Mbështetja e Rusisë dhe triku politik i Aleksandër Vuçiqit karshi Kosovës

Politika

Mbështetja e Rusisë dhe triku politik i Aleksandër Vuçiqit karshi Kosovës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 nëntor 2020 Në ora: 20:42
Aleksandër Vuçiqi

Lidhja Serbi-Rusi ka filluar të forcohet edhe më shumë kohëve të fundit, pasi shteti rus,para disa ditëve hapi zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi, po ashtu pajisi shtetin serb me avionë dhe tanke. Këto veprime të koordinuara mes dy shteteve, u cilësuan si vazhdimësi e veprimeve për t’i kërcënuar shtetet fqinje, e posaçërisht Kosovën.

Siç u parashikua, vetëm disa ditë më pas erdhi kërcënimi i hapur i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndaj Kosovës me të cilin paralajmëroi edhe një luftë tjetër mes dy shteteve.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kërkoi që ndasitë me Kosovën të zgjidhen me dialog dhe kompromis, përndryshe dy fqinjët i pret një konflikt i mundshëm, si ai për autonominë e Nagorno-Karabakut që muajin e kaluar la mbi 1 mijë të vrarë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Në fund të fundit, çdokush duhet të varet te forcat e veta, dhe prandaj serbët do vazhdojnë të forcohen ekonomikisht, ushtarakisht, për ta mbrojtur vendin kurdoherë nga çdolloj agresori”, deklaroi Vuçiqi, përcjell “Bota sot”.

Padyshim që kjo deklaratë kërcënuese e Vuçiqit nuk kaloi pa u vënë re e pa u diskutuar nga udhëheqësit dhe zyrtarët e lartë shtetëror në Kosovë.

Ata reaguan menjëherë, ku disa prej tyre kërkuan reagimin e BE-së dhe NATO-së ndaj këtyre  kërcënimeve , disa të tjerë i cilësuan thjeshtë provokime të radhës nga shteti serb, e kishte edhe prej atyre që deklaruan se janë të gatshëm për luftë dhe se e presin atë në Kosovë.

Kurse analistët politik kanë mendime të ndryshme karshi deklaratës së Vuçiqit, ata e cilësuan vetëm një provokim bosh të radhës nga shteti serb.

Jashari: Deklarata e Vuçiqit e qëllimshme, tendencë për të frikësuar Kosovën

Njohësi i çështjeve politike dhe Drejtori i Organizatës “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari, në një prononcim për gazetën “Bota sot”  shpjegoi qasjen dhe sjelljet  e Serbisë në raport me Kosovën.

Image
Shemsi Jashari

Jashari theksoi se qasja dhe logjika e qeveritarëve të Serbisë asnjëherë nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe se sjellja e qeveritarëve të tanishëm të Serbisë është e njëjtë dhe armiqësore ndaj Kosovës.

Tutje, ai tha se kërcënimi për luftë i Presidentit Vuçiq është provokim i radhës i shtetit serb me tendencë të frikësimit të Kosovës. Sipas tij, kjo është dëshmi e fortë se Serbia nuk dëshiron paqe dhe normalizim të raporteve me Kosovës.

“Deklarimi i presidentit serb, Vuçiq për mundësinë e një lufte në të ardhmen është një provokim dhe tendencë për të frikësuar palën kosovare dhe dëshmi e radhës se Serbia nuk dëshiron paqe e as normalizim të raporteve me Kosovën por dialogun e përdorë për të përfituar nga mbështetja Evropiane dhe Amerikane në aspektin e integrimeve dhe aspektin ekonomik”, tha Jashari.

Njohësi i çështjeve politike, tha se Vuçiqi deklaratën e tij vendosi qëllimisht ta bëj në kohën kur Kosova po kalon një periudhë të paqëndrueshme politike, ku ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime lufte në Hagë.

“Qëllimshëm, ky mesazh vjen në një periudhë të paqëndrueshme politike për Kosovën, kur dihet fakti se drejtuesit e luftës së UÇK-së, përfshirë presidentin Thaçi, po përballen me proces gjyqësore në Hagë, qeveria e Kosovës pa stabilitet dhe mungesë legjitimiteti, tranzicioni i pushtetit në SHBA pas zgjedhjeve, sfida me pandeminë dhe pakënaqësia qytetare me këtë qeveri. Të gjitha këto tentohet të shfrytëzohen nga Serbia për të nxitur ndonjë veprim të pa menduar që do të shërbente si alibi për të cenuar e me tutje sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës”, nënvizoi Jashari.

Në fund, Jashari paralajmëroi udhëheqësit e Kosovës që ta marrin me seriozitet kërcënimin e presidentit Vuçiq dhe të mos pranojnë presion nga Bashkimi Evropian për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Zyrtarët shtetërorë të Kosovës duhet ta marrin si sinjal serioz deklaratën e presidentit Vuçiq dhe të mos pranojnë presionin nga BE për lëshime në emër të  normalizimit të raporteve ngase nëse nuk detyrohet Serbia asnjëherë nuk do të ketë normalizim të raporteve Kosovë Serbi.

Klasa politike duhet ta kuptoj se është momenti i fundit për unitet politik e kombëtar në raport me temat që lidhen me Serbinë dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit”, përfundoi Jashari

Mulliqi: Shantazhet dhe kërcënimet politike i kanë “dhezë” Vuçiqit

Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”, tha se kërcënimet e Aleksandër Vuçiqit janë si pasojë e lidhjes së tij me Millosheviqin dhe partinë e Sheshelit.

Image
Skënder Mulliqi

Mulliqi u shpreh se këto politika shantazuese dhe kërcënuese ndaj Kosovës, i kanë “dhezë” Vuçiqit.

“Aleksandar Vuçiqi është një eksponent i Millosheviqit, dhe e partisë së Sheshelit, prandaj nuk është aspak për të na çuditur edhe kërcënimi i fundit më luftë që i bëri Kosovës. Vuçiqi disa herë deri më sot e ka kërcënuar Kosovën.Të gjitha këto kërcënime janë bërë që të na bëhet trysni dhe shantazh politikë, që Serbia të përfiton nga bisedimet më Kosovën. Dhe, është shumë e saktë se deri më tash një politikë e tillë e shantazhit e shoqëruar më kërcënime, edhe i ka "dhezë", presidentit serb, Vuçiq”, theksoi Mulliqi.

Tutje, njohësi i çështjeve politike deklaroi se deri më sot Serbia, nuk ka marrë asnjë reagim nga Bashkimi Evropian në lidhje me provokimet dhe kërcënimet e saj karshi Kosovës. Po ashtu, Mulliqi reagimet e të gjitha Qeverive të Kosovës deri më sot, i cilësoi shumë të dobëta politikisht.

“Serbia  kurrë deri më sot, nuk mori ndonjë reagim nga BE-ja, pse Kosovën e mbajti për shumë kohë të destabilizuar më strukturat kriminale serbe që vepruan pa pengueshem në veri, dhe më shërbimet e saja sekrete. Nuk mori ndonjë notë as për kërcënimet e drejtëpërdrejta që ja bëri Kosovës për luftë. Mos të flasim për pushtetet tona të pas luftës, të cilat u treguan shumë të dobëta ne relacion më Serbinë, si në bisedime që u futën pa asnjë kusht, ashtu edhe më reagime tjera të dobëta politike. Kjo bëri që Serbia të faktorizohet politikisht në rajon”, nënvizoi Mulliqi.

Armatimi nga Rusia dhe hyrja në fazën finale të dialogut me Kosovën, sipas Mulliqit janë arsyet kryesore që po i japin komoditet shtetit serb të lëshoj deklarata kërcënuese dhe provokime ndaj shtetit tonë.

“Krahas kësaj ky shtet është duke u armatosur që shumë kohë nga Rusia e diktatorit Putin. Dihet së qendrën ushtarake në Nish janë duke e shfrytëzuar për armatime gjithnjë e më të mëdha. Të gjitha këto nuk duhet nënvlerësuar. Kërcënimi i fundit që erdhi nga Vuçiqi, më shumë u bë për faktin se bisedimet janë duke hy në fazën finale, dhe Serbia është duke bërë përpjekje ti realizon në favor të saj, duke arritë qëllimin më Asociacionin ne veri më kompetenca ekzekutive , që është duke u refuzuar nga pala shqiptare. Vuçiq e tha këtë haptazi para shteteve te KUINT-it, duke thënë së ose të do të arrihen qëllimet politike të Serbisë më bisedime, ose këtë gjë do ta bënë më forcë”, shpjegoi ai.

Mulliqi, në fund tha se Vuçiqi e di fare mirë se brenda Kosovës ekzistojnë forcat ushtarake të KFOR-it si pjesë garantuese e kufijve dhe çdo intervenim ushtarak do të jetë vështirë i realizueshëm. Dhe kërkoi nga Kosova të bëj kujdes ndaj Vuçiqit, shovinistit serbomadh dhe të mos vazhdoj dialog me agjendën e tij.

“Nuk është që Vuçiqi  nuk e dinë faktin së në Kosovë ekzistojnë forcat ushtarake të KFOR-it, si garantuese e kufijve, kurse në anën tjetër, Serbia dhe presidenti i saj, Vuçiq, e dinë mirë së çfarëdo intervenimi në Kosovë ushtarakisht, do të jetë i vështirë kur dihet se NATO është këtu. Përkundër të gjitha këtyre Kosova duhet bërë kujdes të madh, së pari mos të vazhdohen bisedimet më Serbinë më agjenda të Vuçiqit, siç është mësuar ky shovinist serbomadh. Është koha e fundit që kushtet për vazhdimin e dialogut ti cakton Kosova, si e dëmtuar rëndë e luftës në njerëz dhe të mira materiale, dhe e cila luftën e kishte të drejtë dhe në mbrojtje  të tokës së vet”, përfundoi Mulliqi, përcjell "Bota sot".

Haziri: Kërcënimi politik i Vuçiqit, trik politik i tij ndaj Kosovës

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri në një prononcim për gazetën “Bota sot” kërcënimet për luftë të  Aleksandër Vuçiqit i cilësoi si retorika boshe.

Image
Nexhat Haziri

“Është një retorike boshe e Beogradit zyrtar sa i përket luftës dhe mundësisë së sulmit ushtarak të Serbisë në Kosovë. Edhe presidenti serb Vuçiq është i vetëdijshëm se çfarëdo sulmi ndaj Kosovës është sulm ndaj NATO-së. Por, këtë deklaratë të Vuçiqit  e shoh në dy rrafshe në të cilat mendoj  se i ka bërë llogaritë e veta presidenti serb”, deklaroi Haziri.

Rrafshet në të cilat Haziri mendon se Vuçiqi i ka bërë llogaritë e veta janë: marketingu i tij politik në Serbi për poenta politike dhe krijimi i një lloj presioni në Bruksel që të krijohet asociacioni I komunave serbe në Kosovë.

“E  para është për të bërë marketing politik në Serbi në kohën kur ai po akuzohet nga qarqet intelektuale serbe për një regjim autoritar dhe së dyti të krijoj një  lloj presioni në Bruksel që ky i fundit të shtojë dinamikën sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Në kuadër të  cilit merret parasysh pozicioni i Serbisë, që me të ashtuquajturin kompromis Serbisë t’i njihen dhe të i legjitimohen kërkesat e saja të cilat kanë synim asociacionin me kompetenca ekzekutive që do të njihej edhe si pushteti i trete, përmes së cilit do të bëhej de funksionalizimi i shtetit të Kosovës për të shkuar drejtë synimit final të Beogradit zyrtar për ndarjen e Kosovës”, theksoi Haziri.

Ndër të tjera, ai shtoi se Qeveria Hoti duhet të jetë shumë e kujdesshme sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të mos pranohet asnjë kërkesë e Serbisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe, sipas tij kërcënimet janë deklarata boshe dhe nuk duhet kushtuar vëmendje të madhe.

“Andaj institucionet tona, në veçanti qeveria e kryeministrit Hoti duhet të jetë shumë e vëmendshme sa i përket procesit të dialogut që nënkupton ndërtimin  e një pozicioni të fortë kushtetues që mos të pranohet në asnjë mënyrë kërkesa e Serbisë për një asociacion me kompetenca ekzekutive, dhe mos të humbet kohë në reagime ndaj kërcënimeve boshe nga ana e Serbisë se do të mund ta sulmoj Kosovën apo shpërthimin e ndonjë lufte, siç e mori shembull Vuciqi rastin e Nagorno-Karabakut”, tha Haziri.

Ai tha se vet deklarata e ftohtë e NATO-së tregon sa të parëndësishme janë deklaratat kërcënuese të Serbisë.

“Nuk ka asnjë paralele në mes Kosovës dhe Nagorno-Karabakut, andaj Vuçiq bëri vetëm një trik politik e asgjë tjetër  dhe kjo u kuptua edhe nga reagimi shume i ftoftë nga NATO, e cila ia përkujtoi Vuçiqit se ajo është prezente në Kosovë përmes KFOR-it”, tha për fund Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat