Shahu: UÇK-ja nuk janë komandantët e saj, UÇK-ja është populli i Kosovës

Politika

Shahu: UÇK-ja nuk janë komandantët e saj, UÇK-ja është populli i Kosovës

Nga: A.Z Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 16:23
UÇK

Lidhur me slloganin “Liria ka Emër” të fushatës për mbrojtjen e ish-komandantëve të UÇK-së që po hetohen për krime lufte, e ka komentuar edhe njohësi i çështjeve politike Rexhep Shahu, ku në një prononcim për “Bota sot” thotë se liria nuk e ka emrin e asnjë individi të UÇK-së, e parullat e artikuluara “Liria ka emrin UÇK”, nuk e bëjnë efektin në popullsinë masive dhe nuk kanë asnjë vlerë për gjykatën e Hagës ku gjykohen të akuzuarit.

“Liria nuk ka emrin e asnjë individi të UÇK-së apo të asnjë individi komandant apo epror të UÇK-së. UÇK-ja nuk janë komandantët e saj, UÇK-ja është populli i Kosovës. Parullat e shkruara e të artikuluara gjithandej “Liria ka emrin UÇK” nuk e bëjnë dot efektin në popullsinë masive. Edhe se kanë kaluar 22 vite dhe janë shëruar shumë plagë të vjetra siç kullojnë gjak shumë të reja. Por, edhe nëse bëjnë efekt në popullsinë shqiptare, nuk kanë asnjë vlerë për gjykatën e Hagës ku gjykohen të akuzuarit”, tha ai.

Më tej ka shtuar se kjo nuk është ndershmëri as përkrahje për të akuzuarit në Hagë, dhe nëse ndonjë me parulla “Liria ka emër” dëshiron të prekë apo të emocionojë popullin shqiptar bëhet për efekt votash, dhe se konsestimi i vetëm i kësaj Gjykate dhe akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit janë se nuk janë duke u gjykuar edhe serbët për krimet e tyre.

“Te akuzuarit nuk kanë dalë të gjykohen nga populli i Kosovës, ata po gjykohen nga një gjykatë profesionale speciale të krijuar nga vetë ata. Nëse dikush me parulla “Liria ka emër” dëshiron të prekë apo të emocionojë popullin kjo bëhet për efekt votash dhe kjo nuk është ndershmëri as përkrahje për të akuzuarit në Hagë. Hashim Thaçi ka thënë një fjalë të madhe ditën e dorëheqjes para se me hypë në avion, është çmim i vogël ky që duhet të paguajmë për Kosovën dhe lirinë e saj, duke llogaritur se mund të ishte i vrarë si shumë shokë në luftë që janë vrarë. Kontestimi i vetëm i kësaj gjykatë dhe akuzat ndaj Thaçit e Veselit janë se nuk janë duke u gjykuar edhe serbët për ato kohë për krimet e tyre”, tha ai.

Ai ka shtuar se shumë që shkruajnë, janë duke dashur që Kosova të ngrinte Gjykatë dhe të gjykonte Serbët, por sipas Shahut është e padrejtë sepse parlamenti i Kosovës nuk mund të ngrinte gjykatë dhe të gjykonte shtetasit kriminelë të një shteti tjetër që është dëbuar me dhunë e luftë prej Kosovës.

“Shumë që shkruajnë, po duan që Kosova të ngrinte Gjykatë të gjykonte serbët. Por, parlamenti i Kosovës që e ka ngritë këtë gjykatë nuk mund të ngrinte gjykatë të gjykonte shtetasit kriminelë të një shteti tjetër që është dëbuar me dhunë e me luftë prej Kosovës. Kjo që kërkohet nga eksponetët e Kosovës është e padrejtë, ata nuk mund të fusnin në kompetencat e kësaj gjykate speciale të Kosovës edhe gjykimin e shtetasve kriminelë serbë. Plus, që kjo gjykatë është asistuar nga miqtë që e kanë çliruar Kosovën, që ta zhveshin Serbinë edhe nga këto maniera dhe ta pastrojnë Kosovën nga çdo akuzë serbe, pasi i’a morën Kosovën Serbisë me luftë”, tha ai .

Ai më tej ka theksuar se Liria para se të ketë emrin UÇK, ka emrin e shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga ushtria e policia serbe, ka emrin e të pagjeturëve, të grave të përdhunuara dhe emrin e shumë objekteve të shkatërruara.

“Pra, po thonim se Liria ka emër, ka emrin UÇK. Bukur që e ka këtë emër, por, para se të ketë emrin UÇK, liria e Kosovës ka emrin e shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga ushtria e policia serbe, ka emrin fëmijëve, grave, vajzave e nënave të vrara, zhdukura e masakruara mizorisht nga serbët, ka emrin e të moshuarve, ka emrin e njerëzve ende të pagjetur, liria e Kosoves ka emrin e vajzave e grave të përdhunuara shqiptare, ka emrin e shtëpive e banesave e objekteve të djegura e të shkatërruara nga serbët”, tha ai.

Ai tutje ka thënë se në emrin e Lirisë përfshihen të dëbuarit nga dhuna serbe, ushtarë e NATOS, diplomatët botëror që janë bërë bashkë me Kosovën, por që Kosova në themelet e saj ka tre emrat të mëdhenj Amerikanë, emrin e Bushit të vjetër, të Bill Klinton dhe të Bushit të ri.

“Dhe për fund, liria e Kosovës ka emrin e një milionë të dëbuarve që dhuna serbe i dëboi dhe nuk mundi askush tu dilte zot, liria e Kosovës ka emrin e çdo shqiptari që u detyrua të merrte udhët e ferrit. Liria e Kosovës ka emrin e çdo shqiptari të vrarë nga serbët dhe duart e zgjatura të tyre në Kosovë, Liria ka emrin e mbi 50 mijë ushtarëve të NATOS qe u instaluan në Kosovë, Liria e Kosovës ka emrin e shumë diplomatëve botërorë, që u bënë bashkë me Kosovën. Por, liria e Kosovës ka në themelet e saj tre emra të mëdhej amerikanë, ka emrin e Bushit të vjetër, të Bill Klintonin dhe të Bushit të ri që tha, mjaft a është mjaft, Kosova e pavarur dhe sot e njohin 117 shtete të botës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat