“Më parë do të kemi koalicion të ri, se zgjedhje të reja”, shuhen shpresat e Vetevendosjes – “zbulohen” arsyet e dështimit të mocionit

Politika

“Më parë do të kemi koalicion të ri, se zgjedhje të reja”, shuhen shpresat e Vetevendosjes – “zbulohen” arsyet e dështimit të mocionit

Nga: A.Morina Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 22:15
Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje tash e disa muaj vazhdimisht po insiston në mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend. Kërkesa e tyre po bëhet mbi arsyen se Qeveria Hoti nuk po arrin të qeverisë vendin në mënyrë të duhur dhe ka dështuar në menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Mirëpo, mungesa e votave për mocionin e mosbesimit, po vazhdon ta mbaj larg Vetëvendosjen nga realizimi i qëllimeve të saj.

Njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli rreth situatës politike në vend, më saktësisht për çështjen e mocionit dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në vend.

Kelmendi tha se rrëzimi i Qeverisë Hoti kërkon vota të caktuara, që sipas tij Vetëvendosja, partia që kërkon me ngulm rrëzimin e saj nuk i ka votat e mjaftueshme.

“Rrëzimi i Qeverisë Hoti kërkon vota të nevojshme. Dhe, pa një bashkëpunim me partitë tjera, për të bërë mocion, nuk mund të shkarkohet qeveria.

Në këtë drejtim VV ka probleme, nuk po arrin të krijoj votat për mocion, pasi nuk po shkon as me PDK-në dhe me asnjë parti tjetër në koalicioni”, u shpreh Kelmendi.

Ai beson se më parë mund të krijohet një koalicion i ri, se sa të mbahen zgjedhje të reja. Ndërsa, pjesë e koalicionit të ri sipas Kelmendit do të jetë Partia Demokratike e Kosovës dhe nga koalicioni aktual do të largohet Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës.

“E ardhmja tregon se më parë do të kemi një koalicion të ri , se zgjedhje. Koalicioni mundet te ndërtohet midis LDK dhe PDK. Në atë koalicion sigurisht do të edhe partitë  tjera, përveç AAK-së. Ky konstalacion mund të bëhet për  President. Natyrisht se LDK e mbanë Qeverinë dhe PDK e merr Presidentin dhe një numër të ministrave në  Qeverinë Hoti, ndoshta edhe një  zëvendësministër. Ky konstalacion është duke u përgatitur  dhe me siguri se edhe kështu do të bëhet”, nënvizoi Kelmendi.

Tutje, ai tregoi edhe arsyet kryesore që Lëvizja Vetëvendosje po insiston në mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend. Mirëpo, dyshon në realizimin e dëshirave të tyre.

“Pse Vetëvendosje kërkon zgjedhje? Kjo është e qartë, janë dy fakte kryesore.

1. VV nuk po mund të rrëzoj Qeverinë Hoti, sepse me të nuk po shkon asnjë parti parlamentare dhe

2. VV mendon se në zgjedhje do te fiton një numër të madh të deputetëve, ndoshta mbi 50%.

A është kështu? Kjo është një  çështje tjetër. Dëshirat mbesin dëshira dhe natyrisht se në  gjendjen e Kosovës është vështirë  të ndodh ashtu”, theksoi Kelmendi, përcjell "Bota sot".

Për fund, ai deklaroi se pavarësisht kërkesave të VV-së, nuk është momenti i duhur për të u mbajtur zgjedhjet në Kosovë.

“Në anën tjetër, në kohën e tashme, është gabim me shku në zgjedhje. Korona virusi është infektim i rëndë dhe vdekjeprurës, prandaj  nuk duhet të shkohet në zgjedhje. Besoj se kështu edhe do të bëhet”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat