Flet për “Bota sot” deputeti Hoti: LDK e gatshme për zgjedhje, zbulon pritjet e tyre nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

Politika

Flet për “Bota sot” deputeti Hoti: LDK e gatshme për zgjedhje, zbulon pritjet e tyre nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

Nga: N. H Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 22:24
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Hoti

29 nëntori do t’i gjejë podujevasit pranë kutive të votimit në kërkim të kryetarit që mungon prej muajsh. LDK e Vetëvendosje përbëjnë dyshen rivale.

Rivalitet që është rritur me zhvillimet e fundit politike. Nexhmi Rudari i LDK-së synon ta ruajë traditën e fitoreve në Podujevë, kurse, Shpejtim Bulliqi i LVV-së beson se për herë të parë do të ndodhë e kundërta.

Të gatshëm për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve komunale në Komunën e Podujevës janë shprehur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, raporton gazeta “Bota sot”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Hoti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar se LDK është e përgatitur edhe për zgjedhje të përgjithshme, përfshirë edhe këto në Podujevë.

Image
Visar Hoti

“Si partia me përvojën më të gjatë dhe më e organizuar në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë është e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve duke përfshi edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë”, tha fillimisht deputeti nga radhët e LDK-së, Visar Hoti.

I pyetur se cilat janë pritjet e LDK-së nga zgjedhjet në Podujevë, dhe se a presin fitore në bastionin e tyre, deputeti Hoti, është shprehur se presin një fitore të madhe, pasi sipas tij, elektorati në Llap tashmë është i mësuar me qeverisje të mirë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sigurisht se po. Përveç që Podujeva është bastioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe elektorati është i mësuar më qeverisje të mirë, me qeverisje e cila gjithmonë është afër qytetarit dhe bizneseve, tani në garë kemi kandidatin më të mirë i cili e ka përvojën e gjatë në qeverisje lokale, dhe pa dyshim që do dalim të parët”, tha Hoti.

Ai madje edhe paralajmëronVetëvendosjen dhe PDK-në, dhe thotë se përkrahja e madhe që po merr Rudari nga qytetarët, janë dëshmia më e mirë se LDK do të mbajë edhe me tej këtë komunë.

“Mund ta them me siguri të lartë se po, këtë më së miri e dëshmon edhe përkrahja e madhe që po merr kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari nga gjithë qytetarët e Podujevës”, tha krejt në fund, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Hoti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat