Thaçi dhe Veseli në Hagë, eksperti gjerman: Ja çka pritet të ndodhë me politikën e brendshme në Kosovë

Politika

Thaçi dhe Veseli në Hagë, eksperti gjerman: Ja çka pritet të ndodhë me politikën e brendshme në Kosovë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 nëntor 2020 Në ora: 08:31
Eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor Bodo Weber

Eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor Bodo Weber, ka folur për procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se ky proces, bazuar në përvojën e kaluar të gjykatave ndërkombëtare, mund të zgjas disa vjet.

“Nuk do të doja të komentoja për punën e Gjykatës Speciale bazuar në thashethemet. Por, duke pasur parasysh përvojën e gjykatësve të ICTY dhe madje edhe të EULEX-it në gjyqet e luftës në Kosovë, mund të pritet që gjyqet, duke përfshirë niveli i ankesave, kundër ish-Presidentit Thaçi dhe ish-anëtarëve të lartë të UÇK-së, do të zgjasin me siguri disa vjet”, është shprehur Weber.

Ai ka theksuar se me largimin e Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, kanë marrë fund edhe idetë e “rrezikshme” të shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

“Për negociatat me Serbinë për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, largimi i Thaçit dhe Veselit do të thotë patjetër fundi i cilitdo avokimi përkatës për idetë e rrezikshme të shkëmbimit të tokave të Kosovës”, ka deklaruar eksperti gjerman.

Ai ka folur për "Bota sot" edhe për zhvillimet e brendshme politike, që pritet të ndodhin në Kosovë. Sipas tij, pritet të ndodhin ndryshime serioze, sidomos të PDK-së.

“Sa i përket zhvillimit të brendshëm politik në Kosovë, duke pasur parasysh që PDK, dhe posaçërisht përmes Thaçit që nga fundi i luftës së vitit 1999, sidomos nga pavarësia dominoi politikën e Kosovës, në sistemin e saj politik, mund të bëhen ndryshime serioze që nuk janë ende të parashikueshme. PDK duhet të shohë një ndryshim të gjeneratave”, është shprehur Bodo Weber.

Poashtu, ai ka thënë se duhet të humbasë rëndësinë e tij rivaliteti politik ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, pasi një gjë e tillë do të kontribuonte në një ndryshim të përgjithshëm të gjeneratave dhe elitave politike në Kosovë.

"Rivaliteti dhe marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet PDK-së dhe LDK-së që kanë dominuar sistemin politik dhe shtetin për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, duhet të humbasin rëndësinë e tyre. Kjo do të kontribuojë shumë në një ndryshim të përgjithshëm të gjeneratave dhe elitave politike në Kosovë”, ka thënë Weber.

Ai ka shtuar se për marrëveshjen finale me Serbinë, duhet të ketë negociata reale që kompletojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Vullneti i transformimit demokratik në një pjesë të madhe varet nga kalimi në negociata reale, të suksesshme për një marrëveshje finale me Serbinë që kompleton sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial, si dhe mbi reformat e ardhshme strukturore në sistemin politik, që për mendimin tim janë shumë të nevojshme”, ka përfunduar për “Bota sot” Bodo Weber./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat