“Akuzat që vështirë se hidhen poshtë”, analisti tregon se çfarë do të ndodhë me Specialen

Politika

“Akuzat që vështirë se hidhen poshtë”, analisti tregon se çfarë do të ndodhë me Specialen

Nga: P.R Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 20:26
Foto ilustrim nga “Bota sot”

Hulumtuesi britanik, Aidan Hehir, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se vendimet e Speciales mund të hidhen poshtë ose mund të ketë edhe trazira.

“Dëshmitë e deritanishme sugjerojnë se përkundër programit për informim të Gjykatës, ajo nuk mbështetet nga shumica në Kosovë. Kjo do të ketë implikime potencialisht negative në procedurat e Gjykatës; në mungesë të legjitimitetit popullor, vendimi i Gjykatës lehtë mund të hidhet poshtë si i njëanshëm dhe / ose politik dhe kështu ato potencialisht mund të ndezin trazira shoqërore. Fakti që Serbia është perceptuar gjerësisht brenda Kosovës se "ka ikur" me shumicën dërrmuese të krimeve të kryera në Kosovë do t'i shtojë më shumë flakë këtij zjarri”, është shprehur hulumtuesi britanik Aidan Hehir.

Por sa ka gjasa që në Kosovë të ketë trazira për shkak të zhvillimeve të Speciales? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Fillimisht Gjykata Speciale mbështetet nga shumica e qytetarëve të Kosovës, dhe kjo mbështetje do të rritet në vazhdim, sidomos me deklarimet e zyrtarëve të kësaj Gjykate se në domenin e saj janë edhe serbët të cilët kanë bërë krime ndaj popullatës civile shqiptare. Se a do të dënohen të akuzuarit aktual dhe të tjerët që priten të akuzohen, kjo i takon Gjykatës Speciale të sjellë vendime konformë dëshmive nëse vërtetohen apo jo akuzat ndaj të akuzuarve”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, akuzat që lidhen me vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë janë seriozë dhe vështirë që do të hidhen poshtë.

“Por ajo që unë mund ta them është se aktakuzat janë shumë serioze dhe jo lehtë të hedhura poshtë, sidomos ato që kanë të bëjnë me vrasjet politike në Kosovë që ndodhën gjatë dhe pas luftës. Nuk them se do të jetë gjithçka e qetë, por edhe nuk pres tensionime rapide dhe të rënda të situatës në vend, pasi ky proces do të jetë i gjatë, dhe me kohë do të pasojë ndryshim i opinionit të qytetarëve dhe ngritjen e besimit në raport me Gjykatën Speciale, duke u vërtetuar dhe bindur se kjo gjykatë është institucion i pavarur I drejtësisë I themeluar nga kuvendi I Kosovës”, shprehet Haziri.

“Dhe se nuk është kundër luftës dhe vlerave të UÇK-së, por kundër një grupi që kanë abuzuar në emër të UÇK-së dhe që kanë kryer krime ndaj njerëzve civil, kundërshtarëve politik për llogarinë e tyre personale apo grupeve të ngushta për interesa qofshin ato politike, materiale e ideologjike”, shton analisti Haziri.

Për fund, Haziri thekson se në Kosovë po zhvillohen fushata që synojnë të shtrembërojnë misionin që ka Gjykata Speciale.

“Andaj besoj se shoqëria kosovare është mjaftë e pjekur në aspektin e shtetndërtimit, me vizion për një shoqëri emancipuese që përkrah drejtësinë e pavarur, për të mos rënë pre e euforisë fallco patriotike që prodhohet nga trubofolkloristët, që kanë për qëllim dezinformimin e opinionit duke tentuar shtrembërimin e misionit dhe funksionit të Gjykatës Speciale në interes të të akuzuarve. Liria ka emër vetëm atëherë kur kjo liri është e barabartë për të gjithë dhe sjellë drejtësi për të gjithë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat