Kërkoi mbrojtjen e Thaçit, Veselit, Selimit... Kurtit i vjen reagimi i ashpër – Ja vrasjet që i legjitimon

Politika

Kërkoi mbrojtjen e Thaçit, Veselit, Selimit... Kurtit i vjen reagimi i ashpër – Ja vrasjet që i legjitimon

Nga: P.R Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 19:19
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Dikur i drejtohej me thirrjet “Shko Hashim”, ndërsa tash lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kërkoi nga shteti i Kosovës që të organizojë mbrojtjen e të akuzuarve, në mesin e të cilëve është edhe Hashim Thaçi.

“Jo çmimin e lirisë por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani. Gjykata Speciale është e një anshme ndaj UÇK-së si palë ndërluftuese dhe ndaj neve si shqiptarë. Prokuroria Speciale po e konsideron një pjesë të UÇK-së si pjesë kriminale, thua se kemi pasë edhe UÇK edhe ndërmarrje të përbashkët aty, prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë kriminale. UÇK kishte shtab të përgjithshëm e strukturë deri tek brigadat. Lajmi se kishte strukturë kriminale nuk është i vërtetë. Kjo prokurori do duhej të thoshte se nga kjo ndërmarrje të përbashkët kriminale kishte edhe qëllim paralel, sepse nuk mund të ketë ndërmarrje paralele pa qëllim paralel. Çlirimi ishte qëllimi e jo fitimi i kontrollit. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e koordinojë mbrojtjen e të pandehurve, ata kanë avokatë por nevojitet bashkërendim. UÇK ishte e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojnë atë e sidomos Qeveria.”, deklaroi Kurti.

E këtë veprim të Kurtit, analisti politik Nexhat Haziri, e ka quajtur një ri pozicionim të liderit të Vetëvendosjes.

Image
Nexhat Haziri

“Dikur po i njëjti kërkonte "Gijotinë" për kokat e tyre, sot i paska pikë "rahmeti" e po kërkon mbrojtjen e tyre dhe kjo tregon hipokrizinë e Albin Kurtit, dhe kjo deklaratë e tij është më shumë për ri pozicionimin e të tij në këtë eufori të një patriotizmi të shpifur, se sa që Kurti ka një dhembshuri për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, me përjashtim të Rexhep Selimit”, thotë Selimi.

Sipas tij, kjo është edhe një dëshmi se Kurti nuk dallon me ish presidentin, Hashim Thaçi.

“Përtej kësaj, Kurti me deklarata të tillë vërteton edhe një herë se sa i përket sistemit të drejtësisë, nuk dallon as nga Thaçi, Veseli e Haradinaj, pasi të tillët, sapo të arrijnë në pushtet, sistemin e drejtësisë e shohin vetëm si një mundësi hakmarrje ndaj oponentëve politik gjoja në emër të zbatimit të ligjit, dhe drejtësia duhet të zbatohet vetëm aq sa duan dhe iu nevojitet këtyre lloj politikanësh si Kurti dhe të tjerët”, thekson Haziri.

Për fund, Haziri thotë se kërkesa e Kurtit legjitimon të gjitha vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Kjo kërkesë e Kurtit poashtu do ta legjitimonte vrasjen e Enver Malokut, Behajdin Allaqit, Ilir Konushevcit, Kol. Ahmet Krasniqit, Ismet Rrahmanit, Ismail Berbatovcit, Komandant Drinit, Haki Imerit, Xhemajl Mustafes, Shefki Popoves, Shaban Manajt, Smajl Hajdaraj, Ismet Racit, Bekim Kastratit, Besim Dajakut, Kol. Tahir Zemes, etj, etj, por edhe viktimave te tjera civile, pa marr parasysh nacionalitetin e tyre. Një mbrojtje e tillë nga shteti ashtu siç ka kërkuar Kurti, është e dëmshme për Kosovën dhe do të cilësohej si ndërhyrje e drejtë për drejtë në institucionet e pavarura të drejtësisë, siç është Gjykata Speciale”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat