Lajçak: Serbia dhe Kosova të përkushtuara në dialog, këmbimi i territorit nuk është më temë

Politika

Lajçak: Serbia dhe Kosova të përkushtuara në dialog, këmbimi i territorit nuk është më temë

Nga: B.S. Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 08:30
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova dhe Serbia po demonstronin përkushtim në negociata dhe deklaroi se ai është optimist sepse të dy palët e kuptojnë se kjo është në interesin e tyre.

Përmes një video/telekonference të organizuar nga Shkolla e studimeve të avancuara ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, Lajçak përsëriti pritjen se marrëveshja për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet në muajt e ardhshëm, raporton Zëri i Amerikës.

"Kur nuk kishte dialog, kishte paqëndrueshmëri. Tani që të dy palët po flasin, të jep përshtypjen se gjërat janë nën kontroll. Gjithashtu, dialogu nuk mund të anashkalohet. Të dy palët e duan të ardhmen evropiane dhe e dinë se mënyra e vetme për këtë është përmes dialogut," tha Lajçak.

I pyetur a është e mundur dhe si mund të gjendet zgjidhje për pritjet e të dy palëve, pasi Kosova po kërkon njohje të ndërsjellë, ndërsa Serbia po pyetet se çfarë do të marrë, Lajçak tha se zgjidhja vendoset nga të tri palët.

"Jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë, përfshirë vendet anëtare të BE-së, sepse ajo gjithashtu e ka fjalën këtu. Nuk duam të kemi humbës dhe fitues, sepse duam që të gjithë të jenë fitues", tha Lajçak.

Ai deklaroi se shkëmbimi i territoreve "nuk është më temë e dialogut" dhe shtoi se kjo ishte çështje që shkaktoi reagime negative në të gjithë rajonin.

"Shumëkush tregoi se kjo do të thoshte hapje e kutisë së Pandorës. BE-ja nuk pajtohet me filozofinë 'për çfarëdo që bien dakord të dy palët, duhet të pranohet'. Ne jemi roje të vlerave evropiane dhe zgjidhja duhet t'i afrojë të dy palët dhe të jetë e pranueshme nga Bashkimi Evropian. Zgjidhja duhet të jetë në frymën e shekullit XXI, jo të shekullit të XIX-të", shtoi Lajçak.

Lajçak tha se shpreson në një bashkërendim më të mirë mes Brukselit dhe Uashingtonit lidhur me Ballkanin, me ardhjen në fuqi të administratës së re amerikane.

“Me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe administratës, ne presim që të kthehemi në pozicionin shumë të mirë të bashkëpunimit më të afërt të mundshëm me partnerët tanë të ShBA-së në të mirë të vendeve dhe popujve të rajonit”, tha Lajçak

Ai tha se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për arritjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se deri tani kishte pyetje në rajon lidhur me ato që dukeshin si qëndrime të ndryshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat