Kërcënimet e Haradinajt, vjen parashikimi i analistit: “Presidenti është mollë sherri mes LDK-së e AAK-së” – ja gabimi fatal për Kosovën!

Politika

Kërcënimet e Haradinajt, vjen parashikimi i analistit: “Presidenti është mollë sherri mes LDK-së e AAK-së” – ja gabimi fatal për Kosovën!

Nga: G.B Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 20:46
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Posti i presidentit vazhdon të jetë aktual dhe mjaft i diskutuar. Për këtë post është kërcënuar edhe koalicionin qeverisës nga ana e AAK-së, të cilët duan postin e kreut të shtetit, për liderin e partisë, Ramush Haradinaj.

Por, për këtë duket se nuk ka pajtim nga partitë tjera, derisa është deklaruar se do të shkohet në zgjedhje nëse nuk ka konsensus lidhur me këtë temë.

E sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se kësaj çështje shumë shpejt do të marrë udhë.

“Besoj edhe për këtë çështje shumë shpejtë do të marrë udhë edhe kjo çështje, sapo kanë ndodhur ndryshimet për shkak të akuzave të ngritura, besoj për disa ditë i fillojmë bisedat me spektrin politik për të parë si mund ta tejkalojmë këtë situatë. Rruga kushtetuese është e qartë, unë do të insistoj të përcjellën gjithë hapat kushtetues për gjetjen e zgjidhjes që është më e mira për vendin para se gjithash e jo interesat politike para interesit publik”, tha Hoti.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se çështja e zgjedhjes së presidentit çdo ditë e më shumë po shndërrohet në “Mollë sherri” brenda koalicionit aktual qeverisës

Image
Rexhep Elezaj

"Po, është e vërtetë, se çështja e zgjedhjes së presidentit çdo ditë e më shumë po shndërrohet në “Mollë sherri” brenda koalicionit aktual qeverisës, madje deri në kërcënim nga ana e AAK-së dhe liderit të saj, R. Haradinaj për largim nga qeveria, po që se LDK-ja e Isa Mustafës atij nuk ia garanton votat për t’u zgjedhur president i Kosovës! Mbase, rreth kandidaturës së z. Haradinaj të cilën ai e ka bërë publike qe dy muaj e më shumë, mund të flitet më gjerësisht, se çfarë zori po e shtynë që po insiston që me çdo kusht të bëhet president!?", është shprehur ai.

Sipas Elezajt, duhet ndryshuar ligjin zgjedhor në Kosovë dhe mënyrën për zgjedhjen e presidenti.

"Por po i kthehem pyetjes tuaj të cilën e keni shtruar me vend dhe në kohë të duhur, sepse kjo çështje pa dyshim, në vete ngërthen dilema si dhe pikëpyetje politike, në rend të parë, domosdoshmërinë e ndryshimit në tërësi të Ligjit zgjedhor në Kosovë, dhe dosido kapitullin i cili ka të bëjë me mënyrën e kandidimit si dhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ngase siç po na tregon praktika në këto 20 vite, mënyra aktuale kushtetuese dhe ligjore e zgjedhjes së tij, qëkur Kosova është çliruar, ka qenë jo demokratike, sepse ishte çështje e partive politike e jo e popullit, siç e kanë shumë shtete në botë, duke i sjellë skenës politike dhe raporteve midis partive konflikte dhe përçarje të dëmshme për shtetin dhe qeverisjen e vendit. Këtë që po e them, e ka treguar më së miri rasti i zgjedhjes së presidentit Ibrahim Rugova, rasti i z. Fatmir Sejdiu, ai i Behxhet Pacollit si dhe rasti i fundit tragji-komik i zgjedhjes së H. Thaçit në postin e presidentit të vendit", ka vlerësuar ai.

Ai ka shtuar se do të jetë gabim fatal për Kosovën dhe stabilitetin e saj nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi zgjedhja e presidentit nuk bëhet siç po kërkon AAK dhe Haradinaj.

"Prandaj, shkuarja eventuale e Kosovës në zgjedhje të jashtëzakonshme pa ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe Nenin për zgjedhjen e presidentit, do të jetë një gabim tejet i madh për Kosovën dhe stabilitetit të saj politik, në veçanti imazhin e Kosovës para arenës ndërkombëtare do ta dobësojë edhe më shumë, sepse në asnjë shtet evropian demokratik kandidimi dhe zgjedhja e presidentit nuk bëhet në këtë mënyrë “klandestine” siç po kërkon AAK-ja dhe lideri i saj R. Haradinaj..!?", ka theksuar Rexhep Elezaj për "Bota sot".

Andaj, sipas tij, mënyra më e mirë e zgjedhjes së presidentit është nga populli dhe me kandidatë nga bota shkencore dhe akademike e jo nga partitë politike.

"Për këto shkaqe, jam i bindur se mënyra më e mirë e kandidimit dhe e zgjedhjes së presidentit të Kosovës është që ajo të bëhet direkt nga populli dhe me më shumë kandidatë, ekskluzivisht nga bota shkencore dhe akademike, e jo nga partitë politike të cilat nuk po janë në gjendje me gjete partner por koalicionit pas zgjedhjeve, e lere më të gjejnë konsensus politik për zgjedhjen e një figure e cila do ishte e pranuar për gjitha shijet dhe nebulozat e politikanëve të “sëmurë” nga ambiciet për t’u bërë president i Kosovës", ka deklaruar ai.

Elezaj kujton se LDK ia kishte vënë kusht VV-së që t'ia jap postin e presidentit, para se ta formimin qeverinë por sipas tij, duket se tani Mustafa hoqi dorë nga ky post, pasi u formua Qeveria Hoti.

"Edhe LDK-ja në kohën e bisedimeve me LVV-je pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, për arritjen e marrëveshjes për bashkë qeverisje postin e presidentit ia pati bërë kusht Albin Kurtit që t’i takonte asaj, ngase edhe kishte dalë në opinion me emrin e Isa Mustafës për këtë post, e që për gati një muaj e shtyu nënshkrimin e marrëveshjes midis tyre për ta marrë këtë post, por pas formimit të qeverisë “Hoti” sikur hoqi dorë nga kjo kërkesë në favor të PDK-së, siç ka deklaruar vetë para pak ditëve I. Mustafa, kur tha; “se posti i presidentit i takon PDK-së..” !?", ka thënë Elezaj.

Sipas tij, shihet se partitë, përpos VV-së, do të bëjnë çdo gjë që Vjosa Osmanin ta largojnë nga pozita e U.D e presidentit, andaj zgjidhja mbetet shkuarja në zgjedhje, derisa shton se marsi do të ishte muaji i duhur.

"Kështu që, marrë parasysh të gjitha këto zhvillime, pa e harruar faktin se LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA, do ndërmarrin çdo gjë që znj. Vjosa Osmanin, u.d. së presidentes, sa më shpejt ta largojnë nga kjo pozitë, që siç duket një mundësi e tillë për momentin është shumë e vogël, ndaj varianti i vetëm dhe më i padëshiruari për koalicionin aktual qeverisës mbetet shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, e që faktikisht solucion tjetër edhe nuk iu ka mbetur, veçse kah marsi i vitit të ardhshëm të shkohet në zgjedhje parlamentare, si shpresë e vetme që Kosovës do i sjellin njerëz të ri në pushtet si dhe stabilitet të qëndrueshëm politik", ka përfunduar Rexhep Elezaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat