“Rusia e Ballkanit” - eksperti i sigurisë parashikon një sulm të Serbisë ndaj Kosovës

Politika

“Rusia e Ballkanit” - eksperti i sigurisë parashikon një sulm të Serbisë ndaj Kosovës

Nga: A.Morina Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 13:59
Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dje ka vizituar kazermën “Mija Stanimiroviq” në Nish, ku nga atje shprehi  mirënjohje ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin për dhurimin e tankeve dhe automjeteve të blinduara.

Vizita e Vuçiqit në kazermën e Nishit, ndodhi “rastësisht” me datën 28 nëntor në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” tha se këto janë veprime që po lënë të nënkuptohet se Serbia gradualisht po kthehet në një “Rusi të Ballkanit”.

Ai këtë deklaratë e bazoi në hapjen e zyrës përfaqësuese të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes në Beograd.

“Serbia gradualisht po kthehet në njëfarë Rusie të Ballkanit, bazuar në marrëveshjen mes qeverisë ruse dhe asaj serbe është arritur pajtimi që të nisin procedurën për hapjen e zyrës përfaqësuese të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes në Beograd”, deklaroi Shala.

Tutje, njohësi i çështjeve të sigurisë tha se ky armatim po bën presion në konstalacionin gjeopolitik të Evropës. Ai në vazhdim tregoi edhe arsyet pse po ndodh një gjë e tillë.

“Pra, nëse bëjmë një analizë se çka ka përfituar serbia "ndihma" ushtarake nga Rusia mund të konkludojmë që ky armatim është presion në konstalacionin e ri gjeopolitik në Evropë. Kjo është duke ndodhur përmes rritjes së ndikimit rusë, kinez dhe brishtësisë së BE-së”, nënvizoi Shala.

Në fund, ai i bëri thirrje shtetit të Kosovës të filloj bisedime me shtetet individuale të NATO-së, në mënyrë që të jemi të përgatitur, nëse ndodh ndonjë sulm nga Serbia.

“Shteti i Kosovës duhet sa ma parë të fillojë arritjen e marrëveshjeve ushtarake me shtetet individuale të NATO-së ( Shqipërisë, Turqisë, Amerikës , Kroacisë ) që në rast të ndonjë tentim sulmi të jemi të përgatitur në dy drejtime atë të kuadrove profesional dhe pajisjeve ushtarake”, përfundoi Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat