Çfarë do të ndodhë me postin e Presidentit? Ky është paralajmërimi...

Politika

Çfarë do të ndodhë me postin e Presidentit? Ky është paralajmërimi...

Nga: P.R Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 19:56
Vjosa Osmani

Dorëheqja e Hashim Thaçit nga posti i presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, ka bërë që Kosova të mbetët pa president. Aktualisht, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ka marr postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, post që mund ta ushtrojë më së shumti 6 muaj.

E nëse brenda 6 muajsh partitë politike nuk gjejnë zgjidhje për presidentin e ri, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, kërkesë kjo e kahershme e Lëvizjes Vetëvendosje.

E lidhur me këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Sipas tij, nga çështja e presidentit të ri varet edhe jetëgjatësia e qeverisë Hoti.

Image
Nexhat Haziri

“Çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit në këto rrethana të krijuara pas dorëheqjes së ish-presidentit Thaçi i cili tashmë është i akuzuar nga Gjykata Speciale për krime lufte, është një nga çështjet më të debatuara në skenën politike kosovare por edhe në përgjithësi në opinionin kosovar, nga se nga ky proces varet edhe jetëgjatësia e qeverisë Hoti”, thotë për gazetën “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

Ai shton se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Mendoj se partitë politike do të duhet ta kërkojnë zgjidhjen e kësaj çështje pa provokuar zgjedhje të reja në Kosovë, të cilat nuk shohë se janë zgjidhje e shpejtë dhe vetëm sa do ta rëndonin apo thellonin edhe më tej krizën politike duke marrë parasysh siç e kemi thënë edhe më parë polarizimin e skajshëm politik të skenës politike”, thekson Haziri.

“Pra në këtë rast, unë pres nga LDK-ja që në bashkëpunim edhe me spektrin tjetër politik të ulën dhe ta negociojnë bashkërisht zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, dhe sipas disa informative edhe janë duke u zhvilluar biseda ndërmjet partive kryesore të vendit me përjashtim të LVV-së, që zgjedhja e presidentit të vendit të bëhet pa pasur nevojë të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme”, shton analisti Haziri.

Për fund, Haziri deklaron se propozimi i presidentit të ri do të vije nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Dhe nëse arrihet një dakordancë në mes LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, atëherë presidenti i vendit do të vije si propozim i PDK-së. Por, në këtë proces nuk e shoh pa gjasa edhe kreun e AKR-së, Behgjet Pacollin, i cili edhe mund të vije si një kandidat konsensual i parterëve të koalicionit qeveritar dhe i PDK-së”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat