Eurodeputetja gjermane jep lajmin e mirë për Kosovën, lidhet me shkëmbimin territorial

Politika

Eurodeputetja gjermane jep lajmin e mirë për Kosovën, lidhet me shkëmbimin territorial

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 nëntor 2020 Në ora: 18:15
Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” se Bashkimi Evropian është kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Reagimi i saj vjen pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell, ka pranuar se muaj më parë, në tryezën e dialogut ishte ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell ka thënë se ideja për shkëmbim territorial nuk është më një opsion dhe se të dyja vendet duhet të gjejnë një zgjidhje, pasi BE-ja nuk do të diktojë më atë.

“Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por, kjo nuk është më një mundësi”, ka deklaruar Borrell për mediat serbe, duke shtuar se ka vende të BE-së që kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve.

Atij i është kundërpërgjigjur von Cramon, e cila ka thënë se pozicioni i BE-së për këtë temë është i qartë dhe se nuk ka rëndësi se kush është në qeveri.

“Bashkimi Evropian, veçanërisht disa nga vendet anëtare kanë qenë shumë të qarta për shumë vite që shkëmbimi territorial nuk është një opsion. Ky është pozicioni ynë i vendosur dhe nuk duhet të ketë rëndësi se kush është në qeveri”, është shprehur eurodeputetja gjermane për “Bota sot”.

Von Cramon ka thënë se edhe po të kishte ide të shkëmbimit territorial, ajo nuk do të miratohej. Sipas saj, ndryshimi i kufijve mes të dyja vendeve, nuk do të zgjidhte problemet.

“Unë me të vërtetë shpresoj se kjo ide nuk do të shfaqet më, dhe edhe nëse mund të ketë pasur këso ideje, kjo nuk do të thotë se kjo do të kishte ndonjë shans për të kaluar. Një shkëmbim territorial nuk do të zgjidhte problemet e Ballkanit Perëndimor, pasi ndarja etnike nuk është një zgjidhje. Ndryshimi i kufijve nuk është opsion i yni”, ka thënë më tej Viola von Cramon.

Madje, sipas saj, ideja e tillë do të përkeqësonte situatën.

“Të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave kanë nevojë për mbrojtje në të gjitha vendet demokratike, dhe shkëmbimi i territoreve do ta përkeqësonte situatën edhe më shumë”, ka shtuar për “Bota sot” eurodeputetja Viola von Cramon./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat