Deklarata “bombë” e Meliza Haradinajt, por me 18 vite vonesë!

Politika

Deklarata “bombë” e Meliza Haradinajt, por me 18 vite vonesë!

Nga: A.Z Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 21:57
Meliza Haradinaj-Stublla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk do të ketë leje për të vizituar Kosovën, derisa nuk kërkojnë falje për gjenocidin e kryer ndaj popullit tonë.

“E përsëris edhe një herë përgjigjen e vetme dhe të përhershme për të gjitha kërkesat e ardhshme të Vuçiqit dhe të tjerëve: Nuk ka leje për ju për vizita në Kosovë përderisa nuk kërkoni falje për gjenocidin e kryer ndaj popullit tonë, dhe përderisa nuk vihen para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e atij gjenocidi”, ka thënë ajo.

Kjo deklaratë e saj ngjalli disa reagime, analisti politik Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se një deklaratë e tillë ka ardhë me 18 vite vonesë, jo vetëm si deklaratë por si vendim i prerë do duhej të ishte nxjerr madje edhe të kishte hyrë në fuqi ligjore, qysh nga dita kur është formuar Kuvendi dhe qeveria e parë e Kosovës.

“Çdo shqiptar i cili e donë Kosovën do i gëzohet, pa dyshim, deklaratës së znj. Meliza Haradinaj-Stublla, ministre për punë të jashtme e Kosovës, siç paska thënë; “ E përsëris edhe një herë përgjigjen e vetme dhe të përhershme për të gjitha kërkesat e ardhshme të Vuçiqit dhe të tjerëve: Nuk ka leje për ju për vizita në Kosovë përderisa nuk kërkoni falje për gjenocidin e kryer ndaj popullit tonë, dhe përderisa nuk vihen para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e atij gjenocidi” deklaratë kjo e cila, për fat të keq, nga një ministër i deritanishëm i Kosovës për punë të jashtme, na vjen me 18 vite vonesë..!? Ngase, një deklaratë sikur kjo, dhe jo vetëm si deklaratë, por si vendim i prerë i organeve shtetërore të Republikës së Kosovës, ai do duhej të ishte nxjerr dhe të kishte hyrë në fuqi ligjore, qysh nga dita kur është formuar Kuvendi dhe qeveria e parë e Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e para parlamentare të pas luftës të mbajtura me 17 nëntor të vitit 2001, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë deri më sot”, tha ai.

Ai ka theksuar se lidhur me këtë jam skeptik se znj. Haradinaj-Stublla do ketë fuqi që t’i përmbahet deklaratës së saj, për shkak të presionit nga Beogradi mbi BE-në, saqë qeveritarët tanë nuk do mund t’i rezistojnë as edhe një javë kërkesave dhe presionit nga BE-ja.

“Prandaj, jam i mendimit se përderisa nuk do merret një vendim ligjor në Kuvendin e Kosovës me të cilin vizitat e zyrtarëve dhe politikanëve më të lartë shtetëror të Serbisë do specifikohen sipas rangut dhe natyrës së tyre, kujt dhe në cilat raste atyre mund t’u lejohen vizitat në Kosovë, jam shumë skeptik se znj. Haradinaj-Stublla do ketë fuqi dhe kurajë që t’i përmbahet deklaratës së saj të publikuar në media, sepse Beogradi zyrtar do bën aq shumë presion mbi BE-në dhe z. Borrell, saqë qeveritarët tanë, siç kanë dëshmuar deri më sot, nuk do mund t’i rezistojnë as edhe një javë kërkesave dhe presionit që do vijë nga BE-ja, që vizitat e zyrtarëve shtetëror të Serbisë të mos pengohen në Kosovë”, tha ai.

Tutje ka shtuar se lidhur me faktin që Kosova nuk mund të merr vendime të këtilla pa u konsultuar me zyrtarët e BE-së, edhe znj.Haradinaj-Stublla për ta mbajtur fjalën e dhënë është dashur që paraprakisht të bisedoj me z.Borrell dhe z. Lajçak në Bruksel.

Lidhur me kërkim faljen ndaj popullit për gjenocidin dhe masakrat që Serbia i ka bërë në Kosovë, Elezaj ka thënë se këto tema asnjëherë nuk janë shtruar për bisedë dhe për shqyrtim konkret nga udhëheqësitë e Kosovës me zyrtarët e BE-së, madje as gjatë bisedimeve shtatëvjeçare midis ish-presidentit H. Thaçi dhe atij serb, A.Vuçiq.

“Kështu që, për ta mbajtur fjalën e dhënë publikisht znj. Haradinaj-Stublla është dashur që paraprakisht të bisedojë me z. Borrell dhe z. Lajçak në Bruksel, kur dihet fakti se Kosova në çastin aktual nuk mund të merr vendime të këtilla të njëanshme pa u konsultuar me zyrtarët e BE-së. Pra, vendime të kësaj natyre kundruall Beogradit zyrtarë, përveç se nuk janë marrë asnjëherë në nivel shtetëror nga ana e autoriteteve të Kosovës, përveç dhënies një apo dy herë të lejes për vizitë të Vuçiqit dhe disa zyrtarëve serb në Kosovë, e madje shpeshherë ka ndodhur që zyrtarë të Serbisë të qëndrojnë në Kosovë pa marrë kurrfarë leje qëndrimi, për të cilën gafë askush nga personat zyrtarë në qeverinë e Kosovës nuk ka dhënë përgjegjësi, sepse çështja e kërkim-faljes së udhëheqësve të Serbisë ndaj popullit shqiptar për gjenocidin dhe masakrat që Serbia i ka bërë në Kosovë (1989-1999) si dhe e kompensimeve të dëmeve të luftës, pothuajse asnjëherë nga udhëheqësit e Kosovës nuk është shtruar për bisedë dhe shqyrtim konkret me zyrtarët e BE-së në Bruksel, por as gjatë bisedimeve shtatëvjeçare midis ish presidentit H. Thaçi dhe atij serb, A. Vuçiq..”, tha Elezaj.

Ai shtoi se duke e pasur parasysh politikën e disa politikanëve dhe udhëheqësave të Kosovës ndaj kërkesave dhe sjelljeve antishiptare të zyrtarëve të Serbisë ndaj Kosovës, sipas tij organet shtetërore pa humbur kohë duhet të ndryshojnë politikën e deritashme ndaj Serbisë fashiste, ndërsa çështja e vizitave të zyrtarëve të saj në Kosovë të rregullohet me ligj përkatës.

“Duke marrë parasysh gabimet e shumta si dhe politikën nënshtrues të disa politikanëve dhe udhëheqësve shtetëror të Kosovës ndaj kërkesave dhe sjelljeve antishqiptare të zyrtarëve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, mos insistimi i tyre për kërkim-falje dhe kompensim të dëmeve të luftës nga Serbia, pra lëshimi pe para shantazhve të Serbisë, duke mos e harruar këtu Veriun e Kosovës të lënë në duar të Beogradit, etj., mendoj se organet shtetërore të Kosovës duhet që pa humbur kohë që ta ndryshojnë politikën e deritanishme servile ndaj Serbisë fashiste si dhe çështja e vizitave të zyrtarëve të saj në Kosovë të rregullohet me ligj përkatës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat