Burimet nga BE-ja: Ja çfarë do të ndodhë me dialogun me ndërrimin e pushtetit në Uashington

Politika

Burimet nga BE-ja: Ja çfarë do të ndodhë me dialogun me ndërrimin e pushtetit në Uashington

Nga: B.S. Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 07:53
Bisedimet në Bruksel (Arkiv)

Po bëhen përpjekje për të mbajtur një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe nuk ka asnjë arsye që ndryshimi në krye në Uashington të ndikojë në këtë proces, i kanë thënë agjencisë Beta burime nga BE-ja në Bruksel.

Është ende herët tani për tani dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borelj dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, nuk kanë marrë ndonjë indikacion të synimeve dhe mënyrave në të cilat Uashingtoni mund të ndihmojë Bashkimin Evropian në dialog, pasi ekipet e administratës së re të SHBA-ve ende nuk janë formuar dhe nuk i kanë përcaktuar programet e tyre politike, kanë thënë zyrtarët në Bruksel.

Ata kështu i janë përgjigjur pyetjes së agjencisë Beta nëse udhëheqësi i ri i Shtëpisë së Bardhë Joseph Biden dhe qeveria e tij synojnë të udhëheqin politikën në Ballkan dhe të mbështesin BE-në në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës, duke pasur parasysh se në qarqet politike të shqiptarëve të Kosovës po dëgjohen thirrje që ai të ndërpritet.

Shenja të tilla nuk ka, "prandaj të gjitha spekulimet dhe çështjet janë të parakohshme", theksuan burimet, "veçanërisht pasi dialogu është një proces i ndërmjetësuar nga BE-së në lidhje me rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt Bashkimit Evropian, dhe dinamika dhe e ardhmja e këtij procesi varet nga BE-ja, si dhe nga Beogradi dhe Prishtina dhe aftësia e tyre për të ecur përpara me marrëveshje dhe kompromise të nevojshme".

Zyrtarët në Bruksel kanë theksuar se "si BE-ja ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë të njëjtat synime në Ballkanin Perëndimor" dhe se "kanë qenë gjithmonë më të suksesshëm kur kanë punuar së bashku".

Burimet e BE-së theksuan se, kur bëhet fjalë për formimin e administratës së re amerikane, "ka pritje që do të ketë komunikim më të mirë".

"Sigurisht se do të shkëmbejmë informacione kur bëhet fjalë për politikën dhe veprimet e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë dialogun, që do të thotë më pak veprime "shou "dhe angazhim më serioz dhe frymë ekipore", thanë ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat