Humbja në Podujevë, LDK-së i vjen alarmi i fortë – ja çfarë duhet të ndryshojë

Politika

Humbja në Podujevë, LDK-së i vjen alarmi i fortë – ja çfarë duhet të ndryshojë

Nga: P.R Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 20:08
Agim Veliu

Ishte një kala e pamposhtur. Ishte një bastion për vite me radhë. Madje as plumbat drejt Agim Veliut, kreut të LDK-së në Podujevë nuk e ndryshuan këtë. Por pas 31 vitesh nga themelimi i LDK-së në Podujevë, dhe 20 vite pas lufte, LDK-ja u mposht në Podujevë, bastionin e saj në Llap. Ka qenë Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila iu gëzua fitores gjatë ditës së djeshme.

Por çfarë do të thotë kjo humbje për LDK-në dhe si duhet të reagojë kjo parti?

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka folur me analistin dhe publicistin Rexhep Shahu.

“Humbja e LDK në Podujevë dhe fitorja e VV është kambanë e madhe alarmi që gjëmon për LDK. LDK i duket se është si gomari në ëndërr ndërsa po e shqyen ujku. LDK e taktikave dhe e moralit kur u ndesh me VV kur Albin Kurti ishte kryeministër e rrëzoi Albinin nga kryeministër. Që atëherë vazhdon ndeshja mes dy partive. LDK i besoi yndyrës së vet dhe duket nuk shkoi te njerëzit, të votuesit, mendoi se u çoi selam njerëzve”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, kjo rezultoi sërish gabim i përsëritur.

“Me selam njerëzit në Kosovë ka mund me i ngritë peshë vetëm Ibrahim Rugova, kushdo që don ta kopjoje keq apo do të tentojë të jetë kopje e tij e keqe do të korr humbje siç korri LDK në bastionin e vet në Podujevë. LDK ka harruar se të tjerët punojnë. Nëse nuk ka akuza se VV ka përdorë klerikët, nëse nuk aktualizohet për mobilizim njerëzish mbi baza fetare, duhet uruar për fitoren, duhet uruar që e tronditi dhe e zgjoi LDK. Në LDK në kryesi, në drejtim, nuk duan të besojnë se përditë rrjedh ujë i ri, nuk duan të besojnë se po rritet brez i ri vital”, shton analisti Shahu.

Më tej, Shahu ka treguar edhe se cfarë duhet të ndryshojë LDK-ja brenda saj pas humbjes në Podujevë.

“Askush nuk po kërkon zëvendësim apo lojë kukullash, por kërkohet intonim me ritmin e vrullshëm të kohës. Çfarë duhet ndryshuar në LDK? Duhet krijuar me veprime bindja se askush si individ, i pari apo jo i pari në listë, nuk e ka në dorë fatin e LDK, askush nuk ia mban shpirtin gjallë LDK asnjë individ, por vetëm anëtarësia shumë e gjerë që duhet begenisur e nuk duhet lënë e mënjanë, e përbuzur e shpërfillur. Duhet bërë një fshirje e diskut të memories të viteve të fundit dhe duhet të thirren në skenë qëndrestarët, të urtët, ata që ikin kur shohin sherre, duhen larguar ata që bëhen copash e thyejnë karrige për poste, ata qe çojnë bishtin përpjetë, ata që rrinë e thonë gjithë kohën se falë meje mori kaq e aq vota LDK”, shprehet Shahu.

Për fund, Shahu deklaron se pasuria më e madhe e shqiptarëve, është Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Sepse Kosovës nuk i intereson të vije apo të jetë sot në pushtet LDK, Kosovës i intereson në afat gjatë të ketë LDK, ta forcojë, ta bëjë siç ka qenë institucion që ngre shtet të moralshëm të drejtë e dinjitoz, shtet të padhembshëm nga tërmete të vogla politike. LDK është pasuria më e madhe politike e shqiptarëve, është shkolla dhe universiteti demokratik i shqiptarëve, e vrara, e dhunuara, por e pamposhtura, e cila duhet të thërras autoritetet e veta morale qe i ka gjallë nëpër Kosovë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat