“Në Speciale zbulohet e vërteta e SHIK-ut”, Kadri Veselit i vjen paralajmërimi i fortë

Politika

“Në Speciale zbulohet e vërteta e SHIK-ut”, Kadri Veselit i vjen paralajmërimi i fortë

Nga: P.R Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 21:06
Kadri Veseli

Ish shefi i SHIK-ut dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që nga nëntori gjendet i burgosur në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, ku ndër tjerash akuzohet edhe për vrasjet e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndaj SHIK-ut në Kosovë ka pasur vazhdimisht akuza se qëndron prapa vrasjeve politike në Kosovë.

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, si dëshmi ndaj Kadri Veselit do të përdoret edhe raporti i KFOR-it, i cili kishte dhënë detaje shokuese për SHIK-un.

“Në gjykimin ndaj Kadri Veselit, si bazë e akuzës ndaj tij do të shërbej edhe raporti i KFOR-it të vitit 2004, raport i cili flet mjaft qartë për mënyrën e financimit të SHIK-ut, dhe vrasjet e kundërshtarëve politikë nga kjo organizatë”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, në Gjykatën Speciale do të zbulohet fytyra e vërtetë e SHIK-ut.

“Shto këtu edhe dëshmitarët në këtë proces, të cilët do të shpërfaqin fytyrën e vërtetë të kësaj organizate. Kadri Veseli, e dhe nëse nuk ka dhënë urdhër për asnjë vrasje politike, nëse zbulohet se njerëz të SHIK-ut i kanë bërë ato, atëherë përgjegjësia i bie atij si kreu i kësaj organizate”, thekson Mehmeti.

Për fund, Mehmeti deklaron se njerëzit e SHIK-ut vazhdojnë të jenë ende aktiv në skenën politike në Kosovë.

“Do të ishte në interes të Kosovës, të familjarëve të të vrarëve që të del e vërteta në shesh, por edhe që kjo çështje të mbyllet një herë e përgjithmonë, që ka mbetur si plagë nga e cila Kosova po lëngon tash e 20 vjet. Pritet që edhe SHIK-u të hetohet, ndonëse nuk besoj e akoma SHIK-u funksionon tani si para 20 viteve, megjithëse njerëzit e saj janë njerëzit mbi politikën, dhe që diktojnë jetën politike dhe publike në Kosovë. në një farë mënyrë SHIK-u akoma është prezent, por jo në organizim si para 20 viteve”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat