Shekulli i shqiptarëve!

Politika

Shekulli i shqiptarëve!

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 28 nëntor 2020 Në ora: 08:59
Ilustrim

Sot shënohet Dita e Flamurit Kombëtar dhe 108 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Për festimin e kësaj dite në liri shumë shqiptarë u torturuan, u burgosën, por edhe u vranë mizorisht nga armiqtë.

Për kundër që në vitin 2020, shqiptarët janë më të lirë së kurrë, ky nëntor i gjen më të përçarë politikisht.

Ekspertët vlerësojnë se elita politike, si në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoni kanë ndikuar shumë në zbehjen e rëndësisë së ditës së 28 nëntorit.

Shqiptarët e bashkuar

Analisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se ky nëntor shqiptarët i gjen me dy shtete shqiptare.

Image
Rexhep Shahu

“Çështje këndvështrimi. Ne aspektin global shqiptaret 2020 i gjen si kurrë më parë në historinë e tyre politike, i gjen me dy shtete shqiptare dhe kjo është një mrekulli. Kosova ende është si veshka mes dhjamit në aspektin e sigurisë dhe sovranitetit të mbrojtur e të sigurt”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Shahu shprehet se Kosova ka një qeveri serioze, por nuk  ka mbështetje mbështetje të gjerë parlamentare.

“Kosovën e gjen në një fazë pastrimi e qartësimi si asnjëherë, me funksionim të gjykatës speciale e cila do ta ndajë shapin nga sheqeri që të mos guxojmë me t’ia drejtojmë gjithkujt gishtin e ti themi kriminel, hajn, haraqist. Besoj do të kthjellohen ujërat e do të ikin mjegullat. Kosovën e gjen 2020 me një qeveri serioze, pa mbështetje të gjerë parlamentare, me president në gjykim në gjykate speciale për akuza atij dhe rreth 100 të tjerëve për kohën e ushtrimit të pushtetit pas lufte, pasi askush nuk guxon as e gjykon dot luftën e një populli për çlirim kombëtar nga pushtuesi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sa i përket Shqipërisë, ai shprehet se ka qeveri të keqe e cila abuzon ndaj qytetareve, si dhe ndaj Kosovës.

“2020 Shqipërinë e gjen me qeverinë më të keqe, me abuzuese ndaj qytetareve e ndaj Kosovës në historinë e saj, (përjashto diktaturën e Enverit) me qeverinë që e ka dhënë me koncension pothuaj gjithë vendin dhe aktivitetet kryesore të shtetit, me një qeveri më të papërgjegjshmen për çështjen kombëtare dhe për interesat kombëtare, me një kryeministër që ka qëllim të jetë mirë e më i mirë me serbet pa me shqiptarët nuk i intereson si të jetë pasi ai e merr pushtetin në Shqipëri me anë të manipulimeve, vjedhjeve, blerjes së votave, dhe me atë të veteranëve e nostalgjikeve të Enverit, pasi në Shqipëri mendohet se rreth gjysme milionë popullsi e re dhe vitale ka emigruar nga vendi dhe 2020 e gjen të tillë me rreth gjys milionë shqiptare të rinj minus pasi i ka dëbuar dhuna qeveritare”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Shahu thekson se politikanet socialiste të Tiranës kërkojnë supermaci ndaj politikaneve të Kosovës të cilët shpesh pa asnjë arsye behën inferiore ndaj zyrtareve të Tiranës.

“Edhe Kosovën besoj e kanë braktisë rreth çerek milioni njerëz nga keqqeverisjet e komandanteve dhe arroganca e tyre në dy dekadat e pas luftës.

2020 Kosovën e gjen ende të kërcënuar nga organizma islamike radikale vehabiste etj etj që kanë mbështetje politike deri në parlamentin e Kosovës nga politikanë që janë gati ta heqin laicitetin e shtetit të Kosovës dhe të zbatojnë programin e njohur serb që ta shndërrojnë Kosovën në shtet islamik në Ballkan që bota që e ka çliruar Kosovën, ta tregoje me gisht Kosovën si vend mosmirënjohës ndaj perëndimit por vend që përqafon islamizmat radikale që japin fonde e vota partive që lejojnë e reklamojnë shamiat e burkat në Kosovë.

Qytetarët shqiptare në dy shtetet shqiptare janë më të afruar, me të bashkuar më të mirëkuptuar ndërsa politikanet jo pasi politikanet socialiste të Tiranës kërkojnë supermaci ndaj politikaneve të Kosovës të cilët shpesh pa asnjë arsye behën inferiore ndaj zyrtareve të Tiranës”, ka deklaruar Shahu për “Bota sot”.

Shqiptarët e përçarë

Ndërsa, profesori nga Maqedonia, Sulejman Mehazi, për Bota sot”, ka deklaruar se shqiptarët kurrë më keq nuk e kanë pritur "28 Nëntorin".

Image
Sulejman Mehazi

“Shqiptarët në përgjithësi, kurrë më keq nuk e kanë pritur "28 Nëntorin", të përçarë, të urrejtur, të akuzuar ndaj njëri tjetrit sikurse me qenë armiq të përbetuar. Interesant, edhe karakteri ynë ka ndryshuar në të keq, mohojmë çdo gjë shqiptare, na pengon suksesi i njëri tjetrit sa që ia kemi humbur kuptimin festës sonë më të madhe "28 Nëntorit". Aq jemi të pa sinqertë ndaj njëri tjetrit sa që urimet e kësaj feste të madhe na kthehen në mallkime e gjëma kombëtare, politikanët e popullata shqiptare sa më shumë që urojnë "28 Nëntorin", aq më shumë ju shtohen inatet e përçarjes e kurrsesi ndryshe”, ka vlerësuar ai.

Profesori ka hedhur kritika ndaj elitës politike të shqiptareve si në Kosovës dhe në Maqedoni.

“Elita politike  e Kosovës me pavarësinë e saj  jo që kanë filluar ta zbehin "28 Nëntorin", po as që mendojnë më për të duke manifestuar pavarësinë e Republikës së Kosovës, me flamurin e stemën e saj dal nga dalë e kohë pas kohe e çojnë në harresë ngjarjen më të rëndësishme  kombëtare të "28 Nëntorit". Elita politike e Kosovës dialogun me shumë me Serbinë për shkëmbime territoresh sesa për t'u bashkuar me Shqipërinë. Poashtu edhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë formalisht e sipërfaqësisht festojnë "28 Nëntori", me manifestime formale e jo dashurore. Më shumë mendojnë për marrëdhëniet maqedone-bullgare sesa për marrëdhëniet e mira e të begatshme diplomatike me Shqipërinë e Kosovën”, ka potencuar Mehazi për “Bota sot” .

Ai shprehte se shqiptarët nuk kanë qenë më të përçarë sikurse gjatë këtij 28 nëntorit dhe se ka fajësuar Ramën se ia ka kthyer shpinën Kosovës.

“Kurrë nuk kanë qenë më të përçarë shqiptarët sikurse gjatë kësaj feste madhështore të 2020, Rama jo vetëm politikisht ia ka kthyer shpinën Kosovës, po më e keqja se më shumë shpreh dashuri për t'u bashkuar me Serbinë e Vuçiqit me anë të mini-shengenit sesa të bëjë luftë politike e diplomatike për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Bëjmë urime të pakufijshme për "28 Nëntorin" e dashuri askund, dinakërisht shprehim fjalë të ëmbla me rastin e kësaj feste e bashkimi askund, sinqeriteti e zemërbardhësia jonë kombëtare ka humbur fare. Aq të këqij e përçarës jemi bërë sa që edhe pandemia globale vdekjeprurëse nuk ka mundur të na afrojë shpirtërisht, përkundrazi dhe më na ka shtuar urrejtjen e ndarjen”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.

Politika përçau shqiptarët!

Ndërkaq, analisti politikë, Skënder Mulliqi, për “Bota sot” është shprehur se ky 28 nëntor, ndoshta si kurrë deri më sot, na gjeti të përçarë.

Image
Skënder Mulliqi

”Ky shekull u quajt  me të drejte shekulli i shqiptarëve. Pas 90 vitesh të okupimit klasik nga Serbia, Kosova në vitin 1999 përfundimisht u lirua nga zgjedha shekullore serbe. Por, për çudi ky fillim shekull dhe ky 28 nëntor, ndoshta si kurrë deri më sot, na gjeti të përçarë. U ndanë shqiptarët mbi bazat partiake, ideologjike dhe farefisnore, shumë të dëmshme për një shtet dhe komb. Duket së më shumti na përqau lufta për pushtet absolut dhe për përfitime materiale. U ndanë edhe mbi baza partiake si në Kosovë, Shqipëri dhe në trojet tjera etnike. Udhëheqjet politike as për afër nuk i plotësuan kërkesat e qytetarëve, për çka edhe e fituan votën. Nuk u punua ndershmërisht në shtetndërtim dhe mirëqenie, u punua për pasurime të paligjshme. Klasa e mesme gjithnjë e më shumë u varfërua”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka përmendur situatën politikë e cila po mbretëron në Kosovë.

“Sot, Kosova në fund të këtij viti është në gjendje shumë të vështirë politike, institucionale dhe në gjendje të rëndë ekonomike e sociale. U varfërua vendi nga ata që po e zhvatin dhe plaçkitin çdo ditë pronën shoqërore. Po vjedhjen  paratë e shtetit dhe jo që nuk po jep kush përgjegjësi ligjore , por as nuk po jep përgjegjësi morale. E për vjedhje secili ishte dashur të përfundon prapa grilave. Kjo nuk po ndodhë së nuk po funksionon si duhet  shteti ligjor. Organet e drejtësisë duhet të shkëputen  nga politikat ditore. Peshë shumë e rëndë mbi supet e popullatës është varfëria gjithnjë e më e theksuar në  prag të këtij  dimri”, ka deklaruar Mulliqi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai thekson se kur një qeveri nuk ka mundësi nxjerrjen e ligjeve, nuk i mbetet asgjë veç largimit nga pushteti.

“Kjo klasë politike, nuk e ka dhënë provimin për të mirë, prandaj edhe  e ka humb shumë besimin e qytetarëve. E futën vendin në shumë kriza. Po përjashtohen shumica nga vendimmarrjet politike. Brenda një harku kohor  të shkurtër pamë dy qeveri. Qeveria e mirë Kurti, që u rrëzua pas 50 ditësh në pushtet, kurse tjetra u formua-Qeveria Hoti, jashtë praktikave te deritashme ligjore nga partia e dytë fituese e  zgjedhjeve, e cila nuk e ka shumicën në kuvend, dhe secilën ditë po bëhet shumë e vështirë edhe ekzistenca e saj, siç po behët më e zorshme të menaxhohet edhe pandemia vdekjeprurëse. Kur një qeveri nuk ka mundësi nxjerrjen e ligjeve, nuk i mbetet asgjë veç largimit nga pushteti. Kur bëhet fjalë për politikat e jashtme ato ishin shume të dobëta, më diplomatë të  ndryshëm të emëruar shkel e shko, mbi bazat familjare, dhe mbi bazat partiake,  në kohën kur kemi kuadro profesionale”, ka thënë Mulliqi.

Më tej, ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, dhe pasojat që i ka kanë sjellë nga marrëveshjet e nënshkruara.

“Kosova ka dështuar në inkuadrim të strukturave relevante ndërkombëtare, sikur që ka dështuar në procesin e njohjeve të reja, madje na ndodhën edhe 17 çnjohje nga lobimi i politikës serbe, e cila edhe e ka marre primatin. Bisedimet me palën serbe nuk i sollën gati asgjë Kosovës, veç izolimit, së këto pushtete nuk ishin në gjendje të luftojnë krimin dhe korrupsionin, si kushte për liberalizim të vizave. Serbia nga politikat tona të dobëta shumë u faktorizua në rajon, dhe madje çetniku serb në pushtet, Aleksandar Vuqiq, arriti që të na cakton agjendën e bisedimeve. Ishte dashur që këto praktika të politikave dështuese të marrin fund. Vetëm më fytyra të reja politike, mund të arrihet që për përballohet gjendja e krizave në të cilën është futur Kosova, tash e shumë kohë. Të shfuqizohen marrëveshjet e dëmshme për Kosovën të firmosura më Serbinë, si dhe mos të vazhdohen bisedimet pa asnjë kusht, siç na ndodhi deri më tash”, ka deklarua Mulliqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat