Profesori britanik tregon sa mund të zgjas gjykimi në Hagë kundër Thaçit dhe të tjerëve

Politika

Profesori britanik tregon sa mund të zgjas gjykimi në Hagë kundër Thaçit dhe të tjerëve

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 nëntor 2020 Në ora: 20:36
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi; foto ilustrim nga "Bota sot"

Avokati i licensuar i Gjykatës Speciale Taulant Hodaj, ka thënë se procesi gjyqësor në Hagë ku po gjykohen ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), mund të zgjas deri në 10 vjet.

Ai ka thënë se mesatarja e procesit gjyqësor ndaj tyre mund të marrë kohë deri në 10 vjet, ndërsa mesatarja e proceseve të këtij niveli është 5 vjet.

“Nëse marrim parasysh Tribunalet e kaluara, mesatarja e gjykimit do të jetë 5 vjet, derisa për ish-liderët e UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit gjykimi mund të zgjas deri në 10 vjet, pasi që është rast shumë i rëndë”, ka thënë Hodaj.

Image
James Ker-Lindsay

Edhe sipas James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës, nga përvoja e kaluar e gjykimeve të krimeve të luftës në Ballkan, është treguar se procedimet mund të jenë tepër të gjata.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se megjithatë, gjykimet që vazhdojnë me vite janë qesharake.

“Unë e pranoj që këto janë raste komplekse. Sidoqoftë, përvoja e kaluar e gjykimeve të krimeve të luftës në Ballkan ka treguar se procedimet mund të jenë tepër të gjata. Parë nga një perspektivë britanike, ku çështja penale më e gjatë ndonjëherë ishte 20 muaj dhe ku edhe çështjet më të rënda përfundojnë zakonisht brenda disa muajsh, gjykimet që vazhdojnë me vite janë thjeshtë qesharake”, është shprehur Ker-Lindsay.

Sipas profesorit britanik, procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nuk ka arsye që të zgjas gjatë. Ai ka përmendur rastin e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq gjatë procedurës në Gjykatën e Hagës.

“Nuk ka asnjë arsye që procedurat të zgjasin kaq gjatë. Vonesat e tilla bëhen edhe më serioze kur, siç pamë me Millosheviqin, i pandehuri vdes gjatë procedurës. Po kështu, nëse dikush shfajësohet përfundimisht, kjo do të thotë se ata do të kenë kaluar vite në burg vetëm për t'u gjetur të pafajshëm. Sido që të jetë, shumë njerëz u ndien të mashtruar dhe kjo rrënjësisht rrënon besueshmërinë për të gjithë procesin”, ka thënë më tej Ker-Lindsay.

Ai shpreson që gjykimi në Hagë i ish-liderëve të UÇK-së të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Për hir të të gjithë të interesuarve, shpresoj që procedurat të zhvillohen në mënyrë sa më efikase dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shtuar për “Bota sot” profesori James Ker-Lindsay.

Ish-presidenti Thaçi dhe të tjerët, po akuzohen nga Gjykata Speciale në Holandë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat