A po manipulohet emri “Liri” me sloganin “Liria Ka Emër”?

Politika

A po manipulohet emri “Liri” me sloganin “Liria Ka Emër”?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 21 nëntor 2020 Në ora: 19:39
Ilustrim

“Liria Ka Emër” – është një nga platformat më të komentuara kohëve të fundit, e cila ka si synim të japë kontributin e saj në debatin e rihapur mbi rrugëtimin tonë si shoqëri drejt lirisë. Meqë rast duke transmetuar histori të luftëtarëve të UÇK-së.

Platforma “Liria Ka Emër”, është formuar nga një grup deputetësh të PDK-së dhe disa aktivistë.

Për këtë platformë ka reagime të ndryshme në shoqërinë tonë, disa thonë që është e mire e disa të tjerë tepër e vonshme.

Këtë e kanë komentuar edhe disa nga njohësit e çështjeve politike.

Duhanaj: Liria nuk mund të ngulfatet përmes identifikimit të ngushtë

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ky termë është më i gjerë se sa veç një emër është një konglomerat vlerash njerëzore, slogani i përdorur mund të cilësohet si një përpjeke për t’u solidarizuar me të akuzuarit, por sipas tij nuk është as e drejtë dhe as e duhur që liria të përkufizohet përmes identifikimit të ngushtë.

“Liria, është term shumë kompleks, shumë me i gjerë se sa të jetë veç emër. Pra, liria është një konglomerat vlerash njerëzore të cilat janë të lidhura me vendin me entitetin, identitetin në kontekst vlerash dhe të drejtat individuale dhe kolektive të tyre. Ndoshta slogani i përdorur në ketë rast, mund të cilësohet si një përpjekje për t'u solidarizuar me të akuzuarit nga Gjykata Speciale e që mund të përshëndetet si akt. Por, nuk mendoj që liria mund të përkufizohet dhe të ngulfatet përmes identifikimit të ngushtë, sepse së pari nuk është e drejt dhe se dyti nuk sjellë efektin e duhur”, u shpreh Duhanaj.

Më tej ka theksuar se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve që u derdhur ndër breza është gjëja më me vlerë, prandaj duhet ta bëjmë të mundurën që kjo liri e fituar pjesërisht, të fitohet plotësisht.

“Për mendimin tim, nëse flasim për tërësinë e vlerave dhe nëse nxjerrim ndonjërën si më me vlerë, atëherë do thoja që është gjaku i dëshmorëve dhe martirëve që u derdh ndër breza e posaçërisht në luftën e fundit. Pra, ne si shoqëri, duhet të bëjmë gjithë çka është e munduar që kjo liri e fituar pjesërisht, të fitohet plotësisht. Ku themi pjesërisht mendoj që ne e fituam lirinë me luftë por nuk ja dolëm ta përplotësojmë atë në paqe”, tha ai.

Ai shtoi se ne po e humbin paqen, por, paqja nuk fitohet duke i mbushur xhepat me djersën e qytetarëve, duke e akuzuar njëri tjetrin dhe duke u përçarë për interesa partiake.

“Pra ne po e humbin paqen. E paqja nuk fitohet duke u përçarë për interesa klanore e partiake por duke bashkëpunuar pa rezerva në shërbim të qytetarëve dhe vendit. Duke krijuar konsensus nacional për çdo çështje me rëndësi kombëtare e jo duke akuzuar njëri tjetrin, përderisa i mbushim xhepat me djersën e qytetarit të varfër”, përfundoi Duhanaj.

Elezaj: Po manipulohet emri “Liri”

Image
Rexhep Elezaj

Ndërsa, sipas analistit Rexhep Elezaj, emri “Liri” në Kosovë është bërë “objekt” midis partive, duke e manipuluar këtë emër për ta mundur kundërshtarin politik, sikur bëhet fjalë për një armë me të cilin duhet mbrojtur barrikadën në frontin e luftës politike në Kosovë.

“Mjerisht, në Kosovë me vite të tëra liria e saj është bërë “objekt” për kusuritje midis partive dhe oponentëve politik dhe, sa herë që i acarojnë raportet liderët e tyre partiak, i tërë zinxhiri militant i tyre, pa asnjë dallim, sa ora thirrën në meritat e veta për arritjen e lirisë, duke manipuluar me emrin “Liri”, kryekëput për ta mundur kundërshtarin politik, sikur të bëhej fjalë për një “armë” e cila godet fortë “armikun” si dhe me të cilën duhet mbrojtur barrikadën në frontin e luftës politike në Kosovë”, tha Elezaj.

Analisti më tej theksoi se mosnjohësit më të mëdhenj të vlerës që ka liria, janë këta që kanë ngritur pankartën me titull “Liria ka emër”, sepse ata që e kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, asnjëherë nuk e kanë shkelur lirinë e popullit të vetë, sikurse ata “çlirimtarë” që kanë vjedhur dhe uzurpuar shtetin e Kosovës.

“Prandaj, ata të cilët sot e kanë ngritur pankartën me titull; “Liria ka emër..” duke e vendosur në fund emblemën e UÇK-së, , në fakt janë mos njohësit më të mëdhenj të vlerës që ka liria, dhe këtë e kanë dëshmuar në vepër, sepse çlirimtarët e vërtetë, atë të cilët e kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, dhe ata çlirimtarë që kanë pasur fat të mos vriten në front, kurrë pas luftës e deri me sot nuk e kanë shkelur lirinë e populli të vetë, sikur që kanë bërë ata “çlirimtarë” të cilët në 20 vitet e pas luftës kanë vjedhur, plaçkitur si dhe uzurpuar brutalisht pasuritë më të vlefshme të popullit dhe shtetit të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se Liria ka emër vetëm për popullin shqiptar të Kosovës që i kanë bërë rezistencë kundër okupimit dhe tmerrit që ua solli shteti Serb, ka emër për dëshmorët e Kosovës, gratë e dhunuara dhe për mërgatën patriotike në Evropë.

“Lira ka emër vetëm për popullin shqiptar martir të Kosovës, i cili bëri rezistencë dhe luftë të pa parë ndonjëherë në histori kundër okupimit, dhe çka jo tjetër nga tmerret që ua solli një shtet barbarë dhe gjenocidal, siç është Serbia fashiste. Liria ka emër për mijëra heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës,gratë shqiptare të dhunuara, për nënat që atdheut ia falën djemtë dhe vajzat më të mira, për baballarët të cilët lirisë i dhanë emër duke ia falur ushtrisë sonë çlirimtare djemtë e tyre më të shtrenjtë, liria ka emër për mërgatën patriotike shqiptare në Evropë, SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, e cila ia dha ushtrisë tonë çlirimtare (UÇK) ushtarët më trima nga radhët e saj (kujto vetëm Batalionin “Atlantiku nga SHBA, etj”, tha ai.

Elezaj shtoi se grupet e caktuara kriminale që e kanë keqpërdorur emrin “Liri” nuk kanë të drejtë morale dhe as kombëtare të thirren në emrin e Lirisë së Kosovës, por të u vie turp për hajnitë dhe varfërinë që i kanë shkaktuar popullit të Kosovës.

“Mendoj se keqpërdorimi i emrit “LIRI” për interesa të individëve dhe grupeve të caktuara kriminale, të cilët në emër të lirisë e kanë zhvatur pa kurrfarë dhimbjeje dhe turpi shtetin dhe buxhetin e Kosovës, nuk kanë të drejtë morale dhe as kombëtare që të thirren në emrin e Lirisë së Kosovës, veç se duhet t’iu vijë turp për hajnitë dhe varfërinë që ia kanë shkaktuar popullit tonë heroik, i cili sot e 20 vite vazhdon të vuajë për bukë goje, ujë, veshmbathje, arsim dhe shëndetësi të denjë”, përfundoi Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat