Ja me çka do të përballet Qeveria Hoti këto ditë

Politika

Ja me çka do të përballet Qeveria Hoti këto ditë

Nga: A.Z Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 15:17
Avdullah Hoti

Kuvendi nga fillimi i sezonit vjeshtor është përballur me mungesë të vendimmarrjes dhe si pasojë kanë mbetur shumë projektligje pa u miratuar, duke përfshirë edhe atë të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.Ky Projektligj kishte dështuar të votohej që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.

Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe disa nga analistët. Analisti Fatmir Bajraj në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Parlamenti i Kosovës është derivat i vullnetit të Sovranit dhe produktë i votës së lirë, në njërën anë apo në tjetrën mënyrë Parlamenti dhe përfaqësuesit janë përzgjedhja jonë.

“Legjislacioni i papërgjegjshëm dhe inert! Legjislacioni, përkatësisht Parlamenti i Republikës së Kosovës është derivat i vullnetit të Sovranit, është produkt i votës së lirë si rezultat i një kontrate politike-qytetare, në njërën anë; ata të cilët kërkojnë besimin dhe mbështetjen e votuesve për të qeverisur me vendin, dhe në anën tjetër, qytetari i cili jep votën në kutinë e votimit Në njërën apo tjetër mënyrë, Parlamenti dhe përfaqësuesit tanë në institucione, janë përzgjedhja e jonë, vullneti ynë i lirë, janë premtimet e tyre dhe pritjet tona”, tha ai.

Ai ka shtuar se jemi në miniature ku mbajmë përgjegjësi qytetare dhe kushtetuese, parlamenti sikur ka harruar funksionet relevante dhe detyrat të cilat ky legjislacion nuk po i përmbushë ose realizimi i tyre është lënë shumë për të dëshirua.

“Pra, jemi në miniaturë, për të cilët mbajmë përgjegjësi qytetare dhe kushtetuese, pra përgjegjësia është edhe e jona, pamedyshje! Çfarë po ndodhë më Parlamentin? Parlamenti ynë sikur ka harruar funksionet relevante kushtetuese, shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve dhe vendimeve, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave dhe të drejtat e qytetarëve, mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe të Institucioneve të pavarura, si dhe miratimin e buxhetit të Kosovës, kontrollin mbi ekzekutivin, e zgjedh atë dhe i shpall mosbesimin, detyra këto të cilat ky legjislacion në veçanti nuk po i përmbushë, ose realizimi i tyre është lënë shumë për të dëshiruar”, tha ai.

Më tej ka thënë se kjo qeveri me 61-63 deputet nuk po i’a del të miratoj ligje, i gjithë moskalimi i ligjeve si pasojë nga lufta për pushtet, duke vënë para interesat nacional-shtetëror, atë partiak dhe politik, fakt ky që po e rëndon jetën e qytetarëve.

“Moskalimi i ligjeve n'mungesë kuorumi, papërgjegjësi e pafalshme e Parlamentit, e gjithë kjo pasojë e mendësisë meskine në luftën për pushtet, duke vënë para interesit nacional-shtetëror, atë partiak dhe politik, fakt ky që po dëmton dhe rëndon jetën e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit. Qeveria Hoti, e cila realisht ka 61-63 deputet si koalicion qeverisës, për shkak të Pandemisë me Covid-19, dhe pasojave nga të infektuarit, nuk po i'a del të miratoj ligje as me shumicën e thjeshtë, për çfarë opozita parlamentare, në vend se t'i ndihmoj vendit dhe qytetarëve duke ushtruar funksionin primar, pjesëmarrjen në seanca dhe votimin e Ligjeve, kjo e undit ka zgjedhë luftën politike për pushtet duke luajtur lojë obstruksioniste dhe sabotuar proceset komplekese nëpër të cilat po kalon vendi”, tha ai.

Bajraj më tej ka thënë se kjo pandemi me Covid-19 ka goditur edhe Qeverinë, mirëpo në vendet serioze dhe me demokraci të konsoliduar po përballen me këtë fatkeqësi ndërsa klasa jonë politike bënë të kundërtën duke fërkuar edhe duart në fatkeqësinë e tjetrit.

“Punën e pushtetit (Qeverisë) po e dëmtojnë Pandemia e pamëshirshme dhe Opozita e papërgjegjshme ! Pandemia me Covid -19, ka sjellë vështirësi globale, pra ka goditë të gjitha vendet dhe të gjitha Qeveritë, por vendet serioze dhe me demokraci të konsoliduar, po përballen me këtë fatkeqësi duke bashkuar energjitë nacionale dhe shtetërore; pozitë dhe opozitë, për të qenë pasojat sa më të vogla, derisa klasa jonë politike bënë të kundërtën, bilës në raste sensitive, fërkojnë edhe duart në fatkeqësinë e tjetrit”, tha ai.

Tutje ka theksuar se LVV-ja tani kërkon zgjedhje për të cilat nuk është e interesuar, por ka vetë si qëllim prishjen e konstelacionit dhe futjen e vendit në krizë politike në të cilën vetë ndjehet komode.

Ndërsa për PDK-në ka thënë se nuk e duron pushtetin dhe në anën tjetër nuk ushtron opozitarizmin parlamentar duke ndihmuar kuorumin në seanca edhe për tema me interes nacional.

“LVV-ja, kishte pushtetin, por u dorëzua duke dezertuar nga detyra kushtetuese me të cilën e kishte ngarkuar Sovrani, dhe tani me sjellje populliste gjëja kërkon zgjedhje për të cilat realisht nuk është e interesuar fare, por ka qëllimin e prishjes së konstelacionit dhe futjen e vendit në krizë të thellë politike në të cilën ajo vetë ndjehet komode. Koncepti i PDK-së përballë pushtetit në opozitë; "as mish, as peshk". Nuk e duron pushtetin (qeverisjen) edhe në anën tjetër nuk ushtron opozitarizmin parlamentar duke ndihmuar kuorumin në seanca dhe për tema me interes nacional”, tha ai.

Më tej ka thënë se vetëm LDK-së do i konvenojnë zgjedhjet e reja meqë rast do ë lirohet nga përgjegjësitë kushtetuese dhe do të ketë shancin e rritjes në zgjedhje “Zgjedhjet e reja, i konvenojnë vetëm LDK-së! Së pari, lirohet nga përgjegjësitë kushtetuese n'qeverisje të cilat po i'a shkaktojnë oponentet destruktiv dhe pse jo edhe partneri i koalicionit ( AAK-ja), dhe së dyti ka shansin e rritjes në zgjedhje, falë lidershipit të z.Hoti në rolin e Kryeministrit, n'përballje me Pandeminë, Dialogun dhe Ekonominë në rrethanat aktuale”, tha ai.

Si opsione të spektrit politik të vendit me të cilat do të përballet në vazhdim sipas këtij analisti janë moszgjidhja e Presidentit në afatin kushtetues, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë dhe marrëveshja eventuale për të shkuar në zgjedhje.

“Moszgjidhja e Presidentit në afatin kushtetues, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë dhe marrëveshja eventuale për të shkuar në zgjedhje, janë opsionet reale të spektrit politik të vendit, me të cilat do të përballet në javët dhe muajt n'vazhdim. Moszgjidhja e Presidentit dhe shkuarja n'zgjedhje, nuk do të jetë zgjidhje, por do të jetë hyrje në një ri- ciklim të problemit të cilit nuk do t'i dihet fundi, por do të dihen e shihen pasojat”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat