U mësua pse Veseli s’donte të arrestohej nga Specialja, analisti e zbulon: Listës së SHIK-ut për ekzekutim i printe presidenti Rugova

Politika

U mësua pse Veseli s’donte të arrestohej nga Specialja, analisti e zbulon: Listës së SHIK-ut për ekzekutim i printe presidenti Rugova

Nga: N. H Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 22:52
Kadri Veseli

Dy javë para se të arrestohej dhe të dërgohej në Hagë për gjykim nga Gjykata Speciale, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kishte pranuar se do të dorëzohej vullnetarisht dhe ndaj tij s’duhej të ketë urdhërarrest po që se i konfirmohet aktakuza.

Sipas një dokumenti të fundit të publikuar nga Specialja lidhur me kërkesat për urdhërarreste dhe urdhra për transfere, avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson, kishte kërkuar nga Prokuroria që nëse konfirmohet aktakuza ndaj Veselit, të mos lëshohet fare urdhërarresti pasi klienti i tij do të udhëtonte vullnetarisht drejt Hagës për t’u dorëzuar.

Letra e Emmersonit u dorëzua më datë 21 tetor, pesë ditë para se të konfirmohej aktakuza dhe dy javë para se Veseli dhe të tjerë të dërgoheshin drejt Hagës.

Lidhur me këtë temë, ka folur analisti e njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj.

Bajraj konsideron se ky ishte një vendim i vullnetit të imponuar, pasi mendon se Kadri Veseli veçse ishte i mbështetur me shpatulla për muri dhe pa alternativë.

Në këtë bisedë për gazetën “Bota sot”, Bajraj drejton akuza të rënda për SHIK-un, ku thotë se Shërbimi Informativ i Kosovës i’a kishte dal mbanë edhe me zhdukjen e provave, eliminimin e dëshmitarëve dhe të vetë autorëve, dhe se në krye të listës së këtij shërbimi ishte eliminimi i presidentit Rugova.

“Aranzhimi i vetëdorëzimit të Kadri Veselit nga ana e avokatit të tij të njohur Ben Emmerson, pranë ZPS dhe DHS të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, ishte një vendim i vullnetit të imponuar, kur ky i fundit dhe kompania e tij, ishte i mbështetur me shpatulla për muri dhe pa alternativë, duke u përpjekë që të shpëtojë fytyrën e vetë, së paku me atë që mund të shpëtohej me gjestin e “vullnetit të mirë”, para opinionit publik dhe mbështetësve të partisë dhe jo vetëm”, ka thënë Mustafa”, ka thënë Bajraj.

Tutje, analisti politik jep edhe dy arsye, që derivuan vetëdorëzimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Janë dy arsye që derivuan vetëdorëzimin e Veselit, Gjykatës Speciale, e para; Kadri Veseli ishte i vetëdijshëm për faktin se kësaj gjykate dhe këtij procesi gjyqësor nuk mund t’i shmangej në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, kur dihej se pas saj qëndron bashkësia ndërkombëtare dhe aleatet tanë strategjik siç janë BE-ja dhe SHBA-ja, dhe e dyta; e mbanë shpresa se argumentimi i provave për krimet e pretenduara, përfshi vrasjet politike, do të jetë i zbehët dhe i pamundur duke llogaritur se në 20 vitet, shërbimi të cilit i kishte prirë Kadri Veseli (SHIK-u), përveç vrasjeve të kundërshtarëve politik, kryesisht veprimtarë të LDK-së, dhe bashkëpunëtorë të presidentit historik Ibrahim Rugova, i’a kishte dal mbanë edhe me zhdukjen e provave, eliminimin e dëshmitarëve dhe të vetë autorëve të cilët përbënin skuadriljen vrastare të cilët ekzekutonin në prita dhe në pabesi, listën emërore të SHIK-ut, të cilës i printe Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë analisti.

“SHIK-u, organizatë kriminale dhe antikombëtare”

Bajraj drejton akuza në drejtim të Shërbimit Informativ të Kosovës, për të cilët thotë se kishin struktura misterioze kriminale në krye të së cilës ishte Kadri Veseli.

“E dalë nga struktura misterioze kriminale, nga nëntoka dhe parapolitika, pa legjitimitet dhe legalitet të provuar, e mbështetur dhe financuar me metoda klandestine, ku nuk përjashtohej as mënyra e imponimit dhe detyrimit me kërcënime, shantazh dhe përdorim të dhunës, kjo organizatë, në krye me Kadri Veselin, përgjigjej një hierarkie komanduese të nëntokës dhe merrnin vendime “sovrane” duke u thirr në emër të popullit dhe për interesa meskine të kupolës e cila pretendonte dhe mëtonte pushtetin. Në përbërjen strukturale të SHIK-ut të Kadrisë (shef i Shërbimit Informativ të Kosovës), ishin dhe me gjasë janë edhe tani e gjithë ditën; Elmi Reçica (zëvendës i SHIK-ut), Latif Gashi (Drejtor i Përgjithshëm), Fatmir Xhelili (Drejtor në Drejtorin kundër krimit të organizuar), Fadil Demakau (Drejtor i Drejtorisë kundër terrorizmit), Ferat Shala (drejtor i Drejtorisë së inteligjencës) dhe Ilmi Ramadani (drejtor i Drejtorisë së informimit dhe analizave)”, ka deklaruar Bajraj.

Për SHIK-un, analisti Bajraj deklaron se ky shërbim koordinohej Shtabin e Rognerit. Kurse, me tej thotë se kjo organizatë ishte dekonspiruar nga agjent shqipfolës të Serbisë të cilët i kishte në radhët e veta, dhe ishte dekonspiruar dhe ngarkuar për krime të luftës dhe shkelje të konventave ndërkombëtare.

“Kjo organizatë mafio-kriminale, përgjigjej dhe subordinohej Shtabit të Rognerit, përkatësisht, të vetëquajturit shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, me seli në Tiranë, në të cilin shquheshin; Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi, ky i fundit edhe i katapultuar në krye të delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe kryeministër i të ashtuquajturës QPK, e cila nuk kishte legjitimit dhe as legalitet në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave ekzekutive. SHIK-u i Kadri Veselit, ishte dekonspiruar nga agjent shqipfolës të Serbisë të cilët i kishte në radhët e veta, dhe ishte dekonspiruar dhe ngarkuar për krime të luftës dhe shkelje të konventave ndërkombëtare dhe ligjet e luftës , nga shërbime perëndimore si dhe nga ai i NATO-së dhe shërbimi inteligjent amerikan”, shprehet ai.

Mes të tjerave, analisti po ashtu shton se kjo “strukturë ilegjitime dhe ilegale (SHIK-u dhe Shtabi Rognerit), janë target i Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara nga Rezoluta e Këshillit të Evropës për krime të rënda dhe krime kundër njerëzimit, si dhe për aktakuzat e Serbisë të inkorporuar në atë të Gjykatës Speciale për çfarë ekzistojnë dyshimet e bazuara se brenda SHK-ut dhe Shtabit të Rognerit, kishte të infiltruar në masë të konsiderueshme njerëz shqipfolës të ish UDB-së, me vonë BIA-së serbe siç është rasti me Nazim Bllacën dhe tjerë dëshmitarë të mbrojtur të gjykatës”.

Krejt në fund, Bajraj ka theksuar se PDK-ja dhe klasa politike e vendit, do duhej të distancohej nga procesi i gjykimit të vetëquajturve ish krerë të UÇK-së, në mënyrë për t’i dhënë Drejtësisë sjelljen e verdiktit të merituar në Dhomave të Specializuara të Kosovës në Gjykatën Speciale.

“Të akuzuarit e ZPS-së, do ndihmonin vendin duke marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë individuale nga akuzat që rëndojnë mbi ta, duke mos implikuar UÇK-në, luftën e drejtë të saj kundër armikut shekullor, si dhe kauzën e shenjtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha krejt në fund, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat