Gjykatësi i UÇK-së që dha urdhër për pushkatim, i bashkohet Vetëvendosjes – çfarë do të ndodhë me raportet Kurti – Osmani?

Politika

Gjykatësi i UÇK-së që dha urdhër për pushkatim, i bashkohet Vetëvendosjes – çfarë do të ndodhë me raportet Kurti – Osmani?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 nëntor 2020 Në ora: 18:43
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, të hënën i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë e bëri të ditur lideri i kësaj partie, Albin Kurti, ku ka treguar për jetën dhe veprimtarinë e Dobrunës ndër vite.

“Baca Sokol është ish i burgosur politik dhe veprimtar i kamotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës. Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyrën e saj në Prishtinë. Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm”, ka shkruar Kurti dje në Facebook.

Dobruna njihet në Kosovë edhe si njeriu që e kishte dënuar më pushkatim Blerim Kuçin, tash Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, dikur zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan “Bota sot”.

Ky aderim, por edhe mbrojta që Kurti u bëri të akuzuarve të Speciales, ka bërë që të ngritën shumë reagime, nga më të ndryshmet në vend.

Njohësit e rrethanave politike në vend, konsiderojnë se aderimi i Sokol Dobrunës në Vetëvendosje, do ketë ndikim negativ në vetë imazhin e këtij subjekti politik, si dhe tek një numër i anëtarësisë së saj.

Kurse, edhe paralajmërojnë se veprimet e fundit të Kurtit, do të ndikojnë edhe në ftohjen e raporteve tejet të mira deri më tash midis tij dhe Vjosa Osmanit, meqë dihet se kjo e fundit ishte shumë e zëshme në kërkesën e saj për zbulimin e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së.

Shahu: Aderimi i Dobrunës një pandershmëri e radhës – Osmani me Kurtin nuk prishet sepse ajo e ka të zgjedhur Albinin dhe ka inat LDK-në!

Ish-gazetari i luftës Rexhep Shahu, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se aderimi në Vetëvendosjen e Albini Kurtit i Sokol Dobrunës, ish kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së që ka dënuar me vdekje Blerim Kuçin, është një perversitet politik, dhe një pandershmëri e radhës, ose pazari i radhës i Kurtit për të kapë pushtetin në Kosovë.

Image
Rexhep Shahu

“Për pushtet Albin Kurti bën gjithçka. Albini që i ka bërë pretencat më të egra ndaj Hashim Thaçit dhe gjithë komandantëve, gjithë krahut të luftës, që ka shpifë sa ka mundë dhe ka instaluar në Kosovë kulturën e shpifjes, linçimit e përçmimit, tani që i sheh pas hekurave Thaçin me shokë, bën të mirin, kërkon të lajë m*t me shu**e, kërkon që me fondet e taksat e popullit të Kosovës të paguhet mbrojtja e të akuzuarve nga Gjykata Speciale e Kosovës që është në Hagë”, shprehet Shahu.

Kurse, sa i përket përkrahjes së të akuzuarve të Gjykatës Speciale, që Albin Kurti ditë më parë u shprehu haptazi, për ish-gazetarin e luftës ky është një skenar i Kurtit që donë t’i përdorë eksponentët e PDK-së, që këta të fundit t’i japin besë e besim kreut të VV-së, që ta bëjnë kryeministër.

“Ajo është gjykatë e Kosovës, e ka ngrite parlamenti i Kosovës, me fonde të Kosovës, për të dënuar krimet. Kurti që ka bërë pafund akuza publike, që ka derdhë mjegulla më shumë se gjithkush për të errësuar e mjegullua presidentin Thaçi e gjithë të tjerët kundërshtarë të Albinit, tani bëhet bujar me taksat e Kosovës dhe donë t’u japë para për mbrojtje edhe gjyqtarëve edhe të akuzuarve. Kur dihet se të akuzuarit nëse janë të pafajshëm marrin lekët e pafajësisë, e nëse janë të fajshëm, le të shpërblehen me fajësi. Duke dhënë fonde shteti i Kosovës për mbrojtjen e individëve të veçantë, implikohet kështu shteti i Kosovës, pasi atje nuk është në gjyq UÇK-ja, por individë konkretë. Ndoshta Kurti që hedh raketa me gjuajte të largët kërkon që atje të gjykohet UÇK. Por, nuk do të gjykohet kurrë UÇK-ja nga asnjë gjykatë në botë. Dhe veç parave, donë t’i përdorë eksponentët e PDK-së që ata t’i japin besë e besim Kurtit ta bëjnë kryeministër atë, se ai e shkatërron Gjykatën Speciale që e ka ngritë me vetëdije e trimëri edhe Thaçi edhe Kadri Veseli. Kryetari i VV-së nuk ka problem se prishet me askënd për qëllimin e vet final, pushtetin me çdo çmim”, është shprehur ish-gazetari i luftës.

Ndërsa, se a do të ndikojnë tek marrëdhëniet e Kurtit me Osmanin, ish-gazetari i luftës shprehet se u.d presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, nuk prishte me kryetarin e Vetëvendosjes, pasi sipas tij, ajo e ka të zgjedhur këtë të fundit, dhe ka inat LDK-në.

“Me Vjosën nuk prishet sepse ajo e ka të zgjedhur Albinin dhe ka inat LDK-në, pasi Vjosa mendon se LDK është gjallë prej saj e falë saj dhe nuk mendon se Vjosa vetë është krijese dhe produkt i LDK-së, Vjosa nuk e beson se pa LDK-në ajo mund të ishte gjithçka, mund të ishte edhe lumi Vjosa në Shqipëri, por pa LDK-në nuk do të ishte as kryetare e Parlamentit të Kosovës as presidente në detyrë. Vjosa hesht para Albinit, palohet. Albini të gjithë lëvizjet i bën që të fitojë përkrahjen e PDK-së, ai sillet sikur është i dhimbsur tani, sikur po interesohet për Thaçin, Veselin e të tjerët pasi donë votat e PDK-së. Ai gjithë eksponentët e tipit Dobruna donë t’i mbledhë në Vetëvendosje, eksponentë me të cilët disa i kërcënon, disa i inkurajon me atë gjykatë partizane. Ish-zëvendëskryeministri i Albinit, një eksponent me lidhjet në Beograd, dha të kuptojë se Albini i donë ata që kane lidhje në Beograd, që kanë ndikim në Beograd”, ka theksuar Shahu.

Elezaj: Aderimi i Dobrunës i diskutueshëm – do të ketë ftohje të raporteve mes Kurtit e Osmanit

E, analisti politik, Rexhep Elezaj, është i mendimit se aderimi ish-kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna në Vetëvendosjes, ka befasuar të gjithë.

Njohësi i çështjeve politike në vend për gazetën “Bota sot”, ka thënë se aderimi i Dobrunës në Vetëvendosje, dhe e kaluara e tij prej gjykatësi e komentuar në mënyra dhe aspekte krejtësisht të ndryshme, herë si punë pozitive, herë si rol negativ, e bënë mjaft të diskutueshëm këtë çështje.

Image
Rexhep Elezaj

“Thënë të drejtën, aderimi i ish-kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së në Vetëvendosje, të Sokol Dobrunës, nuk më ka befasuar vetëm mua, por edhe shumë miq të mi, për disa arsye; së pari vet mosha e tij për t’u anëtarësuar në parti politike duket si një hap i vonuar, ani se mund t’i ketë arsyet e veta, qoftë ideologjike, qoftë politike, por që implementimi i tyre brenda një subjekti politik, sado që do ketë hapësirë, është vështirë të realizohet. Së dyti, vet detyra e tij prej kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së gjatë kohës së luftës, rol dhe detyrë e cila pas çlirimit është komentuar në mënyra dhe aspekte krejtësisht të ndryshme, herë si punë pozitive, herë si rol negativ, madje i përcjellë me akuza për vrasje dhe eliminim të “tradhtarëve” nga zonat e ndryshme luftarake, ashtu siç ka pranuar edhe vetë Dobruna në disa intervista të tij publike, se me vendim të kësaj gjykatës janë dënuar disa njerëz gjatë luftës, etj., aderimin e tij në Vetëvendosje e bënë mjaft të diskutueshëm”, shprehet Elezaj.

Elezaj shpjegon se Gjykata Ushtarak e UÇK-së nuk ishte e themeluar me vendim të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, sepse organet politike të LPK-së dhe shtabi i UÇK-së nuk e njihnin Kuvendin e Kosovës dhe qeverinë në ekzil të formuara nga LDK-ja dhe Forumi i partive tjera shqiptare në krye të cilit ishte i zgjedhur Ibrahim Rugova.

“Së treti, pranimi i faktit nga ana e Dobrunës, se vet kishte dhënë urdhër për dënim me vdekje ndaj Blerim Kuçit, aktualisht ministër në qeverinë “Hoti” nga radhët e AAK-së, jo vetëm çështjen e anëtarësimit të tij në Vetëvendosje, por edhe vetë kauzën e VV-së si parti social-demokrate e vendos në një pozicion të ri politik, ngase flet për mungesë të qartë të kritereve politike dhe statusore se kush nuk mund të bëhet anëtar i VV-së, pikërisht njerëz të cilët kanë ushtruar detyra jo kushtetuese dhe ligjore, kur dihet mirëfilli fakti, se Gjykata Ushtarak e UÇK-së nuk ishte e themeluar me vendim të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, sepse organet politike të LPK-së dhe shtabi i UÇK-së nuk e njihnin Kuvendin e Kosovës dhe qeverinë në ekzil të formuara nga LDK-ja dhe Forumi i partive tjera shqiptare në krye të cilit ishte i zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova. Pra, si e tillë kjo gjykatë për krahun pacifist-paqësorë ishte jo legjitime për të nxjerr vendime për gjykimin dhe dënimin me vdekje të ushtarëve dhe civilëve, siç ka qenë rasti me Blerim Kuçin”, ka deklaruar Elezaj.

Analisti Elezaj thekson se aderimi i Dobrunës në Vetëvendosje, do ketë ndikim negativ në vetë imazhin e këtij subjekti politik tek një numër i anëtarësisë së saj.

Se do të ketë kritika, ai ka shtuar po ashtu se këto do të vijnë edhe për shkak të mbrojtjes që Kurti u bëri Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, që sipas tij, mund të bëhet fjalë për ndonjë thyerje të kursit politik të tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Për këtë aderim do ketë edhe shumë kritika, e gjithashtu edhe lidhur me marrjen në mbrojtje të Albin Kurtit, katër të akuzuarve për “krime lufte kundër njerëzimit”, aktualisht të burgosur në Hagë, H. Thaçi, J. Krasniqi, K. Veseli dhe R. Selimi, ngase mund të bëhet ë fjalë për ndonjë thyerje të kursit politik të tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për faktin, sepse mu nga tre të lartë cekurit vetë Kurti dhe partia e tij janë sulmuar me të gjitha mjetet siç janë etiketuar dhe quajtur organizatë terroriste. Prandaj, ky diskurs i ri i Vetëvendosjes nuk mund të kalojë pa u vërejtur në opinionin e gjerë pa kritika dhe debate të ndryshme, meqë të pranosh në parti një njeri, për të cilin që nga pas lufta flitet se me urdhër të tij janë ekzekutuar shqiptarë me pretekstin se kanë qenë “bashkëpunëtorë” të armikut pa asnjë seancë gjyqësore, pastaj t’i marrësh në mbrojtje kundërshtarët tu më të mëdhenj politik, siç ka vepruar para tri-katër ditëve Kurti”, ka shtuar ai.

Gjersa, për raportet mes Osmanit dhe Kurtit, analisti Elezaj ka potencuar se veprimet e fundit nga lideri i VV-së do të ndikojnë patjetër në ftohjen e raporteve të tyre.

“Besoj shumë se këto veprime të tij do të ndikojnë patjetër në ftohjen e raporteve tejet të mira deri më tash midis tij dhe Vjosa Osmanit, meqë dihet se ajo ka qenë shumë e zëshme në kërkesën e saj për zbulimin e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së, siç ka qenë edhe në konflikt të hapur politik me Thaçin dhe PDK-në, sepse në opinionin e Kosovës është folur ditë e natë, se pas vrasjeve politike në Kosovë qëndron SHIK-u i formuar nga Kadri Veseli dhe Hashimn Thaçi, dhe kështu me radhë”, ka potencuar analisti Rexhep Elezaj.

Haziri: Dobruna, do të sjellë përvojën e tij në VV, të dënimit me pushkatim të kundërshtarit politik

Ndërsa, analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”,konsideron se aderimi më i ri në Lëvizjen Vetëvendosje, ish-gjykatësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, do të sjellë përvojën e tij në këtë parti, të dënimit me pushkatim të kundërshtarit politik me ftohtësinë e një vampiri.

Image
Nexhat Haziri

“Lëvizja Vetëvendosje si strehë e fundit për horrat. Prurja e re në Vetëvendosje, ish-gjykatësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, do të sjellë përvojën e tij në VV, të dënimit me pushkatim të kundërshtarit politik me ftohtësinë e një vampiri. Liria, a e ke edhe emrin e Sokol Dobrunës, këtij krimineli që ka dhënë dënime me pushkatim për kundërshtarët politik sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së së Rognerit”, shprehet Haziri.

Kurse, edhe ky i pyetur se a do të ndikojnë në marrëdhëniet mes Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, deklarimi i fundit i kreut të VV-së për mbrojte të te akuzuarve nga Specialja, dhe aderimi i fundit në VV, kur dihet se ish-nënkryetarja e LDK-së ishte ndër njerëzit më të zëshëm të kësaj partie për vrasjet e zyrtarëve të vrarë para dhe pasluftës, Haziri është i mendimit se kjo nuk do të ndikojë, pasi sipas tij, kjo aleancë nuk përbën asnjë parim, përpos lakmisë për pushtet.

“Nuk besoj se ky aderim i ish gjykatësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobrunës në Vetëvendosje, të ndikojë në raportet me Vjosa Osmanin, pasi kjo e fundit tashmë e ka bërë të qartë një aleancë me Albin Kurtin, aleancë kjo që nuk përbën asnjë parim përpos lakmisë për pushtet qoftë nga ana e LVV-së, poashtu edhe nga ana e Vjosa Osmanit, pa marrë parasysh se kjo e fundit dikur ishte shumë e zëshme në kërkesat e saja për zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të LDK-së”, tha në fund, analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat