“Kosova gjendet në një situatë aspak të mirë pandemike”

Politika

“Kosova gjendet në një situatë aspak të mirë pandemike”

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 13:45
Ilustrim

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se përkeqësimi i gjendjes përkundër shtimit të masave mbrojtëse, të ndërmarra nga Qeveria, dëshmon se aktualisht Kosova gjendet në një situatë aspak të mirë pandemike.

“Shifrat alarmante të të infektuarve me koronavirus në Kosovë sa vije e po rriten, madje gjatë këtij muaji numri i personave të infektuar është dukshëm më i madh gjë që e bënë gjendjen edhe më kaotike në vend. Përkeqësimi i gjendjes përkundër shtimit të masave mbrojtëse, të ndërmarra nga Qeveria, kufizimit të lëvizjes dhe të gjitha rregullave strikte si pjesë e luftës së vazhdueshme kundër përhapjes së virusit Covid-19, e cila megjithatë, nisur nga numri i madh i personave të infektuar, po rëndohet dita e ditës, dëshmon se aktualisht Kosova gjendet në një situatë aspak të mirë pandemike”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej,  ai ka shtuar se koalicioni nuk po arrin të bëjë kuorum të mjaftueshëm, qoftë edhe për votimin në Kuvend të projekt buxhetit të shtetit në këtë gjendje të rëndë pandemie.

“Kështu që vijimi i gjendjes së tillë, jo vetëm se mbingarkon kapacitetet shëndetësore, por i qon ato edhe drejt limiteve të fundit, kur stafet mjekësore detyrohen tu ofrojnë ndihmë pacientëve në mënyrë selektive, apo të vendosin të përkujdesen kryesisht për pacientët të cilët kanë gjasa më të mëdha ti mbijetojnë sëmundjes, siç thuhej se veprohej në valën e parë të pandemisë, në Itali e ndonjë vend tjetër. Kjo dëshmon se veçanërisht në situata të tilla, pushteti dhe qeverisja e vendit nuk mund të mbahen për kohë të gjatë, me forcë as inate partiake, e këtë më së miri e vërteton vet fakti se koalicioni i brishtë i pozitës minore, nuk po arrin në asnjë mënyrë jo vetëm koncensuesin e nevojshëm, por as të bëjë kuorum të mjaftueshëm, qoftë edhe për votimin në Kuvend të projekt buxhetit të shtetit, në këtë gjendje të rëndë pandemie”, ka  potencuar Qarri për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai deklaruar se e vetmja mundësi për të dal shteti nga kriza e tanishme, janë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

“Ndërsa sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, së fundmi ka rezultuar pozitiv me Covid19, gjë që e ka futur Kosovën në një krizë edhe më të thellë politike dhe e bënë situatën në vend gjithnjë e më alarmante. Ndaj në gjendjen çfarë ndodhet aktualisht Kosova, e vetmja mundësi për të dal shteti nga kriza e tanishme , e cila sa vije e po bëhet edhe më e paparashikueshme, janë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen sa më parë dhe për kohë sa më të shkurtër, në mënyrë që të formohet një Qeveri e dalë nga vota e sovranit dhe që gëzon besimin e shumicës së popullit të Kosovës”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat