Tomë Gashi tregon pse ndodhi përplasja mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së

Politika

Tomë Gashi tregon pse ndodhi përplasja mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së

Nga: G.B Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 16:19
Tomë Gashi

Situata aspak të këndshme kanë ndodhur shpeshherë në Kuvendin e Kosovës, nga përfaqësuesit e popullit, deputetët.

Përveç që nuk kanë votuar ligje në të mirën e qytetarëve, nga ata nuk kanë munguar as fyerjet e përplasjet fizike.

Rasti i fundit ishte sot në mes të deputetëve të LDK-së dhe VV-së, kur po diskutohej për të pagjeturit.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë se grindjes kanë ardhur si pasojë e neglizhencës totale dhe thuajse e harresës së krimeve të Serbisë në Kosovë dhe se një shumicë e madhe e ish udhëheqësve të UÇK- së, pas luftës u bënë politikanë e biznesmenë dhe i harruan dhimbjet e Kosovës e krimet e Serbisë dhe për këtë tani jemi në këtë gjendje që disa prej tyre janë në burgjet e Hagës.

“Debatet në Kuvendin e Kosovës që shpesh eskalojnë edhe në grindje për çështje të krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë, vijnë si pasojë e neglizhencës totale dhe thuajse e harresës së krimeve të Serbisë në Kosovë për këto 21 vite pas çlirimit- përfundimit të luftës. Një shumicë e madhe e ish udhëheqësve të UÇK- së, pas përfundimit të luftës u shndërruan në politikanë dhe si politikanë u bënë edhe biznesmenë, sa që i harruan dhimbjet e Kosovës, i harruan krimet e luftës dhe nuk u morën me to fare dhe për këtë erdhëm në situatë që tani një pjesë e udhëheqësve të UÇK-së gjendet në burgjet e Hagës, ndërsa udhëheqësit e Serbisë që ishin ministra dhe zëdhënës të Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, 1998-1999 e tani njëri prej tyre është Kryetar i Serbisë dhe tjetri Kryetar i kuvendit të Serbisë - derisa kryetari i Kosovës dhe ish kryetari i Parlamentit të Kosovës janë në burg, me akuza të Serbisë, që u shndërruan në aktakuza të Gjykatës Speciale, e për vepra penale të krimeve të luftës të cilët ata kurrë nuk i kanë kryer”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, është e pakuptueshme se si askush nuk e ballafaqoi Serbinë me krimet e saj dhe që 10 vite negociata ishin të dëmshme për Kosovën.

“Një pjesë e madhe e udhëheqësve të Kosovës krimet e Serbisë i përmendin vetëm gjatë fushatave zgjedhore, për të fituar vota dhe pastaj i harronin fare. Është e pa kuptueshme se si askush nuk e ballafaqoi Serbinë me krimet e saj, gjatë negociatave me Kosovën për 10 vite në Bruksel, negociata gjithnjë në dëm të Kosovës, aq të dëmshme sa që u fol edhe për Zajednicën që do ta bllokonte në tërësi Kosovën si një rrjet i merimangës dhe do të ishte fillimi i një Republika Srpska në Kosovë që mund të dërgojë edhe tek dëmtimi i rëndë i shtetit të Kosovës me pasoja katastrofale”, ka vlerësuar avokati.

Ai shton se me këtë dëmtohet edhe imazhi i Kosovës, me paraqitjen e liderëve të UÇK-së para Gjykatës Speciale.

“Normalisht që imazhi i Kosovës është i dëmtuar aq rëndë, me rastin e paraqitjes së liderëve të UÇK-së para Gj. speciale, e që është gjykatë me konotacion ndërkombëtar dhe pasojat e saj janë të pa riparueshme apo thënë më lehtë do t’i kemi në bare për dhjetëra e dhjetëra vite të ardhshme. Atje ku janë tani një pjesë e udhëheqësve të UÇK-së dhe shtetit të Kosovës, do të duhet të ishin strukturat kriminale të shtetit të Serbisë të cilat me të vërtetë ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale, e që kështu i shpalli edhe Tribunali i Hagës për Ish Jugosllavinë, me aktgjykime të plotfuqishme ndaj udhëheqësve shtetërorë dhe ushtarak të Serbisë” ka theksuar ai.

Gashi thotë se imazhi i Kosovës mund të përmirësohet me një qeveri të re, me votat e qytetarëve, me qeverinë Kurti 2.

“Imazhin e Kosovës mund ta përmirësojë vetëm një qeveri e re e dalë nga votat e qytetarëve të Kosovës që unë besoj që do të jetë prapë Qeveria Kurti 2, ngase ndër të tjera qeveria e Albin Kurtit, ka pasur si plan program qeveritar edhe ngritjen e padive kundër shtetit të Serbisë, për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës deri në gjenocid ndaj qytetarëve të Kosovës. Atë që nuk e bëri asnjë qeveri deri më tani, do ta bëjë qeveria e ardhshme e Albin Kurtit”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat