Fundi i kulturës politike 'Pronto', analisti thotë se mendësisë militaneske të Thaçit po i vjen fundi

Politika

Fundi i kulturës politike 'Pronto', analisti thotë se mendësisë militaneske të Thaçit po i vjen fundi

Nga: A.Morina Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 22:27
Hashim Thaçi

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, sot ka marrë vendim që t’i pezullojë të gjitha konkurset në Zyrën e Presidentit të Kosovës, të shpallura më herët.

Në vendimin e Osmanit, ndër të tjera ndalohet hapja e konkurseve të reja në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Vendimet e Osmanit, njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, i cilësoi si vendime historike të Vjosa Osmanit.

“Vendimet e u.d. Presidente e Republikës së Kosoves në lidhje me shkarkimin e dekreteve të ish presidentit Thaçi në lidhje me  emërimet e katër konsujve të përgjithshëm në katër qendra nacionale, si dhe pezullimi i konkurseve për rekrutim dhe ndalimi i hapjes së tyre deri në një vendim të ri, janë vendime ; politikisht të guximshme, juridikisht të bazuara dhe mbi të gjitha, në interes të vendit”, theksoi Bajraj.

Bajraj tha se Osmani me këto vendime i ka dhënë goditje të rëndë mentalitetit militanesk në institucionet shtetërore

“Vendimet e u.d. Presidente e vendit, i japin goditje të rëndë, mëndësisë klandestine, militanteske dhe diletanteske në institucionet shtetërore, siç është rasti i dekretimeve të ish Presidentit Thaçi, duke abuzuar me pozitën e të parit të shtetit në dobi të kastës kriminale në shtetëkapje dhe në dëm të interesit publik, qytetar dhe shtetëror të Republikës së Kosovës”, tha Bajraj.

Ndër të tjera, ai tha se qasja e ish-presidentit Thaçi e ka dëmtuar rëndë imazhin e shtetit të Kosovës.

“Qasja dhe logjika tribale dhe neopotiste e ish-Presidentit Thaçi në ushtrimin e funksionit të Presidentit, apo ma mirë thënë , në keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ka lënë shije të keqe dhe ka dëmtuar rënd edhe imazhin e shtetit të ri dhe të brishtë të Kosovës”, u shpreh Bajraj.

Tutje, Bajraj tha se me veprimet e Osmanit, kulturës politike “Pronto” po i vjen fundit.

“ ‘Kulturës’ politike: PRONTO po i vije fundi! Vendimet e fundit të u.d. Presidentes së  Kosovës, të vlerësuara si në harmoni me ligjet pozitive dhe rregullat e funksionimit diplomatik si normë dhe praktikë e vendeve serioze, janë një sinjal pozitiv që u dërgohet partnerëve strategjik, sikurse edhe një moment i cili nxjerrë mbi sipërfaqe faktin se, epoka e abuzimit dhe e keqpërdorimit në funksione publike dhe në dobi të kasetës kriminale po perëndon njëherë e mirë”, nënvizoi ai, përcjell “Bota sot”.

Bajraj vendimin e Osmanit, e vlerësoi si një betejë të re, që duhet shtyrë tutje, në mënyrë të shfuqizimit të vendimeve anakronike të ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Kjo betejë e filluar, duhet shtyrë tutje, duke vazhduar shfuqizimin e vendimeve anakronike të ish-Presidentit Thaçi, sidomos në dekretet dhe dekoratat e Tij "shtetërore dhe presidenciale, për viktimat e atentatuara nga strukturat të cilat përfaqëson z.Thaçi dhe për të cilat, i njëjti do të përgjigjet para organeve të drejtësisë në Gjykatën Speciale me seli në Hagë”, deklaroi Bajraj.

Në fund, Bajraj i bëri thirrje klasës politike dhe institucioneve shtetërore ta mbështesin Vjosa Osmanin në betejën kundër kapësve të shtetit.

“Klasa politike e vendit, përfshirë institucionet dhe qytetarët, duhet mbështetur dhe inkurajuar zonjën Osmani në këtë betejë kruciale kundër abuzimit dhe keqpërdorimit të kapësve të shtetit dhe në synimin fisnik : ç'kapjen e shtetit dhe de politizimin e institucioneve, për çfarë vuan vendi ynë, që nga pavarësimi i vendit”, përfundoi Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat