Kurti mbrojti UÇK-në, për individët ka mendime tjera

Politika

Kurti mbrojti UÇK-në, për individët ka mendime tjera

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 nëntor 2020 Në ora: 09:08
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë, përmes një konference për media foli mbi arrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale e Hagës.

Ish-kryeministri Kurti ka konsideruar se arsyetimi i Speciales se kjo ndërmarrje ka ushtruar veprime nga viti 1998 është i pabesueshëm, derisa ka thënë se po të bëhej fjalë për vitet e mëvonshme edhe do të ishte e besueshme.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar që Qeveria Hoti të angazhohet për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, kërkesë kjo që bëri të ngritën shumë reagime në vend.

Njohësit e çështjeve politike e juridike, kërkesën e Kurtit që t’u dilet në mbrojtje të akuzuarve nga Gjykata Speciale e Hagës, po e shohin si një mesazh të duhur që Kosova në këto ditë të rënda të jetë e bashkuar.

Mirëpo, ata kanë edhe konstatime se kreu i partisë më të madhe në vend bëri edhe kalkulime elektorale, duke mos lejuar kështu që të krijohen zëra se ai është kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe që të mos ta humbas elektoratin e vet.

Kurti mbrojti UÇK-në

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk doli në mbrojte të Thaçit e Veselit, por doli në mbrojte të luftës së lavdishme të UÇK-së.

Image
Faton Mehmeti

“Në fakt Albin Kurti nuk doli në mbrojte të Hashim Thaçit dhe as Kadri Veselit, por doli në mbrojte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes të cilës dha një mesazh të duhur që të jemi bashkë. Pikërisht na mungon bashkimi në këto ditë të vështira”, ka thënë analisti Mehmeti.

Ai madje është i mendimit se ish-kryeministri Kurti, është duke luajtur në dy drejtime, një prej tyre është edhe kalkulimi elektoral, duke mos lejuar kështu të krijohen zëra se ai është kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Albin Kurti la anash inatet politike, gjë të cilën e vlerësoj. Me këtë rast Albin Kurti bëri edhe kalkulim elektoral, duke mos lejuar të krijohen zëra se ai është kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të ruajtur kështu votën e elektoratit të vet. Kurti po luan në dy drejtime, të cilat i ceka më lartë. Besoj se klasa politike duhet të jetë më e bashkuar në çështje me interes nacional, njësoj si përballë Serbisë”, ka thënë analisti e njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Juristi: Kurti e përkrahë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për individët ka mendime tjera – kjo nuk është ndërhyrje në drejtësi

Edhe njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, e sheh me qëllime komerciale ndërhyrjen e Kurtit në çështjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Image
Blerim Burjani

Burjani për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se kjo përkrahje e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse e vonuar, gjithsesi e dobishme për moralin publik dhe për të gjithë votuesit e ardhshëm.

“Jo, kjo është përkrahje me vonesë pak, por gjithsesi e dobishme për moralin publik dhe për të gjithë votuesit e ardhshëm, pra Albini ka bërë një akt të nevojshëm dhe të dobishëm. Kjo nuk është ndërhyrje në drejtësi në fund të fundit ai është opozitë dhe e sheh si dobi për vete, pra është e tipit komercial”, ka deklaruar juristi Burjani.

Juristi konsideron se Kurti përkrahë vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjersa për individët shprehet se mund të ketë mendime të tjera.

“Kurti e përkrahë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por për individët ka pas mendime tjera. Kurtin pasluftës e lanë vetëm të pa interesuar për të, ai u izolua me qëllim dhe tash e sheh këtë si objektivë tjetër”, konsideron juristi.

Me tej, ai thekson se partia e Albin Kurtit ka gabime të mëdha në sjelljet politike, që sipas tij, më shumë ngjajnë në një lëvizje të Amerikës Latine se sa evropiane.

“Lëvizja Vetëvendosje ka gabime të mëdha në sjelljet politike që më shumë ngjajnë në një lëvizje të Amerikës Latine se sa evropiane. Pse Kosova i ka punët keq, është se populli nuk e do alternativën tjetër. si si vranë largimin e këtyre partive që 20 vjet që kanë punuar për interesa të veta e populli si ka vyer kurrë, veç kur ka pas zgjedhje”, ka theksuar njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Bajraj: Kurti po glorifikon mbrojtjen e krimeve dhe autorëve të tyre

Kurse, veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj ka thënë se lideri i VV-së, Albin Kurti, i’u bashkua si në kor, diskursit publik, i cili glorifikon mbrojtjen e krimeve dhe autorëve të tyre, të akuzuar tanimë nga Gjykata Speciale.

Image
Fatmir Bajraj

“Diskursi publik, politik dhe mediatik në Kosovë, në mbrojtje të krimit. Diskursi që promovon skena politike e vendit fatkeqësisht, pas arrestimeve nga Specialja, përjashto LDK-në e cila krijon një distancë të ndjeshme në këtë diskurs abuziv dhe sadist të shumicës së skenës politike në vend dhe kryesisht të vetëquajturit ‘krahu i luftës’, është një narracion publik i shëmtuar, i dëmshëm për Kosovën dhe pse jo edhe i rrezikshëm për fatin e shtetësisë së Kosovës dhe perspektiven euro-perëndimore dhe veri-atlantike. Recidiv të veseve të dëmshme dhe të rrezikshme për vendin, Kurti këtyre ditëve, i’u bashkua si në kor, diskursit publik, i cili glorifikon mbrojtjen e krimeve dhe autorëve të tyre, të akuzuar tanimë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për krimet e pretenduara nga ZPS-ja”, ka thënë Bajraj.

Sipas tij, mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve, është një krim i dyfishtë.

“Zoti Kurti dhe Vetëvendosja e tij, nuk është gjë tjetër veçse një ngjizje e njëjtë e cila vjen nga nëntoka dhe parapolitika, dhe tani në pluralizmin politik të Republikës së Kosovës, herë pas here, kthehet në levë të amës, përkatësisht, PDK-së SHIK-iste. Mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve, krim i dyfishtë. Kërkesa dhe thirrja publike Qeverisë Hoti nga ana e Kurtit, që të merren në mbrojtje shtetërore të akuzuarit e Speciales për krimet e pretenduara; të rënda dhe kundër njerëzimit, është thirrje kriminale ngase projekton pengimin e drejtësisë dhe dëmtimin e viktimave, që i bije; thirrje që viktimat të vriten për së dyti”, konsideron veprimtari i LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat