Analisti politik: Nga lakmia e madhe, Ramush Haradinaj po kërkon shah politik ndaj PDK-së

Politika

Analisti politik: Nga lakmia e madhe, Ramush Haradinaj po kërkon shah politik ndaj PDK-së

Nga: G.B Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 15:53
Ramush Haradinaj

Mospajtimet për postin e presidentit në mes të partive në pushtet, mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ambiciet për këtë post po i shpreh hapur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se do të largohet nga Qeveria, nëse partnerët e tij nuk i japin këtë post.

Madje, ai ka thënë se ka nevojë dhe për votat e PDK-së dhe kështu do t’ia kthente atyre ato në një moment kur do të kishin nevojë, për ndonjë post.

E sipas njohësit të çështjeve politike, Rexhep Shahu, Haradinajn e ka kapur lakmia për këtë post dhe bën pazare, pasi zgjedhja e presidentit bëhet përmes pazareve.

“Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës bëhen përpjekje të pandërprera nga eksponentë të ndryshëm. Ai që e ka hapur lakminë për këtë post, Ramush Haradinaj bën pazaret e ndryshme politike, pasi zgjedhja e presidentit do të kalojë përmes pazareve politike të pashmangshme”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, në këtë post duhet të jetë një figurë që nuk vjen nga politika por një figurë akademike, mirëpo nuk do të ndodhë kështu, pasi politika ka kthetra të forta.

“Unë kam menduar dhe jam shprehur që president duhet të zgjedhet një figurë që nuk vjen nga klasa aktuale politike por të jetë një figurë akademike me reputacion të lartë, me pushtet dijesh që të mos mundet ta tërheqë për hunde politika. Por nuk ndodh kështu, politika ka kthetra të forta”, ka vlerësuar ai.

Shahu shton se Ramushi në të drejtën e tij kërkon shah politik me PDK-në dhe këdo dhe kërkimi i votave për politikanët është normale, ndërsa për qytetarët pak i vrazhdë.

“Ramushi është në të drejtën e tij të bëjë marrëveshje e të propozojë shah politik me PDK-në dhe këdo. Për politikën kërkimi i votave dhe këmbimi i votave është normalitet, për qytetarin duket pak si e vrazhdë dhe jo e fisme, por në thelb, të gjithë tregti vote bëjmë. Këto marrëveshje të hapura e të fshehta nuk janë të shëndetshme për jetën politike por janë ura në të cilat udhëton politika”, ka shtuar tutje Rexhep Shahu.

Sipas tij, insistimi i Haradinajt për këtë post nuk ka asgjë të keqe pasi është komandant lufte, por që nuk duhet të ketë ende sot kohë komandantësh.

“Insistimi i Ramushit për tu bërë president nuk ka asgjë të keqe, ai është komandanti me komandant për kohën e luftës, është luftëtar me merita të jashtëzakonshme për lirinë e dëbimin e Serbisë prej Kosove, por dua të them se nuk duhet të ketë ende sot kohë komandantësh”, ka theksuar ai.

Shahu shton se liria ka një emër UÇK, por komandantët nuk janë UÇK, janë në gjyqe, nuk janë UÇK para të vrarëve, invalidëve e jetimëve.

“Dua të them se liria ka një emër që është UÇK, por dua të them se komandantët nuk janë UÇK, ata që janë në gjyqe e në akuza, nuk janë UÇK para atyre që janë në varr për liri, që janë invalidë të përjetshëm për lirinë e Kosovës, para atyre që janë jetimë, para atyre që kanë përjetuar tmerret e përdhunimeve e masakrimeve. Këtë emër ka liria e Kosovës”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat