Pas vdekjes së Irinejit: Kishte ndikim të madh në politikën serbe, ja çfarë thoshte për Kosovën

Politika

Pas vdekjes së Irinejit: Kishte ndikim të madh në politikën serbe, ja çfarë thoshte për Kosovën

Nga: B.S. Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 10:41
Patriarku serb Irinej

Patriarku i Kishës ortodokse serbe Irinej ka vdekur sot në mëngjes në Beograd nga pasojat e virusit korona. 

Irinej, patriarku i 45-të i Kishës prtodokse serbe në historinë e këtij institucioni, u fronëzua në këtë pozitë në janar 2010, pas vdekjes së paraardhësit të tij, patriarkut Pavle.

BBC përkujton se, ndërsa disa e shihnin Irinejn si pajtues, të tjerë besojnë se Kisha ndërhyri shumë në çështjet shtetërore dhe se vetë patriarku ishte shumë i dashamirës ndaj veprimeve të autoriteteve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pothuajse 11 vitet e Irinejit si patriark u shënuan nga epidemia e virusit korona, skandale mbi pedofilinë e pohuar midis klerit, besimi i vazhdueshëm i besimtarëve në Kishën ortodokse serbe, si dhe vëmendja e vazhdueshme e përqendruar në Kosovë.

Që nga fjalimi i tij i parë në fronëzimin si patriark në vitin 2010, Kosova ka qenë temë e vazhdueshme në fjalimet e Irinejit.

"Nëse e harrojmë Kosovën, edhe Kosova do të na harrojë... Serbia pa shenjtorë dhe Kosovën nuk është Serbi. Serbia pa Kosovën është pa shpirt, pa mend dhe zemër," thoshte Irinej.

Kosova është "toka jonë e shenjtë, Jeruzalemi ynë", shtonte ai.

"Ne kemi shumë detyra si Kishë dhe gjëja më e rëndësishme është të shpëtojmë Kosovën e shenjtë, të ndihmojmë shtetin pa u penduar për mundin, dhe nëse është e nevojshme, viktimat."

Disa vjet më vonë, në kohën e dialogut të ri midis Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e Bashkimit Evropian, ai mbajti një qëndrim të ngjashëm.

"Ne nuk mund dhe nuk duhet të japim atë që ka qenë e jona për shekuj, dhe e cila kurrë në histori nuk i ka takuar shtetit shqiptar, pavarësisht nga fakti se ai ishte rrëmbyer dhe tani është nën okupimin e huaj".

"Ne nuk jemi për asnjë konflikt, pra nuk jemi as për të ashtuquajturin konflikt të ngrirë, por nuk jemi për njohjen e aktit të kryer të arritur nga padrejtësia, agresioni, dhuna, krimet", thoshte Irinej.

Në vitin 2018 ka vlerësuar se Vuçiqi "po lufton si lua për Kosovën dhe Metohinë"...

Secila prej këtyre lavdërimeve është gjithashtu një detyrim, thotë për BBC-në Dalibor Gjukiq, profesor asistent në Fakultetin e drejtësisë mbi temën e Ligjit të Kishës.

"Me këtë, qeveria detyrohet të luftojë për atë që është pozicioni zyrtar i kishës - se Kosova është një pjesë integrale e Serbisë," vëren Gjukiq.

Dy vjet më vonë, kur nën kujdesin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje të Uashingtonit, Irinej përsëriti se asgjë nuk kishte ndryshuar në pozicionin e Kishës ortodokse serbe.

E vetmja marrëveshje që Kisha ortodokse serbe njeh është ajo në të cilën "Kosova dhe Metohia janë pjesë e Serbisë", ka thënë Irinej.

Ndërthurja domethënëse e jetës së kishës serbe dhe shtetit ishte në një pushim vetëm gjatë sundimit komunist dhe periudhës së ish-Jugosllavisë (RSFJ).

Që nga aplikimi i politikës shumëpartiake, burrat e shtetit kanë kërkuar bekime nga personalitete të kishës për pothuajse të gjitha vendimet e rëndësishme.

Megjithëse Kushtetuta garanton se Serbia është shtet sekular, në tri dekadat e fundit asnjë zyrtar i lartë serb nuk ka anashkaluar ndërtesën e Patriarkanës në Beograd - nga Sllobodan Millosheviqi, Vojislav Koshtunica, Zoran Gjingjiqi, deri te Presidenti aktual Vuçiq.

Kur protestat kundër qeverisë së Vuçiqit u zhvilluan në Beograd dhe në të gjithë Serbinë gjatë vitit 2019, Irinej vlerësoi se "ajo që shohim në rrugë sot nuk është e mirë".

Aleanca për Serbinë në opozitë e vlerësoi atë si "ndërhyrje të drejtpërdrejtë në çështjet e përditshme politike dhe hapur në krah të qeverisë", por patriarku mohoi pretendime të tilla.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat