Kërcënimet e frikshme nga Sheshel, ish-gazetari i luftës i kundërpërgjigjet serbit...

Politika

Kërcënimet e frikshme nga Sheshel, ish-gazetari i luftës i kundërpërgjigjet serbit...

Nga: G.B Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 23:07
Avdullah Hoti Aleksandar Vucic

Ditë më parë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri deklaratë për luftë ndaj Kosovës, që nxiti reagime të shumta.

Ndërsa sot, Vojislav Sheshel, ka thënë se ushtria serbe duhet të futet në Kosovë.

E duke pasur deklarata të tilla së fundmi, si mund të shpresohet për dialog të mirëfilltë me serbët apo njohja nga ana e Serbisë?

Lidhur me këtë, ish gazetari i luftës dhe publicisti Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se serbët pasi dështuan të veshin kostumin e viktimës, po lehin si qeni hënës.

"Serbët ngaqë dështuan të vishnin kostumin e viktimës, ngaqë nuk e kthejnë dot rrotën e historisë, ngaqë nuk e marrin kurrë më Kosovën as me luftë as me paqe, duke shfrytëzuar naivitetin e shqiptarëve, kërkënojnë, ose e thënë më butë, lehin si qeni i leh hënës", është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, shqiptarët gabojnë që mendojnë se do t'i njohë Serbia, pasi politikanët serb nuk e pranojnë se e kanë humbur Kosovën dhe nuk pritet që ata ta nënshkruajnë njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia.

"Shqiptarët gabojnë kur mendojnë e shpresojnë se do t'i njohë Serbia. Politikanët aktualë serb, që kanë qenë aktivë e të rëndësishëm kur Amerika dhe bota ia shkëputë Kosovën Serbisë me luftë, nuk e pranojnë dot që vetë ata ta njohin Kosovën sepse ata ndjehen dyfish e shumëfish të poshtëruar në vendin e tyre. Ata nuk kanë çfarë të bëjnë se Kosovën ua morën dhe kërcënojnë, por nuk pritet që ata ta nënshkruajnë njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia", ka vlerësuar Shahu.

Më tej, ai shton se shqiptarët dduhet të bëjnë marrëveshje sa munden ta bëjnë por të mos shpresojnë për njohje, Kosova është shtet i pavarur, duke shtuar se vetëm presioni amerikan mund ta detyrojë Serbinë të mos e pengojë askund Kosovën.

"Mendoj se shqiptarët duhet të jenë esëll për këtë gjë dhe të rrinë, të bëjnë marrëveshje sa mundin të bëjnë, të fitojnë çfarë mundin të fitojnë, por nuk kanë pse shpresojnë t'i njohë Serbia. Shqiptarët e morën Kosovën, e bënë shtet, e njohin më shumë se 100 shtete dhe tani kërkojnë ende nga ata politikanë serb që kanë luftuar me armë në dorë për ta mbajtur Kosovën. Vetëm ndonjë presion i fortë amerikan mund të detyrojë Serbinë të mos e pengojë askund Kosovën ose tu ofrojë pazar të leverdishëm shumë serbëve dhe ata bëjnë lëshime", ka theksuar ai.

Shahu vlerëson se deklaratat e tyre janë si flluska sapuni sepse ushtria nuk mund të futet kur në Kosovë janë amerikanët e NATO por me këto duan të turbullojnë, derisa Kosova e Shqipëria janë në një zë.

"Deklaratat e Vuçiçit për luftë dhe të Sheshelit janë flluska sapuni sot për sot sepse Kosova sot është në duar të tjetër kujt, por Kosova duhet ta bëjë sa më të fortë ushtrinë e saj për të ardhmen. Nuk e bën dot Serbia sot aventurën të fus ushtrinë në Kosovë se dalezotësit e Kosovës amerikanët e NATO janë në Kosovë, por ata bëjnë presione dhe duan të turbullojnë e të çakordojnë edhe tek shohin se nuk janë në një zë Shqipëria e Kosova. Unë nuk shpresoj as besoj për njohje të Kosovës nga Serbia, do të ishte mrekulli", ka deklaruar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat