Heshtja e Kurtit, Hoxhajt dhe Haradinajt para Xhemajl Mustafës! A kanë frikë “Shtabi i LPK-së” për këtë vrasje?

Politika

Heshtja e Kurtit, Hoxhajt dhe Haradinajt para Xhemajl Mustafës! A kanë frikë “Shtabi i LPK-së” për këtë vrasje?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 nëntor 2020 Në ora: 18:55
Xhemajl Mustafa, foto ilustrim nga “Bota sot”

Dje janë bërë 20 vite që nga vrasja e zëdhënësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhemajl Mustafa. Por, edhe pse kanë kaluar dy dekada, institucionet e vendit edhe me tej nuk kanë arritur ta zbardhin këtë vrasje.

Xhemajl Mustafa, ishte këshilltar dhe zëdhënës i presidentit historik Ibrahim Rugova, ishte punëtor i palodhshëm për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.

Ai ishte ndër themeluesit dhe anëtarët e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili u dallua si intelektual i shquar dhe një nga figurat më të spikatura të kësaj partie.

E, përkundër që kaluan 20 vite dhe kjo vrasje po vazhdon të mbetet mister, për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u.d kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, dhe për ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj, ky përvjetor nuk u bëri fortë përshtypje.

Të tre liderët e partive politike në vend, dje por as edhe sot, nuk e kanë bërë asnjë reagim me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së Xhemajl Mustafës.

Veprimtarët e LDK-së, por edhe analistët e çështjeve politike, japin mendimet e tyre lidhur me heshtjen e Kurtit, Hoxhajt dhe Haradinajt, me rastin e 20 vjetorit të kësaj vrasje.

Ata e konsiderojnë si normale këtë heshtje, pasi thonë se këta të fundit i takojnë ish-shtabit të LPK-së, sipas të cilëve edhe kanë përgjegjësi për të gjitha vrasjet politike në Kosovë.

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, ka analizuar me theks të veçantë heshtjen e liderit të VV-së, Albin Kurti, për të cilën ka thënë se krejt kjo po ndodhë pas shkuarjes së Rexhep Selimit në Speciale, person ky si i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemajl Mustafës.

E ishte viti 2018, kur vajza e Xhemajl Mustafës, Beriane Mustafa, tha se Prokuroria duhet ta kontaktojë ish-deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi për vrasjen e babait të saj. Krejt kjo për shkak që sipas Mustafës, pas transmetimit të një dokumentari, ku thuhej se prapa urdhrit për vrasjen e babait qëndron një deputet.

“Flitet për Rexhep Selimin, ka qenë një fjalim i tij ku mas një kronike që është përgatit, për një polic dhe prej një deputeti të Kosovës, jo që unë e kam ditë që bëhet fjalë për Rexhep Selimin, por që shfajësimi i tij disa ditë mbrapa në Kuvend, me len me besu që është bë për to. A qëndron Rexhep Selimi mbrapa kësaj vrasjes apo mbrapa urdhrit për këtë vrasje, është prokuroria e shtetit e cila duhet me i trokit në derë Rexhep Selimit dhe me i thonë hajde urdhno”, kishte thënë Beriane Mustafa.

Kujtojmë që Xhemajl Mustafa është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë. Teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ai ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.

Saim Tahiraj: Kurti, Hoxhaj e Haradinaj i takojnë ish-shtabit të LPK-së – janë përgjegjës për të gjitha vrasjet politike

Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i Sali Çekajt, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se të tre liderët e partive politike që heshtën në 20 vjetorin e vrasjes së Xhemajl Mustafës, i takojnë ish-shtabit të Lëvizjes Popullorë të Kosovës, të cilët edhe kanë përgjegjësi për të gjitha vrasjet politike gjatë luftës dhe pasluftës.

Image
Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i Sali Çekajt

“Mos reagimi i këtyre tre liderëve të së keqes, është krejtësisht normale sepse i takojnë ish-shtabit të LPK-së të cilët kanë përgjegjësi për të gjitha vrasjet politike gjatë luftës dhe pasluftës. Njëra ndër vrasjet politike më kriminale ishte edhe vrasje e Xhemajl Mustafës, për të cilën mbanë përgjegjësi po ai shtab. Kjo nuk është hera e parë që ky brumë heshtë edhe për Xhemën dhe të tjerët, por më mirë të heshtin se çdo fjalë përkujtimi nga ata është fyerje për personalitetin madhështor të Xhemës. Këta jo vetëm që kanë heshtur që nga paslufta, por e kanë penguar edhe drejtësinë që të merret me këtë rast dhe raste të tjera”, ka thënë Tahiraj.

Tutje, ai ka shtuar se pikërisht kjo heshtje e tyre, ka bërë që detyrimisht të krijohet një gjykatë, e cila do merret me zbardhjen e vrasjes kriminale të Xhemajl Mustafës dhe të tjerëve.

“Ky veprim i tyre detyrimisht solli edhe formimin e Gjykatës Speciale, e cila do merret me zbardhjen e vrasjes kriminale të Xhemajl Mustafës dhe të tjerëve. Mu për këtë arsye ka filluar një fushatë e ashpër kundër kësaj gjykate. Deri sa ka vërshuar parulla “Liria ka emër”, me të cilën po e terrorizojnë popullin shqiptarë përmes RTK-së, e cila ishte dhe vazhdon të jetë në shërbim të krimit, më e ndershëm dhe humane do ishte të përkrahet drejtësia. Fundja televizioni publik këtë detyrë e ka, sepse financohet nga paratë e popullit ka”, thënë Tahiraj.

Ai ka disa kritika ka edhe për televizionin publik, pasi kjo e fundit ka filluar një fushatë në mbrojtje të të akuzuarve nga Specialja, ndërsa thotë se “Liria nuk ka emër”, pasi sipas tij, ajo u vra me njerëzit më të mirë që kishte Kosova.

“Liria nuk ka emër sepse ajo u vra së bashku me Xhemën, me Enverin, Ukën, Tahirin, Ahmetin, Hasanin, Ukën, Smajlin, Ismetin, Shabanin dhe shumë të tjerë. Liria vazhdon të jetë e vrarë deri sa nuk zbulohen këto vrasje dhe drejtësia të vihet në vendin e vetë. Vrasjet politike kanë emër, urdhërdhënësit kanë emër, kriminelët kanë emër. Shpresojmë shumë se këta emra do t’i thotë Gjykata Speciale duke ju dhënë dënimin e merituar. Vetëm kurë dënohen kriminelët liria do ringjallet dhe do jetë e lirë në Kosovë”, ka nënvizuar ish-ushtaraku i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Saim Tahiraj.

Haki Latifi: E habitshme heshtja e Kurtit, Hoxhajt dhe e Haradinajt

Ndërsa, veprimtari hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër, Haki Latifi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se është e habitshme heshtja e liderëve të partive politike në Kosovës.

Latifi shprehet se vrasjet politike të pasluftës në Kosovë janë një histori e dhembshme që ka tmerruar qytetarët e Kosovës, gjersa edhe me tej vazhdojnë të mbesin të pazbuluara.

Image
Veprimtari hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër, Haki Latifi

“Është për t’u habitur heshtja e liderëve të disa partive politike në Kosovë kësaj radhe në 20 vjetorin e vrasjes së lajmëtarit të Lirisë, intelektualit dhe atdhetarit, Xhemajl Mustafa, ku përveç LDK-së, e cila vazhdimisht ka kërkuar zbardhjen e këtyre vrasjeve politike dhe vënien e kriminelëve para drejtësisë. Vrasjet politike të pasluftës në Kosovë janë një histori e dhembshme që ka tmerruar qytetarët e Kosovës, ku për habi edhe sot e kësaj dite mbeten të pa zbuluara dhe të pandëshkuara nga drejtësia. Mendoj se, zbulimi dhe ndëshkimi i autorëve të atyre vrasjeve, duhet të jetë dhe bëhet kauzë kombëtare e shtetërore dhe jo vetëm e familjarëve të viktimave dhe e LDK-së”, shprehet Latifi për “Bota sot”.

Sipas veprimtarit të LDK-së, kapja dhe ndëshkimi i krimit dhe kriminelëve, duhet të na përcjellë vazhdimisht në çdo kohë.

“Vetëm pas zbardhjes së vrasjeve dhe ndëshkimit të autorëve të krimeve nga drejtësia, viktimat e shquara publike e politike do të prehën të qetë. Mendoj që duhet të zbardhen edhe vrasjet e gazetarëve, ushtarakëve, funksionarëve politikë (në të cilën shumica ishin funksionar të LDK-së), qytetarëve dhe të gjitha vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë, por edhe në Shqipëri, përfshirë edhe krimet e Serbisë. Vrasjet politike të para, gjatë dhe pasluftës në Kosovë, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një nga zhvillimet e dhimbshme të cilat nuk i ka pritur të ndodhin askush, por që në dy-tri vitet e para në liri, ishin bërë top lajm i keq dhe i dhembshëm jo vetëm për mediet vendore por edhe për ato ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ai është i mendimi se shpresat e familjarëve dhe të qytetarëve mbetën te Gjykata Speciale, pasi këto raste që me dekada mbeten të pazbardhura, janë shëmtia më e keqe që u përket institucioneve.

“Mendoj që është e domosdoshme që këto vrasje të zbulohen, por jo të përdorën për fushata elektorale, por organet e specializuara të veprojnë me intensitetin më të madh të mundshëm duke mos e kursyer askënd që të zbulohet çdo vrasje që ka ndodhur në Kosovë dhe çdo krim që ka ndodh në Kosovë. Tani më, shpresat e familjarëve dhe të qytetarëve mbetën te Gjykata Speciale, pasi këto raste që me dekada mbeten të pazbardhura, janë shëmtia më e keqe që u përket institucioneve shtetërore të Kosovës, sepse, tashmë është plotësisht e qartë se, qëllimshëm kanë heshtur, duke nënkuptuar se, drejtësia në Kosovë është e kapur nga nëntoka e krimit, pra, kriminelët që i kanë bërë vrasjet politike janë më të fortë se drejtësia, ose janë brenda saj si zyrtar të drejtësisë, kështu që e kanë pamundësuar zbardhjen e vrasjeve politike”, tha ai.

Latifi po ashtu ka shtuar se zbardhja e vrasjeve që tronditën Kosovën janë dhe do të mbesin turpi dhe njolla e keqe për Kosovën.

“Është dhe mbetët njollë e keqe dhe turp për Kosovën, shoqërinë dhe institucionet e rendit dhe ligjit. Përveç kësaj, zbardhja e atyre vrasjeve është edhe çështje humane, pasi ekzistojnë shumë familjarë që presin nga drejtësia që të zbardhen vrasjet enigmatike që janë të regjistruara në Kosovën e pasluftës”, ka shtuar veprimtari i LDK-së, Haki Latifi, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Heshtja e Kurtit, Hoxhajt dhe e Haradinajt e kuptueshme - Rexhep Selimi i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemajl Mustafës

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri, e konsideron si të kuptueshme heshtjen e liderëve të partive politike në vend. Ai deklaron se pikërisht kjo heshtje po nënkupton se këta të fundit që vijnë nga i ashtuquajturi “krahu i luftës” janë në panik, pasi vrasja e Xhemajl Mustafës, por edhe vrasjet e tjera politike janë në fokusin e Speciales.

Image
Publicisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri

“Për mua është e kuptueshme heshtja e liderëve të partive politike si Kurti, Haradinaj dhe Hoxhaj në 20 vjetorin e vrasjes së intelektualit Xhemajl Mustafa që njëheri ishte edhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, heshtje kjo që lë për të kuptuar se tani këta lider politik, në veçanti ata që vijnë nga i ashtuquajturi “krahu i luftës” janë në panik pasi vrasja e Xhemajl Mustafës, por edhe vrasjet e tjera politike janë në fokusin e Gjykatës Speciale, e që do t’iu jap epilog këtyre ngjarjeve, nga të cilat lidershipi i partive të caktuara politike në Kosovë, në veçanti nga PDK-ja dhe AAK-ja do të dalin si planifikues dhe urdhërdhënës i këtyre vrasjeve me qëllim të dobësimit të kundërshtarit politik në luftën e tyre për pushtet dhe jo vetëm, ka deklaruar analisti Haziri, për “Bota sot”.

Tutje, ai ndalet edhe te heshtja e Kurtit, për të cilin thotë se, kjo po bëhet për shkak të Rexhep Selimit, ku sipas analistit Haziri, ish-shefi i Grupit Parlamentar të VV-së është i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemajl Mustafës.

“Në këtë rast edhe heshtja e ish-kryeministrit Kurti është gjithashtu për mua e kuptueshme, pasi kjo bëhet për shkak të Rexhep Selimit, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemajl Mustafës, emri i të cilit është përmendur edhe më parë nga shërbime të inteligjencës së shteteve perëndimore dhe me këtë, Selimi pritet të ballafaqohet me drejtësinë në Gjykatën Speciale”, tha Haziri.

E, krejt në fund, analisti politik potencon se heshtja e këtyre liderëve është edhe një sinjal se më në fund drejtësia në Kosovë është duke ndodhur.

“Pra, heshtja e tyre është një sinjal i mirë, se drejtësia që ata kanë menduar se nuk do të ndodhë kurrë, tani të njëjtit janë përballë saj për të gjitha krimet që i kanë kryer, duke përfshirë edhe vrasjen e Xhemajl Mustafës dhe vrasjet e tjera politike gjatë dhe pas periudhës së luftës”, ka thënë në fund, analisti politik Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat