Selakoviq: UNMIK-u të mbetet në vëllim të pazvogëluar dhe mandat të pandryshuar

Politika

Selakoviq: UNMIK-u të mbetet në vëllim të pazvogëluar dhe mandat të pandryshuar

Nga: B.S. Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 08:22
Nikola Selakoviq

Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, vuri në dukje në një bisedë me shefin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd, Simona-Mirela Miculescu, rëndësinë e KB-së "për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë dhe trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare në Kosovë".

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se Selakoviq theksoi rëndësinë e veprimeve të UNMIK-ut dhe rëndësinë e pranisë së tij të mëtejshme në Kosovë "në mënyrë që të krijojë kushte për një jetë normale dhe dinjitoze për Serbët dhe anëtarët e komuniteteve të tjera jo-shqiptare".

Sipas tij, UNMIK duhet të mbetet i angazhuar në të gjitha çështjet me rëndësi për zbatimin e qëndrueshëm të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së, në vëllim të pa zvogëluar dhe me mandat të pandryshuar.

Ministri gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e shqyrtimit të vazhdueshëm të çështjes së Kosovës në seancat e Këshillit të Sigurimit të KB, duke shtuar se Serbia u kushton shumë rëndësi raporteve të sekretarit të përgjithshëm të KB-së mbi punën e UNMIK, të cilat, sipas tij, janë të nevojshme për paraqitje më objektive të fakteve dhe vlerësim real të situatës në terren.

Sipas Selakoviqit, është e rëndësishme për Serbinë që Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare të informohen rregullisht dhe në mënyrë transparente për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, "veçanërisht në lidhje me pozitën e serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe të gjitha problemet e tjera me të cilat përballen serbët dhe joshqiptarët e tjerë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat