Përkrahje e madhe për familjen Jashari, kërkohet të marrin postin e Presidentit

Politika

Përkrahje e madhe për familjen Jashari, kërkohet të marrin postin e Presidentit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 nëntor 2020 Në ora: 08:32
Bekim Jashari

Posti i presidentit po vazhdon të jetë tema më e diskutuar kohëve të fundit.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit pasi i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale, ka bërë që Kosova të mbetët pa president. E që aktualisht, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ka marr postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, post që mund ta ushtrojë më së shumti 6 muaj.

E nëse brenda 6 muajsh partitë politike nuk gjejnë zgjidhje për presidentin e ri, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zgjedhjet janë opsioni më i dëshiruar për partinë e VV-së e cila është duke kërkuar vazhdimisht që vendi të shkojë në zgjedhje mirëpo që e njëjta kërkesë nuk është duke gjetur zbatim njëherë.

Së fundmi listës së kandidatëve për president është folur që do të i shtohet edhe Bekim Jashari, kryetari i Komunës së Skenderajt. Jashari është i angazhuar në politikë vetëm tre vjet më parë, Jashari duket se plotëson një numër kriteresh të rëndësishme për të qenë një figurë me shumë përbashkuese dhe e denjë për të drejtuar shtetin.

E që në lidhje me kandidimin e tij ai vet nuk ka deklaruar asgjë, duke lënë të nënkuptohet që nuk ka mohuar apo pohuar kandidimin e tij.

Gazeta ka kontaktuar me partitë politike në lidhje me qëndrimet e tyre për kandidimin e Jasharit për këtë post, por të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë qëndrim duke u shprehur që fushatat në qytetin e Podujevës është duke i penalizuar që të prononcohen për media.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike, të kontaktuar nga “Bota sot”, u shprehën që kandidimi i ndonjë nga anëtarët e familjes Jashari është i mirëseardhur.

Kelmendi: Nga familja Jashari është e mirëseardhur kandidatura

Njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendit, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që çështja e presidentit është një përgjegjësi shtetërore dhe e besueshme.

Më tej Kelmendi thotë që nëse njëri ndër Jasharajt është person adekuat për të u bërë president pse jo, vetëm duhet të sigurohen votat në Kuvend.

Image
Muhamet Kelmendi

“Çështja e presidentit është një pozicion i lartë i përgjegjësisë shtetërore. Këtu duhet të ketë kujdes Kosova dhe këtë pozitë duhet t'ia besojë një figure të besueshme. A është këtu nga Jasharajt ndonjë person që mund të bëhet president, natyrisht se po. Çështja është se a sigurohen votat në Kuvend për një kandidat të tillë”, u shpreh Kelmendi.

Tutje, Kelmendi thotë që duhet të ketë më shumë se dy kandidatë kjo do të mundësonte një zgjedhje më kualitative për president duke përfunduar që nga familja Jashari është e mirëseardhur kandidatura.

“Natyrisht se këtu duhet një koalicion i gjerë për kandidatin që të i fitojë votat. Duhen 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të fituar. Kishte me qenë shumë mirë sikurse të kemi dy e më shumë kandidat. Unë mund të parashikoj mbi tre kandidat. Kjo do të mundësonte një zgjedhje shumë më kualitative për president. Dhe, shpresohet se në Kuvend do të paraqiten disa kandidat. Nga Jasharajt është e mirëseardhur kandidatura. Votat varen nga deputetët e Kuvendit”, tha Kelmendi.

Duhanaj: Familja Jashari mund të jetë zgjidhje e mirë për spektrin politik

Analisti politik, Leon Duhanaj, u shpreh për “Bota sot”, që duhet sa më shpejtë që vendi të ketë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm sepse zgjedhjet edhe nëse mbahen nuk mund të garantojnë ndonjë zgjidhje.

Image
Leon Duhanaj

“Situata politike në vend, po shkon drejtë kulmit të një krize, nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. Kjo, jo pse vendi nuk duhet të shkojë assesi në zgjedhje, por që zgjedhjet edhe pse të tepërta në ketë kohë, prapë nuk garantojnë zgjidhje për shumë tema. Prandaj është me se e nevojshme të kemi një marrëveshje”, thekson Duhanaj.

Duhanaj në fund, shprehët që familja Jashari mund të jetë një zgjidhje e mirë për spektrin politik i cili është i përçarë skajshmërisht.

“Tani, unë për vete nuk jam ithtarë i emërimeve në bazat të meritave familjare, por, nëse ka një familje që vërtetë ka kredit për ketë gjë, atëherë është familja Jashari dhe, si e tillë kishte me qenë zgjidhje e mirë dhe, që do të ndikonte në unifikimin e spektrit politik, i cili është i përçarë skajshmërisht”, përfundon Duhanaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Asnjë anëtar nga familja Jashari nuk duhet të jetë pjesë e kësaj politike të ndyrë

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehët që vlerat dhe kontributi i familjes Jashari nuk mund të kontestohet por që angazhimi i të cilëve duhet të jetë frymëzim për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ruajtjes me fanatizëm të këtyre vlerave të luftës.

Sipas Ahmetit, familja Jashari duhet të i mbrojë vlerat dhe flijimin e familjes së tyre edhe në ato raste kur politikanët e zhytur në krim mundohen të tjetërsojnë vlerat dhe kontributin e familjes Jashari.

Image
Hidajet Ahmeti

“Vlerat dhe kontributi i familjes Jashari nuk mund të kontestohet, por duhet që amaneti i tyre të përcillet në vend, përmes angazhimit, profesionalizmit dhe duke i çmuar vlerat e Ushtrisë Çlirimtare dhe luftës së drejtë në përgjithësi. Familja Jashari është një bazament i sakrificës e luftës për liri, e cila nga brezat e ardhshëm do të jetë frymëzim për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ruajtjes me fanatizëm të këtyre vlerave të luftës. Trashëgimtarët e kësaj familje, duhet me fanatizëm t’i mbrojnë ato vlera të historisë së re të Kosovës me emrin “Sakrifica, flijimi i familjes Jashari për liri e pavarësi”, edhe në ato rast kur politikanët e zhytur në krim e korrupsion mundohen t’i uzurpojnë apo tjetërsojnë vlerat dhe kontributin e kësaj familje”, tha Ahmeti.

Tutje, Ahmeti shprehët që Bekim Jashari mund të kontribuoj në forma të ndryshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës por assesi të bëhet pjesë e pazareve politike me partitë që kanë keqqeverisur nga paslufta.

“Gjykoj se, asnjë anëtar nga familja Jashari nuk duhet të jetë pjesë e kësaj politike të ndyrë, e cila është instaluar nga partitë e kriminalizuara. Vlerësojë gatishmërinë e kësaj familje për të kontribuar edhe në kohë paqeje përmes politikës, por dyshoj që logjika politike e instaluar në këtë shoqëri mund të njollosë familjen Jashari. Prandaj, mendoj se zoti Bekim Jashari mund të kontribuoj në forma të ndryshme për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, por assesi duke u bërë pjesë e pazareve politike me partitë që kanë qeverisur apo më mirë kanë keqqeverisur që nga paslufta”, thekson Ahmeti, për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat