Vjosa Osmani me vendim të drejtë për Rikallon

Politika

Vjosa Osmani me vendim të drejtë për Rikallon

Nga: A.Z Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 17:06
Vjosa Osmani

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke u mbështetur në Kushetutën e Republikës së Kosovës, para disa dite ka marrë vendim t’ia ndërpresë mandatin në Komisionin Qendror Zgjedhor, përfaqësuesit të Listës Serbe, Nenad Rikalo.

Ky vendim është marrë pasi që Rikalo, ditë më parë nga Qeveria e Serbisë ka marrë pozitë të lartë në të ashtuquajturën “Zyre për Kosovën”. I cili është emëruar si ndihmës i përkohshëm i shefit të Zyrës së Kosovës sipas një vendimi të Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Në lidhje me këtë ka pasur reagime të shumta, në një prononcim për “Bota sot”, analisti Rexhep Elezaj e ka përkrahur vendimin e Vjosa Osmanit, sipas tij ajo asnjëherë nuk merr vendime të gabuara, kështu që edhe largimin e Nenad Rikalos si përfaqësues i “Listës Serbe”, e ka marrë në harmoni të plotë me ligjin zgjedhor si dhe me rregulloren e punës së KQZ-së.

“Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, si profesoreshë e shkencave juridike, në asnjë rrethanë nuk merr vendime të gabuara, sidomos të tilla që kanë të bëjnë me çështje profesionale juridike, siç është mandati i përfaqësuesve partiak në Komisionin qendror zgjedhor (KQZ), pa marrë parasysh përkatësinë etnike të tyre. Pra, pasi që përfaqësuesi i “Listës Serbe” në KQZ, Nenad Rikalo, nuk ka dhënë vetë dorëheqje nga kjo detyrë, sepse qenka emëruar në një pozitë të lartë pranë të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” pranë qeverisë së Serbisë, u.d. së presidentes, znj. V. Osmani, vendimin për ndërprerjen e mandatit të tij në KQZ, e ka marrë në harmoni të plotë me ligjin zgjedhor si dhe me rregulloren e punës së KQZ-së”, tha ai.

Si temë të veçantë Elezaj thotë se duhet të jenë rolet dhe pozitat e disa anëtarëve të kryesisë dhe grupit parlamentar të “Listës Serbe” që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat politike të Beogradit, duke punuar në organet dhe administratën shtetërore të Kosovës.

Ai thotë se çështjen e interesat e tyre përmes “Listës Serbe”, qeveria e Kosovës duhet ta analizoj dhe merr vendim lidhur me përfaqësimet e tyre në organet shtetërore të Kosovës.

“Por, ajo që duhet të shtrohet si temë e veçantë, është pa dyshim, çështja e rolit dhe e pozitave të dyfishta të disa anëtarëve të kryesisë dhe grupit parlamentar të “Listës Serbe”, të cilët në të njëjtën kohë punojnë në organet dhe administratën shtetërore të Kosovës, kurse në anën tjetër i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat politike dhe strategjike të Beogradit zyrtar në Kosovë. Ky rol dhe kjo pozitë e dyfishtë e tyre, edhe si përfaqësues gjoja të interesave të komunitetit serb në Kosovë përmes “Listës Serbe”, dhe, edhe si gardianë të interesave të Serbisë në Kosovë, kjo është një çështje të cilën qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta analizojë dhe merr vendim adekuat lidhur me përfaqësimin e tyre në organet shtetërore të Kosovës, sa është ai real”, tha ai.

Politikën e tyre e ka quajtur partenalizëm të kulluar të Beogradit zyrtar mbi Kosovën dhe shtet-ndërtimin e saj, por dhe tallje dhe rrezikshmëri për shtetin e Kosovës si dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

“Me këtë lojë politike të tyre, përveç se kjo vazhdon të jetë tallje e paskrupullt me shtetin e Kosovës, në fakt është taktikë shumë e rrezikshme për Kosovën si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ngase kjo lojë nuk është gjë tjetër përveç paternalizëm i kulluar i Beogradit zyrtar mbi Kosovën dhe shtet-ndërtimin e saj. Ajo çka është edhe më e keqe, “Lista Serbe” kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe as që do ta pranojë deri në momentin kur Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur”, tha ai.

Më tej ka shtuar se po të kishte Kosova një qeveri të mirëfilltë deri tani do të definohej edhe statusi i dyfishtë i “Listës Serbe”, mandje duke ndryshuar edhe Nenin e Kushtetutës aty ku bëhet fjalë për organet shtetërore të Kosovës.

“Kështu që, po të kishte pasur Kosova qeveri të mirëfillta deri më tash, qysh moti do duhej ta definonte statusin e dyfishtë të “Listës Serbe”, duke e ndryshuar së pari Nenin e Kushtetutës së Kosovës aty ku bëhet fjalë për përfaqësimin e minoriteteve në Kuvendin dhe organet tjera shtetërore të Kosovës, dhe pastaj vetëm përfaqësuesit e vërtetë vendor të komunitetit serb në Kosovë, të zgjedhur nga votuesit lokalë serb në gjithë Kosovën, do mund t’i përfaqësonin interesat e serbëve në Kosovë, e jo për çdo vendim politik të tyre ta konsultojnë dhe marrin leje nga Beogradi”, tha ai.

Tutje ka theksuar se qeveria e Kosovë duhet ta ndalojë dhe pengojë “Listën Serbe” përderisa ajo nuk i përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kosovë, por , vetëm interesat e kauzës “hyjnore” të popullit hegjemon serb për pushtimin e Kosovës dhe formimin e Serbisë së madhe.

“Pra, “Lista Serbe” nuk i përfaqëson fare interesat e komunitetit serb në Kosovë, veçse fund e krye interesat e kauzës “hyjnore” të popullit hegjemon serb për ripushtimin e Kosovës si dhe formimin e Serbisë së madhe, gjë të cilën qeveria e Kosovës duhet ta pengojë dhe ndalojë sipas të gjitha ligjeve në fuqi, përndryshe derisa nuk do ndodhë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, janë të kota orvatjet për pajtim historik midis serbëve dhe shqiptarëve si dy kombe të veçanta në Ballkan për nga entiteti, gjuha dhe kultura, mbase me një bagazh tejet tragjik për shkak të gjenocideve të tmerrshme të cilat qeveritë e Serbisë i kanë kryer ndaj shqiptarëve”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat