Forca vetëshkatërruese e Shqipërisë po e mban të ngulfatur shtetin shqiptar

Politika

Forca vetëshkatërruese e Shqipërisë po e mban të ngulfatur shtetin shqiptar

Nga: G.B Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 16:07
Shqipëri, 28 nëntor 2020

Sot Shqipëria ka shënuar 108 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Pavarësisht pandemisë së Covid, janë bërë festime në nder të kësaj dite, nën masat mbrojtëse.

Por, si e gjeti Shqipërinë ky përvjetor?

Analisti politik, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se çdo shqiptar ndjehet i lumtur dhe krenar me këtë ngjarje historike.

"Duke kujtuar me respekt të thellë valëvitjen e Flamurit kuqezi, nga burrat e motit në krye me Ismail Qemalin, që në ballkonin e një shtëpie të Vlorës 108 vjet më parë e shpallin pavarësinë e Shqipërisë, padyshim që çdo shqiptar ndjehet i lumtur dhe krenar me këtë ngjarje historike, që është më e rëndësishmja e ruajtjes së identitetit dhe një pjese të substancës tonë kombëtare", është shprehur ai.

Image
Skënder Zogaj

Sipas Zogajt, në këtë ditë nuk mund të mos ketë dëshpërim për dështimin e krijimit të shtetit të duhur.

"Duke kujtuar ngjarjen krenare të 108-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipëria, për fat të keq, nuk mund të mos shprehet dështimin 108-vjeçar të shqiptarëve në krijimin e shtetit të duhur, sepse, as pas 108 vitesh në liri e pavarësi, Shqipëria ende nuk është shtet i mirëfillte dhe as i lirë as i pavarur, por shembulli më i keq i pazotësisë për t'u vetëqeverisur", ka vlerësuar Zogaj.

Ai shton se Kosova edhe pse me 12 vite pavarësi, në shumë aspekte është më shtet se Shqipëria dhe kjo është fatkeqësia kombëtare që shqiptarët duhet ta kuptojnë dhe angazhohen që ta ndryshojnë.

"Forca vetshkatërruese e Shqipërisë 108 vjet po e mban të ngulfatur shtetin gjysmak shqiptar! Krahasimi i shtetit 108 vjeçar të Shqipërisë, më së miri shihet, kur e krahasojmë me shtetin 12-vjeç të Kosovës, që në kushte tepër të pafavorshme zhvillimore, për disa aspekte është shumë më i shtet se ama e tij! Kjo është fatkeqësia kombëtare që shqiptarët duhet ta kuptojnë dhe angazhohen që ta ndryshojnë. Sidomos në Kosovë, sepse është tmerrues paragjykimi, i që Kosova të përsërisë përvojën e Nënës Shqipëri", ka deklaruar Skënder Zogaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat