Mulliqi: Politika përçau shqiptarët!

Politika

Mulliqi: Politika përçau shqiptarët!

Nga: A.M. Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 14:54
Flamuri kombetar

Analisti politikë, Skënder Mulliqi, për “Bota sot” është shprehur se ky 28 nëntor, ndoshta si kurrë deri më sot, na gjeti të përçarë.

”Ky shekull u quajt  me të drejte shekulli i shqiptarëve. Pas 90 vitesh të okupimit klasik nga Serbia, Kosova në vitin 1999 përfundimisht u lirua nga zgjedha shekullore serbe. Por, për çudi ky fillim shekull dhe ky 28 nëntor, ndoshta si kurrë deri më sot, na gjeti të përçarë. U ndanë shqiptarët mbi bazat partiake, ideologjike dhe farefisnore, shumë të dëmshme për një shtet dhe komb. Duket së më shumti na përqau lufta për pushtet absolut dhe për përfitime materiale. U ndanë edhe mbi baza partiake si në Kosovë, Shqipëri dhe në trojet tjera etnike. Udhëheqjet politike as për afër nuk i plotësuan kërkesat e qytetarëve, për çka edhe e fituan votën. Nuk u punua ndershmërisht në shtetndërtim dhe mirëqenie, u punua për pasurime të paligjshme. Klasa e mesme gjithnjë e më shumë u varfërua”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka përmendur situatën politikë e cila po mbretëron në Kosovë.

“Sot, Kosova në fund të këtij viti është në gjendje shumë të vështirë politike, institucionale dhe në gjendje të rëndë ekonomike e sociale. U varfërua vendi nga ata që po e zhvatin dhe plaçkitin çdo ditë pronën shoqërore. Po vjedhjen  paratë e shtetit dhe jo që nuk po jep kush përgjegjësi ligjore , por as nuk po jep përgjegjësi morale. E për vjedhje secili ishte dashur të përfundon prapa grilave. Kjo nuk po ndodhë së nuk po funksionon si duhet  shteti ligjor. Organet e drejtësisë duhet të shkëputen  nga politikat ditore. Peshë shumë e rëndë mbi supet e popullatës është varfëria gjithnjë e më e theksuar në  prag të këtij  dimri”, ka deklaruar Mulliqi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai thekson se kur një qeveri nuk ka mundësi nxjerrjen e ligjeve, nuk i mbetet asgjë veç largimit nga pushteti.

“Kjo klasë politike, nuk e ka dhënë provimin për të mirë, prandaj edhe  e ka humb shumë besimin e qytetarëve. E futën vendin në shumë kriza. Po përjashtohen shumica nga vendimmarrjet politike. Brenda një harku kohor  të shkurtër pamë dy qeveri. Qeveria e mirë Kurti, që u rrëzua pas 50 ditësh në pushtet, kurse tjetra u formua-Qeveria Hoti, jashtë praktikave te deritashme ligjore nga partia e dytë fituese e  zgjedhjeve, e cila nuk e ka shumicën në kuvend, dhe secilën ditë po bëhet shumë e vështirë edhe ekzistenca e saj, siç po behët më e zorshme të menaxhohet edhe pandemia vdekjeprurëse. Kur një qeveri nuk ka mundësi nxjerrjen e ligjeve, nuk i mbetet asgjë veç largimit nga pushteti. Kur bëhet fjalë për politikat e jashtme ato ishin shume të dobëta, më diplomatë të  ndryshëm të emëruar shkel e shko, mbi bazat familjare, dhe mbi bazat partiake,  në kohën kur kemi kuadro profesionale”, ka thënë Mulliqi.

Më tej, ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, dhe pasojat që i ka kanë sjellë nga marrëveshjet e nënshkruara.

“Kosova ka dështuar në inkuadrim të strukturave relevante ndërkombëtare, sikur që ka dështuar në procesin e njohjeve të reja, madje na ndodhën edhe 17 çnjohje nga lobimi i politikës serbe, e cila edhe e ka marre primatin. Bisedimet me palën serbe nuk i sollën gati asgjë Kosovës, veç izolimit, së këto pushtete nuk ishin në gjendje të luftojnë krimin dhe korrupsionin, si kushte për liberalizim të vizave. Serbia nga politikat tona të dobëta shumë u faktorizua në rajon, dhe madje çetniku serb në pushtet, Aleksandar Vuqiq, arriti që të na cakton agjendën e bisedimeve. Ishte dashur që këto praktika të politikave dështuese të marrin fund. Vetëm më fytyra të reja politike, mund të arrihet që për përballohet gjendja e krizave në të cilën është futur Kosova, tash e shumë kohë. Të shfuqizohen marrëveshjet e dëmshme për Kosovën të firmosura më Serbinë, si dhe mos të vazhdohen bisedimet pa asnjë kusht, siç na ndodhi deri më tash”, ka deklarua Mulliqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat