Aderimi i Sokol Dobrunës në VV, aderim me “bagazh” enveristo-stalinist

Politika

Aderimi i Sokol Dobrunës në VV, aderim me “bagazh” enveristo-stalinist

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 nëntor 2020 Në ora: 21:49
Sokol Dobruna dhe Albin Kurtii, foto ilustrim nga "Bota sot"

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë njoftoi se ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, i është bashkuar partisë së tij.

Kurti gjatë prezantimit të Dobrunës si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kujtoi kohën e luftës, derisa thuri edhe disa elozhe për ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

Ai foli për takimin e tyre gjatë vitit 1998 në malet e Bajgorës dhe sakrificat e Dobrunës për çlirimin e vendit, gjatë luftës.

“Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyrën e saj në Prishtinë. Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Veri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm”, deklaroi Kurti, përcjell “Bota sot”.

Aderimi i Sokol Dobrunës, nxiti reagime dhe debate të ndryshme në opinionin publik, pasi gjatë kohës së luftës, ai kishte dënuar me pushkatim Blerim Kuçin, ish-ministrin dhe aktualisht deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike deklaruan se aderimet e reja në partitë politike bëhen më shumë për rëndësinë e tyre politike në popull, se sa për aspektet e tyre intelektuale dhe morale.

Dënimin me pushkatim të Blerim Kuçit, e kishte pranuar personalisht Dobruna në një intervistë të dhënë për media.

“Unë personalisht e kam dënuar njeriun me pushkatim, Blerim Kuçin ish-kryetarin e Suharekës. Mirëpo i njëjti ligj që e ka dënua, ligji i ekzekutimeve penale i cili është në arkiv e ka liruar, unë jo por ligji”, kishte deklaruar Dobruna.

Duhanaj: VV ka mbledhur të gjithë arsenalin ideologjik enveristo-stalinist

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, foli për aderimin e Sokol Dobrunës dhe ideologjitë politike të Lëvizjes Vetëvendosje.

Duhana tha se kur flasim për ideologjitë politike në Kosovë në veçanti, por edhe mbarë shqiptare në përgjithësi, si në çdo aspekt tjetër, edhe këtu jemi sui-generis.

“Është paradoks i llojit vetë, që një komb kaq i lashtë, të mos ketë të djathtë të konsoliduar dhe që flamurin e nacionalizmit ta mbajnë parti e lëvizje me ideologji majtiste.

Partitë majtiste, dihet mirëfilli që bazën ideologjike e kanë internacionalizmin majtist e që frymëzim apo si qendër e ka Moskën”, u shpreh Duhanaj.

Ndër të tjera, ai akuzoi Vetëvendosjen për mashtrim ndaj shqiptarëve, pasi që njëherë trumbetoi bashkimin kombëtarë, sa për ta fituar simpatinë, pastaj punoi në indoktrinim të rinisë së papjekur.

“LVV-ja që në fillim ka qenë një mashtrim i madh që u është bërë shqiptarëve.

Ky mashtrim, nuk do t'i ndodhte, ndonjë kombi, apo shoqërie me nivel të mjaftueshëm të njohurive ideologjike bazë.

Për fat të keq, si shumë dukuri të shëmtuara edhe ko ndodhi tek ne dhe, kjo lëvizje, në fillim trumbetoj bashkimin kombëtarë, sa për ta fituar simpatinë e pastaj punoj shumë në indoktrinim të rinisë së papjekur”, nënvizoi Duhanaj.

Ndërsa, ai vazhdoi duke aluduar se VV e ka mbledhur të gjithë arsenalin ideologjik enveristo-stalinist rreth vetës dhe se aderimi i Dobrunës nuk përjashtohet nga ky arsenal.

Ai tha se Dobruna i është ofruar familjes në të cilën e gjen qetësinë shpirtërore.

“Tani që ja ka arritur të etablohet në skenën politike, e ka mbledhur të gjithë arsenalin ideologjik enveristo-stalinist rreth vetes, në mënyrë që ta ketë si mburojë për veprimtarinë e mëtejshme.

Edhe z. Dobruna, nuk bën ndonjë përjashtim në ketë kontekst. Ai nuk ka bërë asgjë tjetër, pos që i është ofruar gjirit familjarë në të cilin ndjehet me i sigurtë dhe ku gjenë qetësi shpirtërore”, përfundoi Duhanaj.

Ahmeti: Dënimi me pushkatim i Dobrunës ndaj Kuçit kërkon hulumtim

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërkaq, analistit politik, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot” tha se aderimet në çdo parti politike mund të gjykohen në këndvështrime të ndryshme. Ai tha se në vendin tonë subjektet politike më shumë i gjykojnë personalitetet në fuqinë e tyre politike që kanë në popull, sesa në aspektin intelektual dhe moral të tyre.

“Aderimet e reja në çdo subjekt politik janë për tu gjykuar në këndvështrime të ndryshme, pasi e kaluara e çdo anëtari të aderuar le shumë për të dëshiruar. Por, çdoherë partitë politike më shume e gjykojnë në kontekstin e fuqisë politike që ka në popull e jo edhe aq shumë personalitetin e tij/saj intelektual e moral”, u shpreh Ahmeti.

Pavarësisht se aderimi i ish-kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna është vlerësuar në këndvështrime të ndryshme, sipas Ahmetit Dobruna është një aset profesional që mund të kontribuoi në Vetëvendosje.

“Aderimi i z.Sokol Dobruna në Vetëvendosje, si ish kryetar i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një akt, i cili është vlerësuar në aspekte të ndryshme. Mendoj së zoti Dobruna edhe pse i shtyrë në moshë është një aset i pakontestueshëm në aspektin profesional, i cili mund të kontribuoj në këtë subjekt politik. Kurse në rrafshin personal e privat nuk dua të komentoj dhe nuk dua të ndërtoj teori të cilat më shumë i takojnë spekulimeve”, theksoi Ahmeti.

Në fund, Ahmeti tha se dënimi me pushkatim i Sokol Dobrunës ndaj Blerim Kuçit është një çështje që kërkon hulumtim më serioz, se thjeshtë një gjykimi subjektiv.

“Gjithë percepcioni mbi personalitetin e tij është reduktuar , pasi gjatë luftës i njëjti kishte dënuar me pushkatim Blerim Kuçin, aktualisht ministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Mendoj se është një çështje që kërkon hulumtim e nuk na jep komoditetin të gjykojmë në rrafshin subjektiv një çështje te tillë”, përfundoi Ahmeti.

Mehmeti: U ngrit shumë pluhur rreth kësaj çështje, pa nevojë

Image
Faton Mehmeti

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, gjatë një bashkëbisedimi me gazetën “Bota sot” e mbështeti aderimin e Sokol Dobrunës në Lëvizjen Vetëvendosje. Madje ai deklaroi se është “ngritur pluhur” rreth kësaj çështje më shumë se që duhet.

“Në fakt është e drejtë e çdo njeriut të aderoj në atë parti politike, ku mendon se mund të jep kontribut, mbi të gjitha aty ku e gjen veten. Mendoj se është ngritur shumë pluhur rreth kësaj çështje, krejtësisht pa nevojë, pasi z.Dobruna akoma nuk është dënuar, as nuk është njeri me vepër penale etj”, u shpreh Mehmeti.

Mehmeti tha se nëse ndodh që të konfirmohet se Dobruna ka lëshuar vendim për ekzekutim të shqiptarëve në kohë lufte, atëherë Vetëvendosje duhet të distancohet nga ky njeri.

“Nësë konfirmohet se z.Dobruna ka lëshuar vendime për ekzekutimin e shqiptarëve gjatë luftës, atëherë VV dueht të distancohet nga ky njeri. Megjithatë, aderimi i tij pikërisht në këtë kohë kur ish komandantët po gjykohen në Hagë, e bën më komplekse këtë çështje, dhe mbi të gjitha rikthen tezat se gjoja VV dëshiron të sabotoj UÇK-në, etj”, theksoi Mehmeti.

Mirëpo, derisa nuk ka një konfirmim të tillë, Mehmeti nuk sheh asgjë të keqe në aderimin e Sokol Dobrunës në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Personalisht nuk shoh diçka të keqe në aderimin e z.Dobruna, përderisa ska vendim gjyqësor ndaj tij, e nëse ndodh një gjë e tillë dhe shpallet fajtor, për urdhërat e tij kundër shqiptarëvë, atëherë VV dueht të distancohet, dhe ta largoj nga partia. Deri atëherë, çdo gjë që thuhet ska asnjë fije kuptimi”, përfundoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat