vetëm Edi Rama nuk e keqkupton, përkundrazi e mirëkupton. Ndryshe do të kishte reaguar dhe do ta kishte denoncuar një mendësi të tillë që Vuçiq shfaqi. Nëse do të fliste me të njëjtën gjuhë kreu i opozitës shqiptare, Rama do ishte hedh përpjetë si zorra në prush. Pse nuk reagoi ndaj deklaratës së Vuçiq atëherë? Sepse me opozitën ka problem pushtetin, me Vuçiq, siç ka thënë vetë, ka zero probleme. Nuk është problem i Ramës nëse presidenti i Serbisë projekton një Kosovo-Metohi brenda sovranitetit serb dhe e detyron qeverinë e tij të betohet me këtë formulë. Nuk ka problem, nëse ai kërcënon Kosovën me luftë! Nuk e ka problem edhe nëse ai anekson gjysmën e territorit të Kosovës. Të gjitha këto, sepse ata të dy janë marrë vesh, kanë bërë ujdi. Prandaj Vuçiç i ka duart e lira për Ramën në Kosovë”.

“Kjo sjellje e Edi Ramës në fakt i bën dëm Aleksandër Vuçiç, sepse e mban atë gjatë në purgatorin e ferrit. Për presidentin serb është mirë të shkojë në ferr sa më shpejt, sesa të qëndrojë në purgatorin e tij e të presë me muaj e vite derisa të merret vendimi i duhur për të. Miqësia me Ramën e jep shpresë se do të dalë prej andej. Por në fakt kjo miqësi vetëm se e zgjat agoninë e tij”, thekson Bytyçi.

Më tej, Bytyçi shton se Aleksandër Vuçiq e di se i ka ardhur fundi, duke shtuar se Serbia nuk ka asnjë shans të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë.

“Purgatori i ferrit të Vuçiq lidhet me pozicionin që ai mban, as Lindje, as Perëndim. Logjikë tipike e vitit 1989-1990 e Ramiz Alisë në Shqipëri. Në këtë kuptim krahasimi i statuosë së Kosovës me Nagroni Karabakun ndoshta ishte një paralajmërim për Rusinë. Sepse në Nagrni Karabak u mund koncepti dhe mbështetja ruse ndaj Armenisë dhe fitoi koncepti azer me ndihmën e Turqisë. Vuçiç donte t’i jepte një mesazh gjithashtu Kremlinit. Duhet marrë në konsideratë se për këtë ka ndikuar fitorja e Biden në SHBA. Në kushtet e reja, Vuçiç duket se dëshiron t’i drejtohet Moskës për ndihmë. I papreshpresë dhe në purgatorin e ferrit presidenti i Serbisë e ndjen se i ka ardhur fundi. Fundi i Hashim Thaçit ishte paralajmërim edhe për Aleksandër Vuçiçin dhe Edi Ramën. Prandaj dhe skena politike në Kosovë nuk ka pse reagon me ndonjë shqetësim të theksuar. Serbia nuk ka asnjë shans të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë dhe në asnjë vend tjetër. Duhet ruajtur nga ndikimi i tij në Kosovë, por jo nga ndonjë sulm, me të cilin presidenti serb provokon”, deklaron Bytyçi.

“Madje duhet kujdes: Kur Vuçiç flet për aksion ushtarak, ai përgatit ndonjë kurth dhe intrigë të re kundër Kosovës. Me deklarata lufte thjesht tërheq vëmendjen, me qëllim që askush të mos shikojë merimangën e intrigës së tij të radhës. Ndaj nuk ka nevojë për reagime emocionale, as për netë pa gjumë. NATO është në Kosovë dhe askush nuk guxon të hyjë në konflikt me Aleancën Atlantike”, përfundon për gazetën “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat