Riza Smaka komenton përplasjet e deputetëve, tregon cila është detyra e tyre

Politika

Riza Smaka komenton përplasjet e deputetëve, tregon cila është detyra e tyre

Nga: G.B Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 15:42
Prof. Dr. Riza Smaka

Shpesh herë ligjet nuk janë miratuar në Kuvend, për shkak të mungesës së kuorumit.

Kritika të shumta ka pasur edhe për sjelljet e fjalimet e deputetëve, që ndonjëherë kanë kaluar në përplasje verbale e madje edhe përplasje fizike në mes tyre, duke tejkaluar renin e ditës.

Një rast i tillë ishte edhe sot, derisa po diskutohej për të pagjeturit, ku pati përplasje në mes të deputetëve të LDK-së dhe VV-së.

Lidhur me këtë, profesori Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot” se shumë deputetë nuk janë në nivel të funksionit që kanë dhe shpesh seancat dështojnë, për shkak të mungesës së tyre e kështu nuk mund të miratohen as ligjet, për çka është ky Kuvend.

“Deputetet dhe deputetët aktualë, falë pak përjashtimeve, nuk janë as për së afërmi në nivel të funksionit të besuar. Për shkak të mungesave arbitrare e neglizhente të tyre, seancat e Kuvendit, shpesh herë dështojnë dhe nuk mund të miratohen jo pak akte ligjore. Një nga shembujt e shumtë po në këtë kontekst është dështimi i një propozim ligji mbi shtatë herë”, është shprehur ai.

Sipas Smakës, Kuvendi duhet të miratojë ligje dhe të monitorojë aplikimin e tyre, ndërsa grindjet janë degraduese, derisa shpreson që së shpejti të mbahen zgjedhjet dhe votuesit t’i dënojnë deputetët e tillë.

“Detyrë themelore e Kuvendit të RK- së është miratimi i akteve ligjore dhe monitorimi i aplikimit të tyre. Sikundër shihet dhe me asgjë nuk mund të kontestohet, kjo legjislaturë është manifestuar inefikase në një anë sikundër ekzekutiv, në anën tjetër. Grindjet dhe aluzionet tendencioze të jo pak deputeteve e deputetëve, janë të shpeshta dhe për aq degraduese. Le të urojmë së shpejti të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në të cilat qytetarët do t'i dënonin deputetet dhe deputetët e tillë e të tilla”, ka deklaruar Riza Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat