‘Kërkesa e Kurtit për mbrojtje të Thaçit, thirrje që viktimat të vriten për së dyti’, veprimtari përmend edhe atentatin ndaj presidentit Rugova

Politika

‘Kërkesa e Kurtit për mbrojtje të Thaçit, thirrje që viktimat të vriten për së dyti’, veprimtari përmend edhe atentatin ndaj presidentit Rugova

Nga: N. H Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 22:42
Albin Kurti, Hashim Thaçi, Xhemajl Mustafa dhe Enver Maloku

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditën e djeshme, përmes një konference për media ka folur mbi arrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale e Hagës.

Sipas Kurtit, arsyetimi i Speciales se kjo ndërmarrje ka ushtruar veprime nga viti 1998 është i pabesueshëm, derisa ka thënë se po të bëhej fjalë për vitet e mëvonshme edhe do të ishte e besueshme.

I parti i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi që Qeveria Hoti të angazhohet për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, kërkese kjo që bëri të ngritën shumë reagime në vend.

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”, foli për kërkesën e Albin Kurtit, të cilën e quajti si diçka të shëmtuar dhe të dëmshme për Kosovën.

Bajraj ka thënë se lideri i VV-së, Albin Kurti, i’u bashkua si në kor, diskursit publik, i cili glorifikon mbrojtjen e krimeve dhe autorëve të tyre, të akuzuar tanimë nga Gjykata Speciale.

Image
Fatmir Bajraj

“Diskursi publik, politik dhe mediatik në Kosovë, në mbrojtje të krimit. Diskursi që promovon skena politike e vendit fatkeqësisht, pas arrestimeve nga Specialja, përjashto LDK-në e cila krijon një distancë të ndjeshme në këtë diskurs abuziv dhe sadist të shumicës së skenës politike në vend dhe kryesisht të vetëquajturit ‘krahu i luftës’, është një narracion publik i shëmtuar, i dëmshëm për Kosovën dhe pse jo edhe i rrezikshëm për fatin e shtetësisë së Kosovës dhe perspektiven euro-perëndimore dhe veri-atlantike. Recidiv të veseve të dëmshme dhe të rrezikshme për vendin, Kurti këtyre ditëve, i’u bashkua si në kor, diskursit publik, i cili glorifikon mbrojtjen e krimeve dhe autorëve të tyre, të akuzuar tanimë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për krimet e pretenduara nga ZPS-ja”, ka thënë Bajraj.

Sipas tij, mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve, është një krim i dyfishtë.

“Zoti Kurti dhe Vetëvendosja e tij, nuk është gjë tjetër veçse një ngjizje e njëjtë e cila vjen nga nëntoka dhe parapolitika, dhe tani në pluralizmin politik të Republikës së Kosovës, herë pas here, kthehet në levë të amës, përkatësisht, PDK-së SHIK-iste. Mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve, krim i dyfishtë. Kërkesa dhe thirrja publike Qeverisë Hoti nga ana e Kurtit, që të merren në mbrojtje shtetërore të akuzuarit e Speciales për krimet e pretenduara; të rënda dhe kundër njerëzimit, është thirrje kriminale ngase projekton pengimin e drejtësisë dhe dëmtimin e viktimave, që i bije; thirrje që viktimat të vriten për së dyti”, konsideron veprimtari i LDK-së.

Bajraj ka deklaruar me tej se në Specialja nuk është UÇK-ja dhe betejat e saja përballë makinerisë ushtarake dhe forcave policore dhe paramilitare të armikut, por se janë vetëm të vetëquajturit udhëheqës dhe drejtues të luftës çlirimtare të ngjizur në një organizëm ilegjitim dhe ilegal me seli në Rogner të Tiranës dhe gjithandej në Evropën perëndimore

“Në bankën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale; Nuk është e drejta e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe të drejta. Nuk është qëllimi dhe synimi ynë për t’u çliruar nga armiku shekullor dhe regjimi i Millosheviqit. Nuk është lufta e jonë e drejtë dhe kauza për lir. Nuk është UÇK-ja dhe betejat e saja përballë makinerisë ushtarake dhe forcave policore dhe paramilitare të armikut. Nuk janë, as ushtarët e UÇK-së për shkak të zhvillimit të ndonjë aksioni ushtarak dhe përballjes në vija fronti, përkundrazi; aty janë, të akuzuarit për krime të rënda, krime kundër njerëzimit dhe pse jo; edhe për vrasjet politike të gjatë dhe pasluftës në Kosovë. Janë të vetëquajturit udhëheqës dhe drejtues të luftës çlirimtare të ngjizur në një organizëm ilegjitim dhe ilegal, i vetëquajturi SHP i UÇK-së, me seli në Rogner të Tiranës dhe gjithandej në Evropën perëndimore, përveç se jo në beteja dhe në vija fronti me armikun. Aty janë, zhvatës të fondeve të luftës, pasurisë nacionale dhe uzurpues të aseteve nacionale pas çlirimit. Aty janë, përvetësues të dhe privatizues të vlerave të luftës; gjakut të dëshmorëve dhe sakrificës sublime të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Aty janë, konstruktorët dhe urdhërdhënësit e vrasjeve politike, e vrasjeve makabre për pushtet me çmimin e vëllavrasjes, duke ekzekutuar pa hak, pa gjyq dhe pas shpine, burrat dhe gratë ma të mira të këtij kombi të cilët punuan, vepruan dhe luftuan për lirinë e truallit dhe pavarësimin e vendit”, ka deklaruar ai.

Bajraj është i mendimit se drejtësia në Kosovë u pengua për vite të tëra, që nga vrasja e Ali Ukës e Ahmet Krasniqit në Tiranë, e deri të tentim-atentati i trefishtë mbi presidentin historik Rugova në Prishtinë.

Ndërsa, është i mendimit se Gjykatën Speciale po ndihmon në zbardhjen e vrasjeve dhe dënimin e autorëve të krimeve që për vite të tëra e tronditen Kosovën.

“Ku ishin këta që sot mbrojnë krimet, kur vriteshin atdhetarët. Pse nuk u zbuluan vrasjet, pse nuk u kapen autorët, pse nuk ndodhi asnjë proces i vetëm gjyqësor për të hedh dritë mbi aktet kriminale, tani e mbi dy dekada ? Kush pengoi drejtësinë në Kosovë. Kush tjetër, përveç urdhërdhënësve dhe konstruktorëve të atyre vrasjeve; që nga Ali Uka e Ahmet Krasniqi në Tiranë, e deri të tentim-atentati i trefishtë mbi presidentin historik Rugova në Prishtinë, numri dhe vargu i të cilëve i kalon treshifrorin. Ata të cilët sot janë në Hagë, dhe shumë tjerë të cilët do duhej t’i shoqërojnë atje, vazhduan me vrasjet ‘enigmatike’ të bashkëpunëtorëve të presidentit historik, Rugova, deri pas vdekjes së tij dhe marrjes së pushtetit me luftën vëllavrasëse dhe në dobi të armikut. Në Hagë dhe në bankën e zezë të Speciales, janë ata të cilët kanë dorë në vrasjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, vrasësit e perspektives së vendit dhe shpresës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, ata të cilët ishin në kapje të shtetit dhe të sistemit të drejtësisë. Çfarë të bëjmë ne si shoqëri dhe shtet dhe çfarë duhet të jetë shërbimi i të akuzuarve nga Specialja. Ta mbështesim drejtësinë, pra Gjykatën Speciale e cila ndihmon zbardhjen e vrasjeve dhe dënimin e autorëve të krimeve, duke lënë dhe braktisë diskursin aktual; publik dhe politik i cili nuk është në interesin tonë nacional, por është anti shtetëror dhe anti kombëtar fund e krye, dhe në dobi të armikut tonë shekullor”, ka theksuar ai.

Krejt në fund, ai nënvizon se të akuzuarit e Gjykatës Speciale, shërbimin më të mirë mund t’ia bënin, duke ndihmuar procesin gjyqësor dhe drejtësinë për viktimat, por assesi duke u fshehur e strukur pas emblemës së UÇK-së.

“Jo duke u fshehur pas emblemës së UÇK-së dhe luftës së saj të lavdishme, dhe as pasluftës ë drejtë të popullit të Kosovës dhe kauzës së lirisë, e cila u kurorëzua edhe me ndërhyrjen vendimtare të Amerikës në krye të NATO-s me 24 mars 1999 dhe invadimin triumfal të 12 qershorit 1999, duke shënuar edhe largimin e çizmes së pushtuesit nga Dardania antike-Kosova. Koha të flas drejtësia, ne të heshtim duke u ndjerë fajtor për vonesën e saj dhe para viktimave të krimeve”, tha krejt në fund, veprimtari Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat