Parashikimi: Vetëm kështu mund të bashkohen Shqipëria dhe Kosova, kjo është pengesa...

Politika

Parashikimi: Vetëm kështu mund të bashkohen Shqipëria dhe Kosova, kjo është pengesa...

Nga: P.R Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 20:46
ilustrim

Shqipëria po feston sot përvjetorin e 108 të shpalljes së Pavarësisë. Edhe pse në kushte pandemie, shqiptarët kanë festuar anë mbanë botës ku gjenden.

Por si e gjen Shqipërinë ky përvjetor? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

“Po ta pyes Gjergj Fishtën se si është Shqipëria sot, ai do të më thotë se Shqipëria sot është siç e don armiku. Shqipëria sot ne 108 vjet shtet është e vjedhur nga pushtetarët, është plaçkë e pushtetarëve të cilët e vjedhin e poshtërojnë dhe e japin me koncesion zgjatimeve të veta dhe e zhveshin shtetin nga funksionet e tij. Shqipëria e pushtetarëve të sotëm është me e dobëta, me pa shtet, më e poshtëruar dhe e nënvlerësuar nga bota se asnjëherë në tri dekada pluralizëm. Shqipëria e sotme është modeli më i keq për Kosovën dhe kjo klasë e majtë politike që ka pushtetin në Tiranë ka infektuar rëndë me virus enverist klasën politike në Prishtinë”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, viti 2020 Shqipërinë e gjen me qeverinë më të keqe.

Image
Rexhep Shahu

“Me abuzuese ndaj qytetarëve e ndaj Kosovës në historinë e saj, pluraliste me qeverinë që e ka dhënë me koncesion pothuaj gjithë vendin dhe aktivitetet kryesore të shtetit, me një qeveri me të papërgjegjshmen për çështjen kombëtare dhe për interesat kombëtare, me një kryeministër që ka qëllim të jetë mirë e i mirë me serbët pa me shqiptarët nuk i intereson si të jetë, pasi ai e merr pushtetin në Shqipëri me anë të manipulimeve, vjedhjeve, blerjes së votave, dhe me atë të veteranëve e nostalgjikeve të Enverit, pasi në Shqipëri mendohet se rreth gjysmë milionë popullsi e re dhe vitale ka emigruar nga vendi dhe 2020 e gjen të tillë me rreth gjysmë milionë shqiptar të rinj minus pasi i ka dëbuar dhuna qeveritare”, shprehet Shahu.

Më tej, ai ka kritikuar ashpër klasën politike në Shqipëri.

“Shqiptarët në 108 vjetorin e pavarësisë udhëhiqen nga një klasë politike jo elitare, në masë të madhe bashibozuke, nga politikanë që shohin veç pasurimin personal, nga komandant që kujtojnë se kanë merita aq të mëdha sa ta bëjnë atdheun plaçkë tregu. Por në 108 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë duhet të krenohemi me një rini të mrekullueshme, shumë të emancipuar, shumë të ditur e të përshtatur me Evropën, të vetmen pasuri kolosale të jashtëzakonshme të kombit shqiptar”.

“2020 i gjen shqiptarët me dy shtete shqiptare. Kosovën e gjen në një fazë pastrimi e qartësimi si asnjëherë, me funksionim të Gjykatës Speciale e cila do ta ndajë shapin nga sheqeri që të mos guxojmë me t’ia drejtojmë gjithkujt gishtin e t’i themi kriminel, hajn, haraqist. Besoj do të kthjellohen ujërat e do te ikin mjegullat. Kosovën e gjen 2020 me një qeveri serioze, pa mbështetje të gjerë parlamentare, me president në gjykim në Gjykatë Speciale për akuza atij dhe rreth 100 të tjerëve për kohen e ushtrimit të pushtetit pas lufte, pasi askush nuk guxon as e gjykon dot luftën e një populli për çlirim kombëtar nga pushtuesi. Edhe Kosovën besoj e kanë braktis rreth çerek milioni njerëz nga keqqeverisjet e komandantëve dhe arroganca e tyre në dy dekadat e pas luftës”, thekson me tej publicisti Shahu.

Më tej, ai ka paralajmëruar edhe kërcënimet e mundshme nga të cilat duhet të ketë kujdes Kosova.

“2020 Kosovën e gjen ende të kërcënuar nga organizma islamike radikale vehabiste etj etj që kanë mbështetje politike deri në parlamentin e Kosovës nga politikanë që janë gati ta heqin laicitetin e shtetit të Kosovës dhe të zbatojnë programin e njohur serb që ta shndërrojnë Kosovën në shtet islamik në Ballkan që bota që e ka çliruar Kosovën, ta tregoje me gisht Kosovën si vend mosmirënjohës ndaj perëndimit por vend që përqafon islamizmat radikale që japin fonde e vota partive që lejojnë e reklamojnë shamiat e burkat në Kosovë”.

Por sa ka gjasa që të bashkohen dy shtetet shqiptare?

“Qytetarët shqiptar në dy shtetet shqiptare janë më të afruar, më të bashkuar, më të mirëkuptuar ndërsa politikanët jo pasi politikanët socialistë të Tiranës kërkojnë supermaci ndaj politikanëve të Kosovës të cilët shpesh pa asnjë arsye bëhen inferiorë ndaj zyrtarëve të Tiranës.Për njerëzit e thjeshtë, për qytetarët e zakonshëm shqiptar të Shqipërisë e Kosovës, bashkimi kombëtar ka ndodhë, është krye dhe po përsoset. Janë mijëra martesa që janë bërë mes dy anëve të kufirit. Bashkim Kombëtar nuk do të thotë që njerëzit të zhvendosen në shtepitë e njëri tjetrit, por të jenë të lirë të bashkëjetojnë e bashkëpunojnë. Sot në Sarandë flitet si në Prishtinë, për kohën e verës nuk e kupton se ku je pasi nuk ka dallime. Bizneset bashkëpunojnë”.

Analisti Shahu deklaron se Bashkimin Kombëtar e pengojnë politikanët shqiptar. Ai thotë se Kosova dhe Shqipëria mund të bashkohen në një Konfederatë.

“Por ne nuk do të arrijmë të bëjmë bashkime qeverish, bashkime pushtetarësh, sepse secili lufton ta ketë vetë pushtetin. Do të duhet një klase politike shumë idealiste që të mund të ndodhë një konfederatë shqiptare mes Shqipërisë e Kosovës. E majta e Shqipërisë nuk e ka lejuar as e lejon asnjëherë bashkimin kombëtar sepse druhet se Kosova nuk e lejon të majtën në pushtet megjithëse kohët e fundit e majta enveriste i ka zgjatur kthetrat edhe në Kosovë. Që të ketë udhë të lirë bashkimi real e bashkëpunimi mes shqiptarëve, duhet të dëbohet nga pushteti kasta aktuale që dhunon qeverinë në Tiranë. Të djathtët kanë dhënë prova qe nga Rexhep Mitrovica se janë e mund ta bëjnë bashkë Shqipërinë me Kosovën në ato vija e platformë që e pati bërë Gjermania e Italia. Por partizanët e zonës operative Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër do ta pengojnë gjithmonë bashkimin e shqiptarëve”, thekson Shahu.

“Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një mënyrë apo një tjetër, në një shtet apo në një Konfederatë një shtet është fati ynë e ardhmja jonë. Brezat e rij gjithmonë janë me vizionare, me përparimtare, me pak vegla të armiqve të shqiptarëve. Pa bashkim kombëtar do të jetojnë gjatë vargjet e një poezie që kam botuar para 20 vitesh. Unë e atdheu jemi jek e jek / çerek jam unë, atdheu çerek”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat