Kjo është arsyeja pse krimineli Sheshel po kërcënon Kosovën me ushtrinë serbe, ja skenari

Politika

Kjo është arsyeja pse krimineli Sheshel po kërcënon Kosovën me ushtrinë serbe, ja skenari

Nga: G.B Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 20:33
Ilustrim

Nuk kanë të ndaluar kërcënimet për luftë nga ana e Serbisë.

Ditë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç bëri një deklaratë të tillë, ndaj të cilës pati reagime të shumta.

E pas tij, ishte politikani serb, Vojislav Sheshel, i cili tha se ushtria serbe duhet të hyjë në Kosovë.

Lidhur me këtë, analisti politik, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Sheshel është babai i frymëzimit ideologjik dhe nacional-fashist të regjimit kriminal të S. Millosheviçit, për të ndezë luftëra pushtuese kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe në fund ndaj Kosovës dhe që nuk pajtohen me humbjen e Kosovës.

"Konsideroj se pyetja e juaj është në kohën e duhur, sepse shqiptarët, sidomos gjenerata e re, duhet ta dinë se kush është krye-çetniku, racisti, fashisti dhe krye-krimineli serb, Vojisllav Shesheli, doktor shkencave, autor i shumë librave me përmbajtje raciste si dhe themelues dhe kryetar i Partisë radikale serbe, të cilin Gjykata e Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi e ka dënuar me 15 vite burg, nga të cilat i ka mbajtur vetëm 12, ngase për shkaqe shëndetësore është liruar në fund të vitit 2016. Me një fjalë, ky është “babai” i frymëzimit, inspirimit ideologjik dhe nacional-fashist të regjimit kriminal të S. Millosheviçit, për të ndezë luftëra pushtuese kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe në fund ndaj Kosovës, me qëllim të formimit të Serbisë së madhe, e që siç dihet, nga viti 1991 e deri në qershor 1999, ushtria kriminale e Serbisë ka vrarë dhe masakruar mbi gjysmë milion njerëzve të pafajshëm në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Mirëpo, ajo që duhet pasur gjithmonë parasysh, është fakti se çetnikët dhe kriminelët serbë, asnjëherë nuk do pajtohen me humbjen e tyre luftarake në teren, andaj përgjatë 20 viteve të kaluara nuk kanë pushuar së vepruari politikisht, me diplomaci si dhe përgatitje ushtarake, duke blerë armë shumë moderne nga Rusia dhe Kina, me qëllim, që posa të forcohen prapë si shtet, ta sulmojnë së pari Kosovën me qëllim që ta rikthejnë nën pushtimin e saj", është shprehur ai.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas Elezajt, serbët për Kosovën janë në gjendje të sakrifikojnë veten dhe mijëra ushtarë, vetëm që mos ta humbin Kosovën dhe çdo reagim i tyre me deklarata të tilla, ka të bëjë me dëshirën që ta kthejnë Kosovën në Serbi.

"Ngase miti i të gjithë serbëve kudo që gjenden në botë, për Kosovën si “djep i Serbisë”, asnjëherë nuk do shuhet në kokat dhe programet e tyre hegjemoniste, për të cilën, Kosovën pra, janë në gjendje të sakrifikojnë veten dhe mijëra ushtarë, vetëm që mos ta humbin Kosovën, gjithnjë sipas tyre, një tokë e shenjtë serbe të cilën ata duhet ruajtur me çdo kusht dhe mjet, qoftë edhe me luftë..!? Andaj, kushdo qoftë nga shqiptarët që i merr dhe i kupton ndryshe deklaratat dhe kërcënimet e përditshme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, qoftë ato nga partitë në pushtet, si SNS-it (Srpska Narodna Stranka e A. Vuçiqit), SPS-i (Socialistiçka Partija Serbije, e S. Millosheviçit), etj., si dhe “betimet” kërcënuese nga partitë çetnike opozitare, se “Kosovën do ta rikthejmë me luftë..”, është jashtë çdo konteksti të rrjedhave politike në Serbi, kur është fjala për politikën hegjemone dhe kriminale të Beogradit zyrtar ndaj “kauzës” serbe që kanë për “Kosovën dhe Metohinë”..!? Çdo regjim i Serbisë, çdo parti dhe çdo serb, pa asnjë dallim, nuk kanë tjetër ëndërr, dëshirë dhe preokupim, përpos se si ta kthejnë Kosovën nën Serbi, ndaj për mua janë iluzione dhe fantazi përpjekjet e politikanëve shqiptarë të Kosovës, pa asnjë dallim, kur me aq budallallëk flasin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë fashiste, siç kanë treguar bisedimet e kota në 7-8 vitet e fundit, gjatë të cilave nuk është arritur asnjë sukses, i cili mund të konsiderohet si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sepse të gjitha deklaratat, për gjoja gatishmërinë e Beogradit për të biseduar me Prishtinën zyrtare, ishin dhe janë vetëm taktikë politike e Serbisë për të blerë sa më shimë kohë, derisa ajo të forcohet ushtarakisht, ose derisa të ndryshojnë raportet midis Lindjes dhe Perëndimit, pra midis Rusisë, Amerikës dhe BE-së, kuptohet në favor të aspiratave hegjemoniste sero-ruse ndaj Ballkanit..!?", ka vlerësuar ai.

Elezaj shton se deklarata e Vuçiç ishte kërcënim ndaj BE-së dhe SHBA-së që ta zgjidhin çështjen e Kosovës ose do ta rikthejnë me luftë, ndërsa Sheshel ka vite që e thotë të njëjtën deklaratë.

"Kështu që, edhe deklarata e A. Vuçiqit, i cili si shembull e mori konfliktin e ngrirë në Gornji Karabah, por i cili u zhbllokua me luftën midis Armenisë dhe Azerbejxhanit, ishte një kërcënim i hapur ndaj Kosovës, por i drejtuar drejt BE-së dhe SHBA-ve, se “nëse ju nuk do e zgjidhni çështjen e Kosovës, d.m.th., nëse ju nuk do na e ktheni atë në marrëveshje me ne, atëherë ne do ta rikthejmë atë me luftë..”(!?), dhe le të na thotë dikush se çfarë dallimi ka kjo deklaratë e A. Vuçiqit e thënë nga posti i presidentit të Serbisë me atë të çetnikut V. Sheshel, i cili si kriminel luftë që është nuk ndalet duke kërkuar nga zyrtarët e qeverisë së Serbisë, që ta fillojnë luftën për ripushtimin e Kosovës..!? Këtë kërcënim të hapur Shesheli ka vite që e thotë hapur dhe pa u ndëshkuar kurrë nga zyrtarët e BE-së, por as nga asnjë politikan dhe intelektual i Serbisë, përveç të Çedomor Jovanoviçit, kryetar i Partisë liberale socialdemokrate, i cili hapur i ka pranuar krimet e ushtrisë serbe në Kosovë, dhe është i vetmi politikan serb i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës", ka thënë Rexhep Elezaj për "Bota sot".

Më tej, ai është shprehur se serbët gjithmonë janë unik kur bëhet fjalë për Kosovën dhe tentojnë ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se Kosova u është marrë me dhunë, ndërsa thotë se politikanët e Kosovës ende nuk e kanë kuptuar diplomacinë dinake të Serbisë.

"Ajo që dua ta them, është fakti, se pa marrë parasysh se cilës parti i përkasin serbët, pozitës apo opozitës, organizatave joqeveritare dhe atyre civile, kur është në pyetje Kosova, të gjithë janë unik, të gjithë punojnë dhe angazhohen në unison që ta bindin botën, se NATO-ja dhe aleatët e saj ua kanë marrë me dhunë Kosovën dhe se ata edhe duhet t’ua kthejnë atë nën qeverisjen e saj! Prandaj, politikanët shqiptar të Kosovës, pa dallim, në 20 vitet e fundit kanë dëshmuar, se nuk e njohin në esencë politikën dhe diplomacinë dinake dhe spekulative të Serbisë, përplot me gënjeshtra, shpifje, “Fake Neës” dhe ankesa me lot krokodili para bashkësisë ndërkombëtare, deri në shkallën sa gati arritën që Serbinë ta paraqesin si viktimë të NATO-s, e cila gjoja ka bërë krime kundër një shteti sovran, ndërsa krimet e saja të kryera në Kosovë në masë gjenocidi, t’i paraqesin si krime të shqiptarëve ndaj shqiptarëve..!?", është shprehur Elezaj.

Sipas tij, e gjithë kjo situatë në dëm të Kosovës ka ardhur si pasojë e politikës së dobët dhe nëse do të vazhdohet kështu me politika servile dhe nënshtruese ndaj Beogradit dhe duke shpresuar për njohje nga Serbia, dëmet për Kosovën do të jenë të mëdha.

"E gjithë kjo situatë absurde dhe krejtësisht në dëm të Kosovës, ka ardhur si rezultat i politikës së dobët dhe miope e udhëheqësve politik dhe shtetëror të Kosovës, e cila ishte e pa vizion dhe platformë unike kombëtare, se si duhet kundërvënë rrenave dhe synimeve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, dhe se për gjitha këto dështime në nivel të qeverisë, partive dhe Presidencës së Kosovës, askush deri me sot nuk ka dhënë, së paku dorëheqje morale për gjitha dështimet në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Nëse do vazhdohet me këtë lloj politike vasale, servile dhe nënshtruese ndaj Beogradit, e them me përgjegjësi të plotë morale, duke e mashtruar veten dhe popullin tonë, se me Serbinë një ditë do arrihet marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve si dy shtete të pavarura, pasojat për të ardhmen e Kosovës do të jenë tepër të mëdha, edhe si shtet, edhe si komb i madh në Ballkan...", ka deklaruar Rexhep Elezaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat