Edhe me qeverinë Hoti, vazhdon numri i lartë i zëvendësministrave!

Politika

Edhe me qeverinë Hoti, vazhdon numri i lartë i zëvendësministrave!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 nëntor 2020 Në ora: 08:30
Qeveria Hoti

Në 16 ministri, sa janë aktualisht në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti, janë të punësuar plot 49 zëvendësministra. 

Sa ishte pjesë e opozitës Hoti kishte qenë mjaft kritik ndaj qeverisjes së Ramush Haradinajt për numrin e madh të zëvendësministrave. Megjithatë, tashmë kur i njëjti po udhëheq me ekzekutivin numri i zëvendësministrave është përsëri i lartë. 

Në një përllogaritje  paga e një zëvendësministri është 1300 euro. Bazuar në këtë një pagë vjetore e një zëvendësministri sillet rreth 15 mijë e 600 euro. 

49 zëvendësministrat vetëm paga vjetore nga thesari i shtetit do të marrin 764 mijë e 400 euro. 

Analistët politik vlerësojnë se kryeministri Avdullah Hoti me këtë qeveri megalomane nuk e ka pasur qëllimin për të qeverisur, por për tu bërë kryeministër 

Sipas tyre, kjo për faktin se kjo qeveri megalomane dhe e interesave reciproke të partive politike e të koalicionit me dorën e zgjatur të Beogradit zyrtar, nuk është prej qytetarëve. 

Jashari: Qeveri që ka rreth 50 zv/ministra, nuk ka si të quhet ndryshe përveç një zhvatje e buxhetit 

Analisti politik Shemsi Jashari ka  thënë se thyerja e premtimeve parazgjedhore për fat të keq, është bërë e zakonshme dhe kjo është një tregues që kemi të bëjmë me një mentalitet të njëjtë politik nga të gjitha partitë politike.  

Sipas tij, në zgjedhjet e fundit pati premtime dhe u besua se qeveria që do të dilte nga zgjedhjet e tetorit 2019,do ti jepte fund "Mega Qeverive" por doli të ishte një mashtrim.  

Image
Shemsi Jashari

“Tani një qeveri e cila ka rreth 50 zv/ministra e për të cilët askush nuk e din se çka në fakt bëjnë, nuk ka si të quhet ndryshe përveç një zhvatje e buxhetit dhe një tentim për të blerë paqen mes partnerëve të koalicionit duke iu dhënë pozita që nuk kanë kurrfarë rëndësie përveç shpenzim i buxhetit pa arsye. Derisa nuk kemi një subjekt politik që fiton shumicën në kuvend dhe nuk varet nga shumë parti për të ndërtuar qeveri, do ta kemi këtë gjendje me shumë ministra e zv/ministra që janë barrë e buxhetit. Tani që përballemi më krizë ekonomike dhe paqartësitë që ka sjellë pandemia "Covid 19" rreth mundësisë për tu rikthyer në zhvillim ekonomik, është shumë abuzive dhe e papërgjegjshme të kemi aq shumë zv/ministra e shpenzime për ta përderisa nuk shihen rezultatet e punës së tyre”, ka thënë analisti Shemsi Jashari. 

Mehazi: Kurrsesi nuk mund ta duan popullatën qeveritë që në çdo dikaster qeverisës ka nga katër a pesë zëvendëskryeministra 

Ndërsa njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë se arsyeja se përse u bashkuan partitë e korruptuara tog për ta rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit shihet hapur, derisa sa Albin Kurti si kryeministër jo që përgjysmoi rrogën e vet e të ministrave, por thuajse përgjysmoi edhe dikasteret ministrore.  

Image
Sulejman Mehazi

“Të harxhohet 764 mijë euro në vit për grumbull dembelësh, ministrash e zëvendësministrash në republikën më të varfër në botë jo që janë abuzime qeverisëse të Hotit, po ende më shumë, kanibalizëm politikë e shtetëror ndaj popullatës së Kosovës, 16 ministri të Hotit, sa janë aktualisht në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti me plotë 49 zëvendësministra, i vjen sikurse duan ta hanë për së gjalli popullin e gjorë të Kosovës. Ja pse i frikohen Albin Kurtit e nuk mund t'i dalin në ballë, pse nuk duan zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, po vetëm për t'i kanibalizuar qytetarët, qeverinë e Republikën e Kosovës”, ka thënë profesor Mehazi. 

Sipas tij, populli sheh e vëren se kush e do Kosovën për ta zhvatur, e kush e do për ta rregulluar. 

“ Kurrsesi nuk mund ta duan popullatën qeveritë që në çdo dikaster qeverisës ka nga tre, katër a pesë zëvendëskryeministra, kjo ndodh vetëm në qeveritë e Haradinajt Hotit në Kosovë e askund tjetër në botë. Asnjë shtet i fuqishëm në botë nuk mund t'i përballonte 16 ministri e 49 zëvendësministra përveç të atyre që duan ta zhvatin e ta hanë shtetin sikurse qeveria e Hotit”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi. 

Ahmeti: Qeveria Hoti është instrument i partive të koalicionit qeverisës 

Kurse analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se Kryeministri Avdullah Hoti me këtë qeveri megalomane nuk e ka pasur qëllimin për të qeverisur, por për tu bërë kryeministër. 

Sipas tij, kjo për faktin se kjo qeveri megalomane dhe e interesave reciproke të partive politike e të koalicionit me dorën e zgjatur të Beogradit zyrtar, nuk është prej qytetarëve. 

Image
Hidajet Ahmeti

“Me këtë kabinet qeveritar, shihet qartë se kjo qeveri nuk e ka mundësinë për të funksionuar brenda kornizës së interesave të trupit publik. Kjo është një qeveri për një komunitet të vogël njerëzish, e brenda kornizës së interesave të këtij komuniteti të vogël njerëzish. Qeveria Hoti, posaçërisht kryeministri Hoti është instrument i partive të koalicionit qeverisës, pasi që më fuqinë politike që ka LDK-ja do të jetë e pamundur që t’i ketë duart e lira në pretendimin e saj për një qeverisje të mirë e në dobi të trupit publik”, ka thënë Ahmeti. 

Ai konsideron se në këto rrethana te reja pandemie, Qeveria Hoti do ta ketë të pamundur ta përfundoj mandatin qeverisës, pasi problemet e qytetarëve çdo ditë e më shumë po akumulohen.  

“Në këtë kabinet qeveritar japin një mesazh të qartë se kemi një qeveri të luksit, një qeveri e dobët dhe jetëshkurtër, një qeveri e varur nga dora e zgjatur e Beogradit zyrtar, e mbi të gjitha një kryeministër i dirigjuar nga brenda partive të koalicionit, por edhe nga jashtë prej Beogradit zyrtar. Me të gjitha këto atribute, Qeverinë Hoti do ta pretë fati i rrëzimit”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat